KESH-i merr borxh 112 milionë euro

Shqipëria

KESH-i merr borxh 112 milionë euro

Më: 28 nëntor 2014 Në ora: 10:42

BERZH i jep borxh qeverisë shqiptare 112 milionë euro për të përmirësuar sektorin e energjisë elektrike. Reformat që lakohen në media, përveç mbështetjes nga Banka Botërore me 150 milionë dollarë do të mbështeten edhe me 112 milionë euro nga BERZH. Huaja prej 112 milionë eurosh, e akorduar nga Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, jepet me afat maturimi prej 22.5 vjet, nga të cilat 7 vjet pa pagesë principali. Interesi dhe Norma e referencës plus marzhin e pandryshueshëm e ka 0.75 për qind. Objektivi kryesor i projektit është rritja e sigurisë së furnizimit të konsumatorit me energji elektrike nëpërmjet burimeve të gjeneruar dhe forcimit të integrimit rajonal. Ky borxh do të përdoret për përmirësimin me efikasitet të sistemit të shpërndarjes së energjisë nëpërmjet zvogëlimit të humbjeve në rrjet dhe përmirësimit të sistemit të mbledhjes të të ardhurave. Në fokus do të jetë edhe përmirësimi i tregut të energjisë elektrike, si dhe prezantimi i reformave në sektorin e energjisë për krijimin e një tregu konkurrues, reforma të cilat do të ndihmojnë në thithjen e investimeve private dhe reduktimin e rreziqeve fiskale për qeverinë.

Katër komponentët e projektit

Komponenti 1: “Mbështetje afatshkurtër plotësuese për importin e energjisë”. Ky komponent do të mbështetë Koorporatën Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) për një kohë të shkurtër në plotësimin e nevojave për importimin e energjisë me qëllim përmbushjen e detyrimeve të KESH-it si furnizuesi publik me pakicë në furnizimin me energji elektrike. Objektivi kryesor i kësaj mbështetjeje do të jetë: në terma afatshkurtër, sigurimi i niveleve të përshtatshme në kaskadat e lumit Drin për dimrin e ardhshëm.

Komponenti 2: “Përmirësimi i infrastrukturës të shpërndarjes”. Ky komponent do të mbështetë planin e qeverisë shqiptare dhe Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) për të zvogëluar humbjet në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike, si dhe përmirësimin e sistemit të mbledhjes të të ardhurave.

Komponenti 3: “Përmirësimi i matjes së transmetimit dhe qendrës të të dhënave”. Ky komponent do të mbështetë Operatorin e Sistemit të Transmetimit, sh.a., (OST) në sigurimin e matjes së energjisë dhe përmirësimin e qendrës të të dhënave, furnizimin dhe instalimin e një sistemi IT në qendrën e të dhënave si dhe ofrimin e asistencës teknike.

Komponenti 4: “Mbështetja e reformave në sektorin energjetik dhe zbatimi i projektit”. Ky komponent do të mbështetë me përparësi reformat në sektorin e energjisë për të lehtësuar rimëkëmbjen e sektorit të energjisë, për të përmirësuar menaxhimin e shoqërisë së shpërndarjes nëpërmjet sigurimit të shërbimeve teknike këshilluese.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat