Marrëveshja me BE-në, Shqipëria grand 17.8 mln euro për 7 projekte

Shqipëria

Marrëveshja me BE-në, Shqipëria grand 17.8 mln euro për 7 projekte

Më: 27 nëntor 2014 Në ora: 15:12

Në ambientet e Ministrisë së Integrimit Evropian, u zhvillua sot ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes së financimit IPA 2013, me menaxhim të decentralizuar. Nëpërmjet kësaj marrëveshje vendit tonë do t'i akordohet në formë grandi një shumë totale prej 17,8 milion euro për realizimin e shtatë projekteve. Marrëveshja u firmos për palën shqiptare nga ana e ministres së Integrimit Evropian, Klajda Gjosha dhe për palën evropiane nga Yngve Engstroem, shefi i Operacioneve të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë.

Në fjalën e saj, ministrja Gjosha theksoi se marrëveshja me BE-në, është një tjetër hap konkret në fushën e integrimit, që tregon qartë se Shqipëria po i afrohet Evropës, duke ofruar siguri dhe eficiencë administrative.

“Ne sot konkretizojmë një sukses e një arritje të madhe për vendin, që dëshmon qartë besimin e Brukselit zyrtar te institucionet shqiptare. Projektet do të zbatohen në fusha ku Shqipëria ka vërtet nevojë për ndërhyrje dhe asistencë, ndaj për ne marrëveshja e sotme merr një rëndësi akoma edhe më të madhe ”, u shpreh ministrja Gjosha.

Gjosha falënderoi edhe njëherë Bashkimin Evropian dhe delegacionin e BE-së në Tiranë, për mbështetjen e dhënë në procesin e integrimit të Shqipërisë.

“Gjithashtu, dëshiroj që në emër të qeverisë shqiptare, garantoj se jemi të angazhuar që me përgjegjshmëri të konkretizojmë të gjitha reformat e nevojshme për procesin e integrimit evropian, duke marrë përsipër çdo përgjegjësi”, tha Gjosha.

Për herë të parë, këto projekte do të menaxhohen dhe zbatohen nga vetë strukturat shqiptare të ngritura për këtë qëllim. Më 25 mars 2014 Komisioni Evropian miratoi Vendimin C(2014) 1890, që i jep Shqipërisë kompetencat e menaxhimit për të realizuar zbatimin e decentralizuar të Programeve vjetore në kuadrin e komponentit IPA “Asistenca e Tranzicionit dhe Mbështetja Institucionale”. Me anë të këtij vendimi u konfirmua aftësia e institucioneve shqiptare për të menaxhuar fondet e dhëna nën këtë instrument, sipas procedurave përkatëse të kuadrit ligjor.

Projektet e financuara në kuadër të programit IPA 2013 me menaxhim të decentralizuar, janë hartuar në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Integrimit Evropian, delegacionin e Bashkimit Evropian në Tiranë dhe ministritë e linjës dhe do të kontribuojnë në plotësimin e standardeve të vendit tonë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Shtatë projektet e programit janë të grupuara në 5 sektorë:

• Drejtësia dhe Çështjet e Brendshme
• Bujqësia dhe Zhvillimi Rural
• Reforma në Administratën Publike
• Punësimi dhe përfshirja Sociale
• Transporti

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat