Nishani: Opozita duhet të kthehet në Parlament, bojkoti është i dëmshëm

Shqipëria

Nishani: Opozita duhet të kthehet në Parlament, bojkoti është i dëmshëm

Më: 28 nëntor 2014 Në ora: 11:56

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani mendon se opozita duhet të kthehet në Kuvend pasi kjo nuk është e shëndetshme për të.
Këtë deklaratë ai e ka bërë në emisionin ‘Top Story’, në Top Channel. “Deputetët duhet të jenë në Parlament, pasi kjo nuk është e shëndetshme për opozitën. Është vlerë e padiskutueshme e demokracisë që Parlamenti është vendi për të bërë debate. Maxhoranca ka më tepër shanse që të realizojë ato projekte politike që ajo mendon se janë më të mira, por nga ana tjetër opozita nuk është atje për shkak të vullnetit të maxhorancës, por për atë grup qytetarësh që e kanë votuar.

Do ishte pjekuri e dëshiruar që të shihnim një bashkëpunim më të sinqertë mes maxhorancës dhe opozitës. E kam thënë gjithmonë se bojkoti është i dëmshëm. Forcat kryesore të një shteti duhet të bashkëpunojnë dhe të bëjnë dialog mes tyre. Në parlament duhet të ketë hapësira për të gjithë dhe për gjithçka”,-tha Presidenti.

Gjithashtu ai foli edhe për rishkrimin e historisë për kohën e diktaturës, duke thënë se ajo duhet të bëhet nga historianët. “ Konkluzionet për rishkrimin e historisë u përkasin historianëve dhe procesin duhet ta udhëheqin ata, të bazuar në analiza dhe fakte. Figura e Enver Hoxhës nuk mund të përjashtohet nga historia, por duhet shkruar ashtu siç është në të vërtetë, një diktator i egër që u ka sjellë të këqija shqiptarëve, pasojat e të cilës po i ndjejmë edhe sot.

Bunkeri i bërë publik disa ditë më parë, nuk është një memorie e krimit të komunizmit. Ne kemi nevojë të memorizojmë dëmet e pasojat e komunizmit, duhet të shkojmë në kampet e përqendrimit, të Spaçit, Gradishtës e të tjerë”,- theksoi Presidenti i Republikës.

Shfaqjet e fotografive të Enver Hoxhës në publik, ai e ka cilësuar si akt provokues, duke kërkuar miratimin e një ligji që e ndalon atë. “ Fotografia e diktatorit nuk duhet të shfaqet nëpër evenimente nga nostalgjikë, të cilët janë të vegjël në numër. Kur bëhet fjalë për angazhime shtetërore dhe institucionale, drejtuesit e shtetit kanë për detyrë të respektojnë ndjesitë e qytetarëve të prekur nga diktatura. Ka pasur njerëz që janë vrarë në atë kohë pa kryer asnjë krim, janë internuar në kampet e tmerrshme të përqendrimit. Nuk duhet të mbetemi peng e të shkuarës, por edhe nuk duhet ta harrojmë atë. Kuvendi duhet të miratojë një ligj, që të ndalojë shfaqjen e fotove dhe simbolikave të diktaturës, në vendet publike”,- kërkoi Nishani.

Edhe një herë ai mbështeti ligjin e lustracionit, duke thënë se Shqipëria ka nevojë për zbardhjen e të vërtetës.

“Duhet me çdo kusht që Shqipëria të shkojë drejt ligjit të lustracionit. Kam kërkuar vazhdimisht që të gjenden burimet e pasurive të shqiptarëve, që u vunë në kohën e diktaturës dhe ligji i lustracionit mund të shërbejë për hetimin e aseteve të shqiptarëve. Ligji nuk do ketë sens dënimin, por qetësim të shpirtrave të shqiptarëve. Hapja e dosjeve nuk do të sillte tensione sociale”,-argumentoi Presidenti. Në lidhje me kërkesat e opozitës që kërkon përjashtimin e disa deputetëve të inkriminuar, Nishnai tha se çështja e kualitetit të Parlamenti është diçka serioze dhe ndaj kësaj partitë politike duhet të tregojnë kujdes.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat