Përurohet zyra e shërbimeve në Vlorë, Rama: Po rrisim kontaktet qytetar – qeveri kundër korrupsionit

Shqipëria

Përurohet zyra e shërbimeve në Vlorë, Rama: Po rrisim kontaktet qytetar – qeveri kundër korrupsionit

Më: 28 nëntor 2014 Në ora: 12:27

Kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri morën pjesë në përurimin e zyrave të shërbimeve unike në Drejtorinë e Policisë së Vlorës.

Në fjalimin e tij kryeministri Rama tha çelja e dyerve të strukturave të transformuara tregon se kjo është një ditë e mirë për Policinë e Shtetit.

“Momenti i parë i kontaktit të policisë me qytetarin është momenti që e bën qytetarin të ndihet i respektuar”, tha kryeministri.

Kreu i qeverisë tha se do të bëjmë çmos që të zhdukim burokracitë sfilitëse për qytetarët nëpër zyrat ku ata shkojnë të marrin informacion apo dokumentacion.

“Ministri i Brendshëm ka ndërmarrë një betejë jashtëzakonisht të vështirë në disa plane. Një nga këto plane është edhe modernizimi i komunikimi dhe shërbimit policor, që do të ofrohet në një sportel të vetëm të çdo zyre policie në çdo qytet...Kjo do të shmangë rrugën sfilitëse të burokracisë dhe ka një afat standard për çdo procedurë. Nga 2 deri në 3 ditë për marrjen e një vërtetimi dhe deri në 60 ditë për licencat”, tha Rama.

Më tej ai njoftoi edhe hapjen e një shërbimi të ri, të quajtur kutia online, e cila sipas kryeministrit do të jetë në faqen zyrtare të Kryeministrisë dhe në çdo faqe të ministrave.

“Kutia e shërbimeve online në faqen zyrtare të Kryeministrisë dhe në faqet zyrtare të çdo ministrie do të jetë mundësia që çdo qytetar i këtij vendi të ankohet drejtpërdrejtë...Ne e dimë shumë mirë që korrupsioni ka çdo pamje, por pamja e tij e fshehtë qëndron edhe në vonesën e marrjes së shërbimit. Po ne kemi tashmë një program bashkëpunimi mes qeverisë dhe qytetarit për të fshirë çdo lloj pengese”, tha Rama.

Ndërsa ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, në fjalën e tij theksoi se përmes këtyre zyrave krijohet mundësia për të grupuar të gjitha shërbimet e Policisë së Shtetit në një pikë, për të garantuar shërbim në kohë, shërbim me cilësi, luftë ndaj korrupsionit.

“Ne jemi fort të bindur që duhet të bëjmë shumë dhe kemi ende shumë rrugë përpara për të ndryshuar perceptimin e qytetarëve për Policinë e Shtetit”- tha ministri Tahiri, ndërsa kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve me forcat e rendit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat