Përplasja/ Meta-Ramës në Kuvend: Unë dëgjoj vetëm Ruçin

Shqipëria

Përplasja/ Meta-Ramës në Kuvend: Unë dëgjoj vetëm Ruçin

Më: 27 nëntor 2014 Në ora: 16:01

Seanca parlamentare e 27 nëntorit ka nxjerrë në pah atë që flitej prej kohësh “në korridoret” e politikës dhe jo vetëm. Mes Kryeministrit Edi Rama dhe Kryetarit të Kuvendit Ilir Meta raportet janë në një pikë kritike. Krerët e dy partive më të mëdha të koalicionit që bëjnë qeverinë kanë nxjerrë edhe në publik përplasjet që prej kohësh “i bluajnë” mes tyre.

Shkak për këtë u bë fillimisht rrëzimi i amendamenteve të propozuara nga Petrit Vasili, në emër të grupit parlamentar të LSI-së për fasonët. Partia e Ilir Metës dhe ai vetë personalisht e kanë mbështetur publikisht këtë industri. Për gati dy vjet zyrtarë të lartë të LSI kanë marrë në mbrojtje kërkesat e biznesit fason. Një vit më parë pati një marrëveshje për ta mbështetur me fonde këtë biznes ndërsa për vitin që vjen ato do të jenë dyfish më pak.

Kjo “nuk është përtypur” mirë nga deputetët e LSI dhe kryetari Meta. Menjëherë në sallë ka nisur një debat mes deputetëve socialistë, Bashkim Fino dhe Erion Braçe. Ky i fundit kundërshtoi rritjen e numrit të mbikqyrësve të reformës administrativo-territoriale. Gjatë votimit Meta abstenoi ndërsa grupi i PS votoi “pro” Finos.

Kreu i grupit socialist Gramoz Ruçi i hodhi më shumë benzinë zjarrit kur tha se “votimi” nuk ishte në përputhje me ligjin dhe rregulloren. Në këtë pikë ka dashur të ndërhyjë kryeministri Edi Rama, por Meta nuk ka pranuar “këshilla” nga kryeministri i cili po i drejtohej pa ndezur mikrofonin.

“Zoti Rama, unë komunikimin zyrtar përsa i përket rregullores e kam me kryetarin e grupit parlamentar Gramoz Ruçi, - tha Meta pa e parë në sy kreun e qeverisë. Pas “sqarimit” të Metës, Rama ka kërkuar fjalën dhe me tone serioze ka propozuar një variant që sipas tij i kënaqte të gjitha palët.

Ky incident tregoi “marrëdhënien e ftohtë” mes dy krerëve të koalicionit, marrëdhenie e tensionuar që pak muaj më parë kur u përfol arrestimi i kryetarit të bashkisë së Lezhës Viktor Tusha, përfaqësues i LSI. Lapsi.al solli në atë kohë edhe debatet mes të dyve për këtë çështje. Arrestimet e të tjerë eksponentëve të LSI (drejtoresha e arsimit Lushnje) ka shtuar dyshimet brenda maxhorancës për një luftë të brenshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat