Mandati ynë për të ndryshuar rrënjësisht Shqipërinë

Shqipëria

Mandati ynë për të ndryshuar rrënjësisht Shqipërinë

Më: 28 nëntor 2014 Në ora: 16:58

Së pari, ju uroj gëzuar këtë festë kombëtare, këtu në Qytetin e Pavarësisë dhe Festën e nesërme kombëtare të Çlirimit të atdheut tonë, vitin e 70-të të çlirimit, që përkon me një vit të jashtëzakonshëm sfidash të mëdha, për të çliruar qytetarët shqiptarë nga barra e tmerrshme e një të shkuare aspak të lavdishme dhe nga një trashëgimi shumë e rëndë në të gjitha fushat e aktivitetit të vendit dhe posaçërisht, në çdo sportel dhe në çdo zyrë ku qytetarët kërkojnë nga shteti shërbime cilësore, transparente dhe të shpejta.

Sot është një tjetër ditë e mirë për Policinë e Shtetit, sepse jemi këtu, në një tjetër çelje të dyerve të një strukture tërësisht të transformuar. Këtu s’bëhet fjalë për transformimin fizik të një godine, por bëhet fjalë për transformimin e një shërbimi. Deri dje, shërbimi i qytetarëve nga Policia e Shtetit bëhej në rrugë. Qytetarët prisnin në rrugë, shi, diell, pa radhë, duke kërkuar mikun që do t’u mundësonte një kontakt dhe kur e kishin këtë kontakt, vazhdonte pjesa e dytë e odisesë për të marrë një të drejtë.

Sot, nga Drejtoria e Tiranës tek kjo Drejtori këtu në Vlorë, hapësira e parë në hyrje të godinës është hapësira e qytetarëve dhe momenti i parë i kontaktit të policisë me qytetarin është momenti që i jep mundësi çdo qytetari të ndjehet i respektuar dhe që i jep kuptim asaj motoje, të vendosur mbi derë, “Policia e Shtetit, policia jote”.

Ministri i Brendshëm ka ndërmarrë një betejë jashtëzakonisht të vështirë në disa plane. E, një nga këto plane është plani i modernizimit rrënjësor të sistemit të komunikimit dhe të shërbimit të Policisë së Shtetit ndaj qytetarit. Tanimë, ky është një shërbim i unifikuar, ofrohet në një sportel të vetëm në çdo zyrë shërbimi në të gjithë vendin. Në këtë mënyrë, çdo qytetar që ka nevojë për policinë nuk do të ketë më nevojë të marrë shërbime të tjera në drejtoritë e qarqeve, nga komisariatet, apo të shkojë nga një nëpunës te një nëpunës tjetër, tek tjetri e tjetri me radhë, në një rrugë sfilitëse ku shpejtësinë e përcakton jo e drejta e qytetarit, as detyrimi i nëpunësit, por korrupsioni. Ka një afat standard për çdo procedurë, nga 3 ditë për vërtetimet deri maksimumi në 60 ditë për licencat.

Sot, ne kemi gati një shërbim të drejtpërdrejt për qytetarët, nga unë si Kryeministër dhe Kryeministria e vendit dhe pastaj tek çdo Ministër, që do të çelë kutinë e tij të shërbimeve online. Kutia e shërbimeve në faqen e Kryeministrit dhe në faqen zyrtare të çdo Ministri do të jetë as më shumë dhe as më pak, por mundësia që çdo qytetar i këtij vendi të ankohet drejtpërdrejtë, për vonesat në marrjen e shërbimit.

Ne e dimë shumë mirë që korrupsioni është një mostër që ka dhjetëra e qindra pamje. Por dimë shumë mirë po ashtu, se pamja e tij e fshehtë qëndron pas vonesave në marrjen e shërbimit. Për këtë arsye, ne kemi hartuar dhe tanimë kemi në dispozicion të qytetarëve një program të ri bashkëpunimi mes Qeverisë dhe qytetarit, për të shkundur burokracinë dhe për të luftuar sëbashku korrupsionin që fshihet pas vonesave në marrjen e shërbimit.

Kështu, çdo qytetar dhe qytetare do të ftohet, është i ftuar, është e ftuar që t’i bëj me dije drejtpërdrejtë Ministrit përgjegjës, apo Kryeministrit të vendit, vonesën me të cilën është duke u përballur dhe sëbashku me Kryeministrin, sëbashku me Ministrin përkatës të jenë aleatë për t’i shkuar problemit deri në fund, duke zbuluar shkaqet e vonesës dhe duke zbuluar çdo rast kur shkaktarët e vonesës nuk kanë asnjë arsye objektive, por kanë vetëm arsye korruptive.

Kemi parë disa raste flagrante të korrupsionit deri në nivele të larta të drejtimit dhe të administrimit publik. Një rast flagrant në Drejtorinë Arsimore të Lushnjës, dy raste të tjera flagrante në dy drejtori të Kompanisë së Shpërndarjes së Energjisë, nga personalisht drejtoren dhe drejtorët dhe jo të tjerë, të cilët sot janë prapa hekurave. Por ne jemi të vetëdijshëm dhe besoj se qytetarët janë të vetëdijshëm gjithmonë e më shumë, se lufta reale ndaj korrupsionit është një luftë, në radhë të parë, për modernizimin e sistemit.

Arrestimi i një drejtuesi për shkaqe të përligjura, për mitmarrje, për vjedhje të energjisë, apo për shpërdorim detyre, duke abuzuar me të drejtën e një qytetari është vetëm njëra anë e medaljes dhe zëvendësimi i drejtuesit të arrestuar me një tjetër nuk është në vetvete zgjidhja e problemit. Ana tjetër e medaljes është modernizimi i sistemit, për t’ia hequr çdokujt monopolin mbi fatin e një kërkese, mbi fatin e një ankese, mbi fatin e një njeriu.

Ashtu siç po bëjmë me Policinë e Shtetit, duke ndërtuar mjedise të hapura komunikimi me qytetarët, duke i dorëzuar qytetarëve një kopje të dokumentit të nënshkruar për çdo aplikim, duke i dhënë menjëherë një numër unik të çështjes, që do të thotë se çështja që kallëzon ndiqet në ecurinë e saj jo më nga një individ, por nga një sistem dhe duke bërë që edhe vetë qytetari ta ndjekë ecurinë e çështje, shmang mosveprimin e oficerëve të policisë të pandërgjegjshëm, në rastet kur nuk e marrin kallëzimin dhe nga ana tjetër shmang edhe padrejtësinë që vjen nga trysnia e ushtruar mbi strukturat e policisë. Trysni e natyrave nga më të ndryshmet.

Ashtu sikundër, nga ana tjetër, kalimi nga një fazë e rëndë, e mbushur me korrupsion për vite të tëra në sistemin e rekrutimit të mësuesve dhe në sistemin e trajtimit të mësuesve, bazuar vetëm tek subjektiviteti i drejtorit përkatës të Drejtorisë Rajonale apo të Zyrës Arsimore, në një sistem testimi kombëtar, ku në mënyrë konkurruese dhe meritokratike, përmes një procedure të sekretuar do të bëhet vlerësimi i çdo aplikanti për mësues dhe do t’i hiqet mundësia, përfundimisht, çdo drejtori të drejtorisë dhe të zyrave arsimore që të bëjë lojëra me cilësinë, përbën një hap të madh, për një luftë me rezultat të qëndrueshëm ndaj korrupsionit. Sepse ne kemi pasur gjithmonë, një filozofi krejt të ndryshme nga ajo e atyre që para nesh kanë pasur në dorë fatet e vendit. Nuk janë njerëzit që e korruptojnë sistemin, është sistemit që korrupton njerëzit. Nuk është ndershmëria që e garanton në vetvete sistemin, por është sistemi që garanton ndershmërinë. Dhe zëvendësimi i njërit me tjetrin nuk është asgjë tjetër, veçse spostim i problemit, por jo zgjidhje e tij.

E pra, ky është ndryshimi midis një shteti arkaik dhe një shteti modern, midis një shteti që funksion bazuar në virtytet apo veset e individëve dhe një shteti që funksion bazuar në virtuozitetin e sistemeve të funksionimit. Dhe në këtë aspekt, gjithmonë e më shumë, qytetarët do të ndjejnë se çdo të thotë virtuozizëm i sistemit, edhe në raport me Policinë e Shtetit.

Nëse aktualisht ekziston ndarja e shërbimeve në 3 drejtime: Drejtori e Përgjithshme, Drejtori Qarku, Komisariate, 3 drejtime ku pastaj, rëndom, kërkesat, ankesat, nevojat e qytetarëve ikin në drejtim të paditur, sot po hyjmë në një fazë të re, me përfshirjen e të gjitha llojeve të shërbimeve në një drejtim të vetëm, në një sportel, pa qenë e nevojshme të shkosh nga një zyrë në tjetrën. Dhe nga ana tjetër, çdo kërkesë, çdo ankesë, çdo problem monitorohet jo nga një person, por nga një sistem.

Nga ana tjetër, për ta thënë me fjalë më të thjeshta, kontakti i drejtpërdrejtë i një qytetari me një nëpunës, me një zyrtar dhe mbyllja e problemit brenda këtij kontakti është një nga burimet më të pista të korrupsionit. Kurse, heqja e këtij kontakti të drejtpërdrejtë dhe nxjerrja e çdo problemi nga një raport individual në një raport mes individit dhe një sistemi është pa as më të voglin dyshim, përgjigja që vjen nga modernizimi i shtetit.

Dhe për ta mbyllur, dua të përsëris edhe një herë, se ne jemi shumë të vetëdijshëm që ka ende shumë për të bërë, por nga ana tjetër, çdo ditë po bëjmë gjithçka është e mundur në harkun e një dite, që i ka orët e veta, sidoqoftë, të kufizuara. Çdo ditë do të vazhdojmë të bëjmë çdo gjë që është e mundur në harkun e një dite dhe nuk do të ndalemi përballë asnjë pengese që është produkt i të shkuarës, përballë asnjë sjelljeje që është zgjatim i vijës tradicionale të së shkuarës, përballë asgjëje dhe askujt. Për ne, kjo luftë nuk ka ngjyrime. Për ne, kjo luftë nuk ka dallime. Për ne, kjo luftë nuk ka të ndalur.

Sot po shohim efekte të jashtëzakonshme pozitive, edhe pse është vetëm fillimi, të operacionit për ta ndarë Shqipërinë nga hajdutët dhe hajdutëria çmendurake e energjisë elektrike. Ulje të ndjeshme të konsumit të energjisë, që vjen nga fillimi i lëvizjes në vetëdijen kolektive se energjinë nuk mund ta konsumosh pa teklif, nëse e paguan, por nga ana tjetër, që sjell vendosjen e një raporti normal mes konsumatorit dhe sistemit dhe rritje të jashtëzakonshëm të arkëtimeve, si rezultat i rritjes së përditshme të vetëdijes se loja mbaroi dhe se një marrëdhënie e re në interes të përbashkët, por edhe në interes të secilit është duke u vendosur dhe do të vendoset dita-ditës, me çdo çmim.

Ne do të vazhdojmë operacion pa u ndalur në emër të të gjithë atyre pensionistëve, në radhë të parë, që janë shtresa më e pambrojtur e shoqërisë dhe që e paguajnë energjinë elektrike 98%; Në emër të të gjithë invalidëve, paraplegjikëve dhe tetraplegjikëve që janë shtresa më e dobët, jo për fajin e tyre dhe që e paguajnë energjinë elektrike 93%; Në emër të të gjithë atyre komuniteteve që janë komunitete të varfra dhe paguajnë energji elektrike shumë më tepër sesa komunitetet e pasura; Në emër të çdo familje të zakonshme të këtij vendi që paguan energji elektrike më rregullisht, sesa shumë biznese që e shpërdorojnë energjinë me një arrogancë që është fytyra e gjithë atyre viteve, kur barazisë para ligjit dhe përgjegjësisë të secilit për detyrimet e veta ndaj shoqërisë ia la vendin një pabarazie ekstreme dhe një padrejtësie të kthyer në sistem, përmes pushtetit të një arrogance të pashoqë.

Duke i uruar punë të mbarë strukturave të policisë të këtij Qarku të rëndësishëm të vendit dhe duke i përgëzuar këto struktura për arritjet e ndjeshme dhe rezultatet konkrete në luftën kundër krimit dhe në luftën kundër korrupsioni, do të kërkoja me këmbëngulje, që në këtë të dytën të ketë shumë më tepër aktivitet dhe efikasitet. Sepse qoftë rasti i Lushnjës, qoftë dy rastet e tjera me drejtues kryesorë të Kompanisë së Shpërndarjes së Energjisë nuk janë raste as të veçuara, as të veçanta. Janë thjeshtë dhe vetëm simptomat e një sëmundjeje që është shumë më e thellë. Tregues i faktit se tradita e drejtuesve që marrin një mandat për të administruar dhe e kthejnë atë në një mandat pagese për çdo shërbim që iu bëjnë qytetarëve dhe për çdo moment që duhet t’i shërbejnë shtetit, jo vetëm që nuk ka mbaruar, por vazhdon të sjell shqetësime të rënda për komunitetet. Edhe këtu në Vlorë, në këtë qark, kjo është një plagë e hapur. Korrupsion dhe mitmarrje si në çdo territor tjetër të Shqipërisë, jo pak, por edhe në forma shqetësuese, çka e bën rolin e strukturave të policisë, e strukturave të Krimit Ekonomik, e strukturave mbështetëse të tyre, një rol të dorës së parë.

Duhet të vazhdojmë pa u përkulur asnjë sekondë, sepse kemi një përgjegjësi historike, të përcaktuar nga mandati i 23 qershorit, jo si një mandat për të ndërruar disa me disa, jo si një mandat për të hequr Partinë Demokratike dhe për të sjellë Partinë Socialiste dhe LSI-në në pushtet, jo si një mandat për të ndryshuar fytyrat e ministrave, zëvendësministrave apo drejtorëve dhe drejtuesve në të gjithë territorin, por si një mandat për të ndryshuar rrënjësisht Shqipërinë. Për të kaluar nga Shqipëria informale e Lala Gjonit tek Shqipëria moderne e qytetarit; për të kaluar nga Shqipëria folklorike e Lalës që thoshte: “Sa të jetë Lala Gjoni, hani, pini e këndoni. Kur të iki Lala Gjoni merrni trastat e kërkoni”, tek një Shqipëri normale europiane, që nuk mund t’i lejojë vetes që të tregohet me gisht, siç tregohej deri para pak kohësh si një republikë droge në mes të Europës, apo siç vazhdon të tregohet për faktin se është vendi i dytë më i pasur për burime energjike dhe është një vend si askush tjetër në Europë që vjedh veten e vet, ditë e natë, për turpin e Zotit dhe për turpin e të gjithëve ne, kur ngremë këtu në Vlorë flamurin e Pavarësisë dhe sakrificave të patriotëve dhe të rilindësve tanë.

Ne jemi këtu për ta respektuar atë amanet dhe ne jemi këtu për t’u bashkua me çdo qytetar që ka të drejtë të shërbehet në mënyrë transparente dhe në afatin e duhur, pavarësisht se është nga qendra e qytetit apo nga fshati më i largët; pavarësisht se njeh njeri apo se s’njeh njeri; pavarësisht se është i pasur apo se është i varfër; pavarësisht se është burrë apo se është grua; pavarësisht se është i bardhë apo se është me ngjyrë.

Ky është misioni ynë dhe ne, këtë mision do ta çojmë përpara, pa u tutur asnjë çast të vetëm!

Kush mendon se mund të ulet ritmi i reformave bën parashikim të gabuar. Ritmi i reformave vetëm do të rritet. Kush mendon se mund të ulet thellësia e reformave, bën një parashikim të gabuar, sepse reformat do të shkojnë thellë e më thellë, pasi kanceri që kemi trashëguar në organizmin e këtij vendi dhe që i ka shpërndarë metastazat e veta në çdo sektor, nuk luftohet me llafe, nuk luftohet me makijazh, nuk luftohet me aspirina dhe me penicilina, por luftohet me terapi intensive, të dhimbshme dhe me operacione të thella, si e vetmja mënyrë për ta nxjerrë shoqërinë tonë nga agonia në raport me ligjin dhe nga lëngata në raport me lirinë dhe të drejtat.

Faleminderit!

***

Në prani të Kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri u përurua sot, Zyra e shërbimeve unike në Drejtorinë e Policisë së Vlorës.

Zyra e Shërbimit Unik mundëson grupimin e të gjitha shërbimeve që jep Policia e Shtetit në një pikë kontakti të vetme, standardizon marrëdhënien e qytetarit me Policinë, modernizon shërbimet dhe shmang praktikat korruptive.

Ministri i Brendshëm Tahiri theksoi se këto zyra ndihmojnë për të shembur perceptimin e derisotëm ndaj Policisë së Shtetit si një instrument i mbyllur, i bunkerizuar, i paarritshëm ose vështirësisht i arritshëm për qytetarët.

Kjo është zyra e dytë e këtij lloji, pas Zyrës në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, që pritet të shtrihen në të gjitha drejtoritë e Policisë së Shtetit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat