Materniteti dhe spitali i Sarandës, vende ideale për të vdekur

Shqipëria

Materniteti dhe spitali i Sarandës, vende ideale për të vdekur

Më: 28 nëntor 2014 Në ora: 10:39

Qyteti i Sarandës dhe zonat përreth tij, Delvinë, Bregdet, Konispol dhe fshatrat e Vurgut në minoritet, prej vitesh kanë marrë shërbim spitalor dhe ndihmë shëndetesore nga dy institucione të një rendësie të vecantë në këtë qytet, Spitalin “Petro Nako” dhe maternitetin “Kristo Kalivopulli”. Historiku i dy spitaleve është i ndryshëm pasi Materniteti i Sarandës u ndërtua në kohën e Italisë Fashiste të Benito Mussolinit dhe asokohe Saranda quhej “Porto Eda” për nder të vajzës së Musolinit, ndërsa godina e spitalit u ndertua në fillim të viteve ‘70. Gjendja e maternitetit të Sarandës prej vitesh është skandaloze dhe në të prej vitesh, tashmë sic thonë dhe vete mjekët dhe mamitë e këtij materniteti, nuk lind asnjë nënë nga Saranda, por vetëm disa nëna apo vajza të zonave të thella të rrethit Sarandë dhe Delvinë, pasi ai vetëm maternitet nuk është. Sapo hyn në oborin e maternitetit të Sarandës, menjëherë të bie në sy godina e stilit fashist të periudhës Musoliniane, me kolona të gjera dhe ndarje me harqe, me tavane të varur gips apo elemente metalike, dhe hapesira të mëdha.

Godina tashmë nuk është funksionale për asgjë, as për magazine dhe as për haur, sic thonë dhe vete sarandiotët, pasi nga moment në moment pritet të bjerë në shesh dhe të ndodhë hataja. Përreth saj janë ndërtuar, duke marrë hapesirat e maternitetit, godina dy deri në disa katëshe, të paligjshme të ligjshme, të cilat janë shndërruar në bastore, mejhane dhe dyqane të ndryshme. E rrethuar rreth e për qark nga këto ndërtime ajo dallohet vetëm nga pjesa e pasme, zona lindore, nga ku është oborri i përgjysmuar dhe parkimi i saj. Sapo hyn në ambjentet e brendëshme përballesh me një pamje makabre të saj. Holli i madh, me një recepsion jo funksional, të jep përshtypjen e një klinike eksperimentale, sic mund ta kemi pare te filmi i frikshëm i kohës së komunizmit, “Rrethi i Kujtesës”, ndersa muret dhe tavanet jane te mbytur nga lagështira. Një prej mjekëve na shoqëron te dhoma e sterilizimit të maternitetit, ndersa tavani eshte i nxirë tërësisht nga rrjedhja e ujit. Infermieret dhe mamitë thonë se kanë frikë qe të pranojnë nëna për të lindur pasi godina është në orët e fundit të saj.
Edhe pse kanë një lindje në 15 ditë apo në javë, stafi u rekomandon nënave qe të shkojnë e të lindin në një maternitet tjetër pasi nuk mund të bëhen garante për to dhe per te porsalindurit. Gjatë ditëve me shi, personeli nuk merret me kujdesin e nënave dhe të sapolindurve, por me ndërrimin e kovave të ujit nëpër godinë. Personeli i bën thirrje autoriteteve qe të ndërhyjnë urgjent për të eliminuar katastrofën dhe për të normalizuar situatën në Maternitetin e Sarandës, pasi, sipas tyre, nese nuk nderhyhet ne kohe, transferimi në një ambjent tjetër është jetik për nënat dhe të sapolindurit e tyre.
Spitali “Petro Nako”
Spitali “Petro Nako” i qytetit edhe pse tashmë prej disa kohësh ka një urgjencë të re, me të gjitha standardet, nuk ka një godinë funksionale dhe normale për shërbime dhe trajtim të pacientëve dhe qyutetarëve të Sarandës apo te turistëve të shumte që vizitojnë qytetin. Sapo hyn në pavionet e spitalit, menjëherë të bie në sy gjëja më e rëndësishme që një spital duhet të ketë, reparti i Reaminacionit, qe eshte një domosdoshmëri për Spitalin e Sarandës. Ambjentet e brendëshme vijojnë të mbesin po ato të viteve ‘70, ndersa salla e vetme kirurgjikale, edhe pse mirëmbahet nga stafi spitalor, vijon të jetë e standarteve të asaj kohe. Në pavionin e kirurgjisë, edhe pse ka një rrjet të sistemit të oksigjenimit, ai nuk ka funksionuar asnjë herë. Në dhomën e sterilizimit të pavionit të Kirurgjisë, kjo aparaturë është plotësisht e dalë jashtë funksionit dhe e kalbur nga ndryshku, edhe pse vijon të jetë funksikonale. Lagështira dhe amortizimi i gjithckaje, me dritare, korridore, banja, dyer dhe ambjente mjekësh dhe pacientësh është e pranishme në cdo pavion dhe cdo cep të spitalit, edhe pse mjekët dhe specialistët e tij tashmë janë mësuar me këtë pamje prej 24 vitesh. Mjekë dhe infermierë të spitalit, edhe pse janë të vetedijshëm që kushtet e godinës dhe shërbimi ndaj pacientëve eshte si në botën e tretë, ngurojnë të ngrenë zërin për të bërë alarmante dhe publike situatën aktuale të spitalit ku punojnë dhe shërbejnë. “është folur shumë për spitalin tonë dhe kanë marrë përsipër të gjithë që kanë kaluar, si nga politika dhe jashtë saj, por situata është e njëjta dhe ne nuk kemi më besim”, shprehen disa prej tyre. Pavaresisht gjendjes, derjtori i Spitalit të Sarandës, Dr. Arjan Kalcuni shprehet optimist se qeveria shqiptare dhe Ministria e Shëndetësisë do të mbështesin Spitalin e Sarandës dhe do të bëjnë të mundur realizimin e dy projekteve për ndërtimin e maternitetit dhe rikonstruksionin e Spitalit.
Ndërtimi i maternitetit, një urgjencë
Arjan Kalcuni-Drejtor i spitalit
Drejtori i spitalit të Sarandës, dr. Arjan Kalcuni, gjatë një interviste për gazetën “Shekulli”, ka bërë pasqyrën e gjendjes së nderë të maternitetit dhe te spitalit të Sarandës. Ai i bëri thirrje ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqja dhe gjithë faktorëve që kanë ndikim në këtë dikaster që të bëjnë të mundur ndërhyrjen e mënjëhershme për të ndërtuar maternitetin e Sarandës, pasi godina e vjetër rrezikon të kthehet në një tragjedi njerezore.
Z. Kalcuni cila eshte gjendja dhe cfare nevojash ka spitali i Sarandësë
Nëse do të flasim për nevoja të Spitalit të Sarandës apo problematikat e saj, ato janë të shumëfishta. Janë problematika që janë mbartur me kohë si shkak i politikave jo të drejta për sektorin e shendetësisë në zonat periferike dhe këtë e vuan edhe spitali yne. Problematikat kanë të bëjnë me sektorin strukturor, burime njerëzore si dhe me ambjentet spitalore. Përpara dy muajve na është kërkuar nga Ministria e Shëndetësise që të paraqesim nevojat tona për mjekë specialiste. I është dërguar i gjithë bagazhi i nevojshëm ministrisë për plotësimin me mjekë dhe është programuar sivjet qe të hapet konkursi për mjekë specialiste. Të gjithë këta mjekë specialiste, që do të fillojnë kualifikimin sivjet do të kthehen në rrethet përkatëse për të filluar në profilin që specializohen.
Nëse këta mjekë specialiste të rinj, të cilët do të kualifikohen dhe nuk pranojnë përsëri të kthehen në qytete si Saranda, cfarë do të ndodhë me pasë
Kësaj radhe është marë shumë seriozisht kjo përzgjedhje, pasi kemi komunikuar direkt dhe me ministrin e Shëndetësise dhe na është premtuar se kjo gjë do të regullohet njëherë e përgjithmonë. Madje programimi i kurseve për të nxjerë mjekë specialiste për spitalet periferike tashmë do të bëhet cdo vit, që të plotësojmë stafin cdo vit pasi kemi edhe mjekë që dalin në pension. është hera e parë që na kërkohet nga Ministria e Shëndetësisë qe të dërgojmë profilet dhe nevojat për mjekë specialiste. Gjithë kjo gamë mjekësh specialiste që do të kualifikohen në këtë kurs nuk do të mund të punësohen të gjithë në Tiranë se është e pamundur qe të bëhet dhe janë të detyruar të shkojnë në rrethe. E dyta, nëse nuk do të dëshirojnë të shkojnë do të penalizohen, nuk do të licensohen si mjeke. Nëse një kirurg do të specializohet për të ardhur dhe punuar në Sarandë ai nuk do të mund të punojë në një spital tjetër qoftë edhe privat, sepse nuk do të pajiset me licensë, dhe për këtë kemi marrë garanci të plota. Do të bëhet sepse “nuk mban më ujë pilafi” për spitalet periferike.
Ku duhet investuar menjëherë në Spitalin e Sarandësë
Nevoja e parë dhe më urgjente është materniteti. është folur shumë nga të gjithë faktorët nga ne mjekët, nga media, nga deputeti yne Koco Kokedhima, madje dhe në Ministri është bërë shumë prezent ky problem. Vete ministri njihet me këtë problematikë pasi ka qënë tre ditë gjatë muajit gusht në Sarandë dhe e ka parë nga afër gjendjen. Kemi gjetur mirëkuptim me ministrin se mund të na alokojnë ndonjë fond për rehabilitimin e spitalit të Sarandës dhe për ndërtimin e një materniteti të ri. Drejtoria e Spitalit Sarandë disponon qe të dyja projektet. Njëri është projekti shumë ambicioz dhe bashkëkohor që kap vlerën e 2.2 milionë dollareve. Për maternitetin e ri është bërë preventive, ka përfunduar projekti dhe jemi në fazën e lejes së ndërtimit dhe të alokimit të një fondi fillestar. Na është premtuar 30% e shumës së projektit, për të nisur ndërtimin e maternitetit në ambientet e Spitalit Sarandë.
Ku duhet të ndërhyjë Ministria e Shëndetësisëë
Urgjente është ndërtimi i maternitetit. Godina aktuale eshte tejet e amortizuar, e shkatërruar komplet. Tani që fillon stina e dimrit dhe tani që kanë filluar shirat e para, nëse ne do të kemi një ditë me shi dhe shkojmë aty, nuk pikon tavani, por rrjedh si cezmë, është rrëke dhe kjo është e papranueshme. Aty ky lind jeta e një njeriu, aty ku lulëzon jeta e një qenieje, të kesh këto kushte është e tmershme. Unë kam ngritur një ekip ekspertësh me inxhiniere dhe drejtues të drejtorisë tonë, të cilët kanë shkuar dhe kanë bërë verifikimet dhe konstatimet e gjendjes në maternitet dhe konstatuam se dhoma e fëmijeve, aty ku rrinë neonatët, rrezikohet që këto ditë të bjerë tavani, sepse është me gips. Unë po marr disa masa emergjente për të bërë hidroizolimin urgjent të paktën për dhomën e femijëve të sapolindur, garantuam fondet dhe do të fillojmë shumë shpejt hidroizolimin. Por kjo nuk është zgjidhje, kjo është të gënjejmë veten. Zgjidhja është, dhe është emergjencë, i bëj thirrje nëpërmjet medias, opinionit publik, Ministrisë së Shëndetësisë, i bëj thirrje të gjithë aktorëve që kanë ndikim në Ministrinë e Shëndetësisë duke filluar që nga deputeti i zonës z. Koco Kokëdhima, të cilin e përgëzojë edhe një herë dhe e falenderojme për angazhimin dhe kontributin që jep për të realizuar këtë projekt që Saranda e ka të domosdoshëm.
Ndihma e bankës
Me sigurimin e disa fondeve nga Raiffissen Bank po behet riparimi total i spitalit. Duke filluar me riparimin e suvave të rena në ambjentet e brendëshme dhe jashtme, mureve të rrëzuara, portave të prishura, më pas lyerja e spitalit në ambjentet e brendëshme i të gjitha dhomave dhe korridoreve.
Rikthehet lulishtja
Spitali po harton projektin për gjithë ambjentet e jashtme të Spitalit si lulishte, parkim dhe ambjente shlodhëse. Do të rinovohet plotësisht lulishtja e Spitalit, e cila është e vetmja që i ka mbetur qytetit, duke e rinovuar me lule të shumëllojshme, me ambjente shplodhëse, me shkallë dhe me mure të vogla.
Ndriçimi me LED
Spitali po aplikon per dy projekte që janë Projektet Ndërkufitare me BEnë. Një prej projekteve quhet ‘Energy” që do të bëjë të mundur tërësisht ndricimin e spitalit me një teknologji të re e cila quhet “Led” dhe është një teknologji që shërben për të kursyer 45% të energjisë.
Harta e Alcaimerit
Spitali ka edhe një projekt tjetër që nuk ka të bëjë me infrastrukturën ka të bëjë me anën mjeksore, që quhet “AlScare”, ka të bëjë me sëmundjen e Alcaimerit. Me aplikimin e këtij projekti në rrethin e Sarandës do të bëhet e mundur ndërtimi i hartës së sëmundshmërisë në pjesën Jugore të Shqipërisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat