Rama ironizon në Twitter: “Varfanjakët” që mbrohen pas fashës 300 KW

Shqipëria

Rama ironizon në Twitter: “Varfanjakët” që mbrohen pas fashës 300 KW

Më: 28 nëntor 2014 Në ora: 19:56

Kryeministri Edi Rama i rikthehet temës së vjedhjes së energjisë elektrike, duke theksuar se abuzuesit fshihen pas fashës 300 kilovatorë e cila deri më sot paguhet me 7.7 lekë.

Në kuadër të aksionit kundër abuzimit, Rama ka argumentuar që në krye të herës se pjesa më e madhe e personave që vjedhin energji fshihen pas fashës mbrojtëse të 300 Kw, prandaj kjo fashë mbrojtëse nuk ndihmon qytetarët, por favorizon abuzuesit.

Operacioni i ndërmarrë dhe heqja e fashës ka hapur një debat të ri mes pozitës dhe opozitës. Kjo e fundit akuzon Qeverinë se me heqjen e fashës mbrojtëse preken shtresat në nevojë.

Por sipas mazhorancës heqja e fashës nuk synon rritjen e çmimit, por goditjen e krimit që konsumojnë personat që vjedhin energji elektrike.

Pikërisht në kuadër të kësaj ngrehine diskutimesh Kryeministri përmes faqes së tij twitter ka postuar një foto, në qendër të së cilës është një vilë disakatëshe luksoze.

Kjo vilë, ironizon Rama në twitter, është pronë e një prej “varfanjakëve” të cilët vjedhin energji elektrike duke u fshehur pas fashës mbrojtëse 300 Kw.

“Shikojeni pak një “varfanjak” që fshihej pas fashës mbrojtëse 300 KW! E kuptoni o njerëz se ç’i ka bërë fasha vendit?”, ironizon në Twitter Rama.

Rama në të gjitha daljet e tij publike ka theksuar hapur se qeveria e drejtuar prej tij, nuk do të zbrapset asnjë çast në bindjen e saj për të luftuar këtë fenomen që ka shkaktuar humbje të mëdha në buxhetin e shtetit, që mund të ishin përkthyer në të mira publike për qytetarët shqiptarë, si shkolla, qendra shëndetësore, infrastrukturë…etj

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat