BE përgëzon ligjin e KLSH-së: Mbështetje për buxhetin

Shqipëria

BE përgëzon ligjin e KLSH-së: Mbështetje për buxhetin

Më: 28 nëntor 2014 Në ora: 13:14

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë përshëndeti vendimin mbi Ligjin për Kontrollin e Lartë të Shtetit, i cili u miratua në seancën e djeshme parlamentare. Delegacioni i BE-së përgëzon Parlamentin shqiptar për votimin e projektligjit.

“Ai është jo vetëm një hap i madh përpara lidhur me përpjekjet e Shqipërisë për reformuar auditin e jashtëm të fondeve publike, por gjithashtu i lehtëson rrugën Programit të BE-së për Mbështetjen e Buxhetit për Menaxhimin e Financave Publike. Ministria e Financave e Shqipërisë ka hartuar një Strategji për menaxhimin e Financave Publike që pasi të miratohet para fundit të vitit do të shërbejë si bazë për Programin e BE-së për mbështetjen e Buxhetit. Një nga kushtet kyçe për dhënien e fondeve të BE-së ishte që, Shqipëria të miratonte një ligj të rishikuar mbi Kontrollin e Lartë të Shtetit në përputhje me standardet ndërkombëtare për institucionet e larta të auditit. Ky kusht u plotësua me vendimin e djeshëm të Parlamentit”, thuhet në deklaratën e delegacionit të BE-së.

Sipas këtij delegacioni programi i BE-së mbi Mbështetjen e Sektorit të Buxhetit për reformën Menaxhimit të Financave Publike në Shqipëri, i pari në llojin e vet për rajonin e Ballkanit Perëndimor, aktualisht po finalizohet në Bruksel. Pasi të miratohet, ai do të sigurojë 40 milionë euro gjatë tre vjetëve për përpjekjet e reformave në Shqipëri.

Programi për Mbështetjen e Sektorit të Buxhetit është pjesë e Instrumentit më të gjerë për Asistencë para Anëtarësimit (IPA), që për vitin 2014 arrin në 67 milionë euro. Shqipëria do të marrë një shumë prej 650 milionë euro në gjashtë vitet në vijim, si pjesë e ndihmës financiare të BE-së për periudhën 2014-2020, mbështetje e cila do ta ndihmojë vendin në çuarjen përpara të reformave, lehtësimin e investimeve që lidhen me procesin e anëtarësimit dhe do të ndihmojë në zhvillimin social-ekonomik të Shqipërisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat