Festat e Nëntorit, Nishani dhe Basha axhendë vetëm për 28-n

Shqipëria

Festat e Nëntorit, Nishani dhe Basha axhendë vetëm për 28-n

Më: 28 nëntor 2014 Në ora: 09:25

Me rastin e 102 vjetorit të Pavarësisë dhe përvjetorit të 70-të jubilar të Çlirimit, Shqipëria “vishet” kuqezi, por ndasia politike mbi datën e çlirimit ende vazhdon të zërë vend mes institucioneve të rëndësishme shtetërore dhe partive politike. Muaji nëntor, apo nëntori i festave siç njihet ndryshe në vendin tonë për shkak të festave kombëtarë që përkojnë me Pavarësinë dhe Çlirimin e Atdheut, është i mbushur me aktivitete të shumta të programuara nga qeveria, presidenca dhe nga autoritetet vendore. Atmosfera e festave nisi ditë më parë me dekorimin e shesheve të qyteteve në mbarë vendin. Fryma patriotike e shqiptarëve tashmë e njohur, shihet edhe në ngritjen e flamujve në çdo dritare dhe ballkon. Në kuadër të festimeve për 70-vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë priten të zhvillohen ekspozita të ndryshme. Do të mbahet Festivali i Dritave. Më pas vijon pritja në Pallatin e Kongreseve me rastin e 70 vjetorit të Çlirimit dhe më pas festimet do të kulmojnë me koncertin e madh në sheshin “Nënë Tereza”, ku pritet të performojë këngëtarja britanike Jessie J. Ndonëse ligji i njeh të dyja ditët si festa kombëtare, datën 28, por edhe atë 29, kreu i shtetit Bujar Nishani duket se ka shkelur protokollin, duke parashikuar axhendë vetëm për datën 28 Nëntor. Po ashtu dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha vijon “traditën” e nisur nga Partia Demokratike për të njohur vetëm datën 28 Nëntor, duke bërë që kreu i shtetit dhe Partia Demokratike të shkojnë në sinkron. Ky fakt vihet re edhe në axhendën e nxjerrë nga presidenca dhe Bashkia e Tiranës. Ndërkohë që axhenda e qeverisë ka parashikuar aktivitete si për 28- ën edhe për 29-ën, kreu i shtetit të gjithë aktivitetin e tij e ka përmbledhur vetëm në datën 28 nëntor. Instancat më të larta shtetërore sot, sipas traditës “transferohen” në kryeqytetin e flamurit, në Vlorë. Edhe pse është festë kombëtarë sërish krerët e politikës festojnë në vende të ndryshme. Mazhoranca me në krye, kryeministrin Rama, sipas axhendës, rreth orës 10 të mëngjesit do të “dislokohet” në monumentin e Pavarësisë në Vlorë, për vendosjen e kurorave me lule ndërsa kreu i shtetit, Bujar Nishani po në këtë orë, merr pjesë në ceremoninë simbolike të ngritjes së Flamurit. Aktiviteti i Presidentit Nishani do të vazhdojë ditën e sotme në Krujë. Në ambientet e muzeut “Gjergj Kastriot Skënderbeu” të Krujës Nishani do të mbajë Kuvendin me temë “Historia i flet së ardhmes”. Në mbrëmje rreth orës 18:30 kreu i shtetit, Nishani do të zhvillojë një ceremoni dekorimi në Pallatin e Brigadave, për disa nga figurat më të shquara të vendit tonë. Aktiviteti i Nishanit mbyllet me pritjen në ndër të Festës së Pavarësisë në ambientet e Hotel Sheraton. Ceremonia pritet të fillojë rreth orës 19:30.

Aktivitetet e qeverisë për ditën e Çlirimit

Aktivitet e qeverisë për 70 vjetorin jubilar të Çlirimit nisin në orën 10:00 me ceremoninë e vendosjes së kurorave në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Rreth orës 11:30 mazhoranca ka programuar mbajtjen e një Parade ushtarake në Ministrinë e Mbrojtjes. Aktivitetet për 70 vjetorin e Çlirimit do të vijojnë me ekspozitën, Ekspo “Këndvështrime”, e cila do të mbahet në Hollin Protokollar të Kryeministrisë. Kremtimet do të vijojnë me Festivalin e Dritave ndërsa në orën 19:30 do të jetë pritja në Pallatin e Kongreseve me rastin e 70 vjetorit të Çlirimit. Festimet e së shtunës do të mbyllen në orët e para të mëngjesit. Koncerti për Natën e Bardhë do të mbushë sheshin “Nënë Tereza”. Ky koncert pritet të fillojë rreth orës 22:00, ndërsa skena pritet të ndizet nga një prej zërave të momentit të muzikës britanike. Këngëtarja Jessie J do të jetë e ftuara speciale për këtë festë.

Ashtu si Presidenti Nishani edhe Bashkia e Tiranës nuk e njeh datën 29 nëntor si festën e Çlirimit. Basha ka bërë publike axhendën e aktiviteteve për festat e Nëntorit ndërsa bien në sy aktivitete që u zhvilluan ditën e djeshme dhe ato që do të vazhdojnë sot. Për datën 29 Bashkia e Tiranës nuk ka planifikuar asnjë aktivitet. Bashkia e filloi aktivitetin e saj prej orës 18:00 të ditës së djeshme, më një homazh për viktimat e komunizmit të ilustruara me pamje filmike dhe video dhe do të vazhdojnë gjatë gjithë ditës së sotme. Gjatë ditës së sotme Bashkia e Tiranës do të zhvillojë homazhe në Varrezat e Dëshmorëve, më pas rreth orës 11.00, do të ketë homazhe pranë shtatores së Adem Jasharit. Nga ora 11.00 deri 13.00 është programuar Kupa “Pavarësia” në danse – aerobi. Homazhet pranë shtatores të Ismail Qemalit do të zhvillohen rreth orës 16:00. Në universitetin e Arteve, do të mbahet koncerti i Filarmonisë së Tiranës me vepra nga kompozitorët më të mirë shqiptarë, si Prenk Jakova, Çesk Zadeja, Feim Ibrahimi, Kujtim Laro, Avni Mula, Hajg Zaharian, si dhe nga solistët, Ramë Lahaj, Eva Golemi, Maria Prifti, Gjylie Pelingu, nën drejtimin e Petrika Afezollit. Aktivitet do të mbyllen me shfaqjen “Ata hyjnë pa trokitur”, dramë shqiptare në kujtim të jetëve të sakrifikuara në ferrin komunist, hyrja do të jetë falas.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat