Kosova feston Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, në përvjetorin e demonstratve të vitit 1968

Shqipëria

Kosova feston Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, në përvjetorin e demonstratve të vitit 1968

Më: 27 nëntor 2014 Në ora: 22:57

Flamujt e festës vetëm kuqezi janë ngritur sot në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, për 28 Nëntorin e 102 vjetori të Pavarësisë së Shqipërisë. Pjesë e atmosferës festive janë më shumë se 100 kompani shqiptare nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia në panairin “Blej Shqip”, organizuar nga Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Sipërmarrjes të Republikës së Shqipërisë. “Hapja zyrtare do të bëhet nesër me ardhjen e ministrit shqiptar Arben Ahmetaj”, thanë zyrtarët e komunës së Prishtinës, derisa me ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi vizitonin përgatitjet e fillimit të Panairit në sheshet kryesore të Prishtinës dhe flistin për të gjitha mundësitë “për të prodhuar, blejerë e shkëmbyer shqip”, si dhe për idenë që panairi që u bë për herë të parë pjesë e kalendarit institucional të bëhet tradicional, i përvitshëm.

Në festimet e Ditës së Flamurit e të Pavarësisë së Shqipërisë, pjesë e panairit janë edhe një tryezë me prodhuesit shqiptarë dhe programet artistike, përfshirë koncertet, në sheshet e Prishtinës.

Veprimtaritë e 28 Nëntorit në gjithë Kosovën do jenë edhe më të shumta nesër, edhe me defilime rrugëve dhe shesheve të njerëzve në festë, me këngë e valle, me oshtima daullesh si në dasma. Në qytetin më të madh veror të Kosovës, Mitrovicë, sonte mbahet një koncert i përgatitur enkas për festën e Pavarësisë së Shqipërisë, si edhe në qytete të tjera.

Në Prishtinë, në Muzeun Shtetëror të Kosovës tashmë janë bërë edhe përgatitjet përfundimtare për hapjen nesër të ekspozitës, ku me mbi 100 artefakte do prezantohet qëndresa heroike e Familjes Jashari për liri dhe pavarësi.

“Qëndresa heroike e Jasharëve për liri, rast unik në historinë botërore”, është ekspozita e autorit Sadik Krasniqi, i cili është shprehur se, “tre breza të familjes janë sakrifikuar në epopenë e marsit 1998”.

Në ftesën për ekspozitën theksohet se “ky eveniment bëhet me rastin e Festave Kombëtare të Nëntorit, që koinçidon me datëlindjen e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe daljen publike të UÇK-së në skenë”.

Në ekspozitën që do jetë jetë e hapur deri në fund të vitit do të prezantohen dëshmi që janë një pasuri e rëndësishme e kombit shqiptar, eksponate tredimensionale, fotografi, dokumente, harta, shtypi i kohës dhe xhirime filmike.

Në 5, 6 e 7 mars 1998, në Epopenë e Prekazit, në mbojtje të pragut të shtëpisë dhe Kosovës, në luftën për liri dhe pavarësi, ranë heroikisht 56 anëtarë të Familjes Jashari, 20 prej tyre të Familjes së ngushtë të Komandantit Legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, në përballje me sulmin e egër të forcave serbe të kasapit të Ballkanit, Millosheviç, i cili ka përfunduar në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë.

Në Prekaz shumë njerëz nga të gjitha hapësirat shqiptare do shkojnë e nderojnë edhe në ditën e festës së gjithë kombit.

Edhe si Ditë e Pavarësisë së Shqipërisë edhe si Ditë e Flamurit, 28 Nëntori festohet tradicionalisht në Kosovë, festohej edhe kur ishte e ndaluar dhe komunikimet si komb ishin shumë të vështira dhe me rreziqe, me sakrifica, me kufirin e hekurt që ndante.

Në ato rrethana, shqiptarët në Kosovë e në viset tjera nën ish-Jugosllavi në kërkim të të drejtave kombëtare në prag të 28 nëntorit 1968 u ngritën në demonstrata të fuqishme gjithëpopullore.

Demonstrata më e madhe ishte ajo e Prishtinës e filluar në orët e pasditës së 27 nëntorit dhe zgjati deri në orët e para të Ditës së Flamurit dhe të Pavarësisë së Shqipërisë, me kërkesat për Kosovën Republikë, Kushtetutë, Universitet, që askush të mos luajë me fatin e shqiptarëve kosovarë, e të tjera.

Me demonstratat shqiptare, viti 1968 paralajmëronte kthesë historike në Kosovë. Kryeministri kosovar Hashim Thaçi sot është shprehur se, “tani që kanë kaluar 46 vite nga demonstratat gjithëpopullore të vitit 1968 nderojmë me respekt e mirënjohje organizatorët dhe pjesëmarrësit e tyre për guximin e madh dhe idealizmin e lartë që kanë treguar”.

“Në këto demonstrata për herë të parë u paraqitën kërkesat legjitime për Kosovën Republikë, për hapjen e universitetit të Prishtinës si dhe për përdorimin e simboleve kombëtare. Ato rritën vetëdijen kombëtare dhe aktualizuan çështjen e shqiptarëve brenda dhe jashtë Jugosllavisë duke nxitur edhe reformën kushtetuese të vitit 1974. Pas këtij viti përpjekjet e shqiptarëve për të siguruar të drejtat e tyre nuk rreshtën më kurrë derisa u rrumbullakësuan me shpalljen e pavarsisë së Kosovës”, theksoi Thaçi.

Njohësit dhe kronistët e zhvillimeve në Kosovë kanë vlerësuar se, më 1968 filloi ndërkombëtarizimi i çështjes shqiptare në Jugosllavi, me jehonën që paten në botë demonstratat. Shtypi i huaj i dha hapësirë të konsiderueshme ngjarjeve, duke u marrë objektivisht me karakterin thelbësor të tyre, të cilat quheshin shpesh kryengritje shqiptare, ndërsa ishin të ndikuara edhe lëvizjet studentore të Evropës.

Në demonstratën në Prishtinë pati një të ri demonstrues të vrarë, ra nxënësi Murat Mehmeti, u plagosën shumë demonstrues, u dënuan mbi 100 veta.

Në Prishtinë, marshi i fillimtarëve të demonstrates (ndër të cilët ishte edhe korrespondetnti juaj – i ATSH, atëherë nxënës i Shkollës Normale), nisi nga Fakulteti Filozofik (tash Filologjik) dhe në mbrëmjen e 27 nëntorit 1968 mbushi rrugët dhe sheshet e kryeqytetit të Kosovës përplot demonstrues, shqiptarë që erdhën dhe u bashkuan nga të gjitha anët.

Historianët kanë shënuar se, pas demonstratave të organizuara më 6 tetor në Prizren, më 8 tetor në Suharekë dhe më 19 tetor në Pejë, më 27 nëntor 1968 rinia dhe populli shqiptar demonstruan në Prishtinë, Gjilan, Podujevë e Ferizaj dhe më 22 e 23 dhjetor në Tetovë. Parullat qendrore të këtyre demonstratave që nxorën në rrugë dhjetëra mijë qytetarë ishin: “Republikë-Kushtetutë”, “Vetëvendosje”, “Kosovë-Shqipni, jemi nji” etj.”./ATSH

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat