Përkujtohen heronjtë e kombit

Shqipëria

Përkujtohen heronjtë e kombit

Më: 28 nëntor 2014 Në ora: 13:22

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, njëherësh kryetar i PD LulzimBasha, ish Kryeministri Sali Berisha, deputetë, drejtues të pushtetit vendor, të qarkut, veteranëetj janë përulur sot me nderim dhe mirënjohje përpara të rënëve për lirinë dhe demokracinë e Shqipërisë.

Kurora me lule janë vendosur pranë monumentit “Nënë Shqipëri”. Personalitetetë larta kanë bërë sot homazhe dhe në nderim të viktimave të komunizmit. Ata vendosën kurora me lule pranë memorialit që përkujton 22 intelektualët shqiptarë të ekzekutuar nga regjimi komunist, me pretekstin se në 21 shkurt 1951 kishin shpërthyer një bombë në ambasadën sovjetike në Tiranë.Ata u ekzekutuan në mesnatë, në afërsi të urës së Beshirit, 15 km larg Tiranës, të lidhur dorë për dorë me zinxhir dhe u varrosën në një gropë të përbashkët.

Ne fjalën e tij pas homazheve, kryetari i PD LulzimBasha theksoi se është detyrim që idealin e lirisë për të cilin dhanë jetën kaq shumë shqiptarë, mos t’ia sakrifikojmë kurrë axhendave të ngushta politike, rreziqeve të reja apo të vjetra që shfaqen e rishfaqen në paketime të ndryshme.

“Të vetëdijshëm për çmimin e lartë, ndër më të lartët që kemi paguar për lirinë tonë si shtet, për lirinë tonë kombëtare, përmes luftërave të fundit çlirimtare në Europë, siç ishte lufta për pavarësinë dhe lirinë e Kosovës, siç ishte lufta për të drejtat e barabarta të shqiptarëve në Luginën e Preshevës apo në Maqedoni kemi përgjegjësinë e madhe që idealin e lirisë për të cilin kemi sakrifikuar kaq shumë, mos t’ia sakrifikojmë kurrë axhendave të ngushta politike, rreziqeve të reja apo të vjetra që shfaqen e rishfaqen në paketime të ndryshme por të luftojmë fort e pa kompromis për të thelluar sa më shumë dimensionin e lirisë, lirisë së individit, lirisë së fjalës, lirisë së besimit, lirisë së zgjedhjes, lirisë së sipërmarrjes” - deklaroi z. Basha .

Nderim dhe mirënjohje u është rezervuar sot edhe heronjve të kombit që luftuan për lirinë e Kosovës dhe trojeve të tjera shqiptare. Homazhe janë zhvilluar pranë shtatores së komandantit legjendar Adem Jashari në 59 vjetorin e lindjes. Zoti Basha theksoi se 28 nëntorët e Shqipërisë demokratike nuk do të ishin njësoj pa lirinë e Kosovës.

“28 nëntori është një ditë e madhe historike por është po kështu një ditë kujtese për një ndër heronjtë tanë kombëtarë që na mbush zemrat me krenari e mirënjohje të thellë për veprën e tij, komandantin legjendar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari i cili lindi në 28 nëntor. Kjo simbolikë nuk është e rastësishme. 28 nëntori i pavarësisë së Shqipërisë, 28 nëntori i çlirimit të atdheut, 28 nëntorët e Shqipërisë demokratike nuk do të ishin njësoj pa lirinë e Kosovës, pa pavarësinë e saj, pa dhënien fund të padrejtësisë shekullore të ndarjes, copëtimit dhe robërimit të kombit shqiptar e bash për këtë arsye sot, kremtimi i 28 nëntorit edhe si ditëlindje e komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka domethënien e madhe se Shqipërisë e shqiptarëve, Kosovës e trojeve tona kudo nuk i kanë munguar e as nuk do i mungojnë kurrë bijtë e bijat të cilët janë gati të japin gjithçka për pavarësinë, për lirinë e fituar dhe për të zmbrapsur çdo kërcënim ndaj kësaj lirie si dhe për të çuar deri në fund, për të plotësuar pa asnjë rezervë amanetin e një kombi të bashkuar nën idealin e rilindësve, nën flamurin e Skënderbeut, nën normat dhe standardet e BE.” - deklaroi zoti Basha.

Zoti Basha ka vizituar sot familjet e dëshmorëve Akil Sakiqi, Bardhyl Salillari dhe heroit të demokracisë, AzemHajdarit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat