Mesazhe paqeje nga bunkeri që tentoi të zhdukte fenë

Shqipëria

Mesazhe paqeje nga bunkeri që tentoi të zhdukte fenë

Më: 27 nëntor 2014 Në ora: 13:19

“Diktatura nuk vrau dot shpirtin”, ishte ekspozita për turizmin fetar që mblodhi të pesë komunitetet fetare shqiptare në muzeun “Bunk’art”. Nga bunkeri që u ndërtua për t’u mbrojtur nga luftërat shfarosëse u përcollën mesazhe paqeje dhe harmonie fetare, të cilat u vlerësuan nga të gjithë si aseti më i çmuar i shqiptarëve. Ekspozita u organizua nën kujdesin e drejtoreshës së Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Julinda Dhame dhe kryetarit të Komitetit Shtetëror për Kultet, Ilir Hoxholli. Nën një muzikë dramatike, fillimisht u shfaq një film i shkurtër me momente nga gjyqi dhe pushkatimi i klerikëve të feve të ndryshme në Shqipërinë e diktaturës. Por, nuk munguan më vonë edhe pamje nga shkatërrimi i objekteve të kulteve fetare.

Në sallën numër tre të kuvendit, përveç përfaqësuesve të komuniteteve fetare, morën pjesë edhe shumë të rinj nga shkollat e Tiranës, të cilët kishin lindur pas viteve ’90. Organizatorët kishin menduar që të rinjtë të kishin mundësinë që t’u drejtonin pyetje përfaqësuesve të komuniteteve fetare dhe kjo vetëm për të njohur më mirë historinë e vendit të tyre. Ishin pikërisht këta të rinj që nuk e kanë njohur diktaturën dhe as raportin e saj me individin dhe me fenë, që i dhanë kuptim pjesës tjetër të ekspozitës, që si synim kishte mesazhin: Asnjë histori nuk njihet vetëm nga e tashmja.

Skënder Bruçaj: Besimi mund të hiqet me ligj, por jo nga zemra

Kreu i Komunitetit Mysliman, Skwnder Bruccaj e nisi fjalën e tij me mesazhe paqe. Ai bëri apel që historia të lexohej siç duhet dhe të investohet te brezat e rinj për të shkuar te e ardhmja. “Gjëja e parë që më erdhi në mend kur hyra në këtë ndërtesë ishte: A kanë menduar vallë ata që e ndërtuan këtë bunker, ata që kishin ndaluar besimin fetar, që do të vinte një ditë kur ne të mblidheshim të pesta besimet fetare dhe të japin mesazhe paqeje nga këtu?!”, tha ai. Besimin në Zot ai e quajti esencial dhe shtoi se ai mund të hiqet lehtë me ligj, por nuk mund të hiqet nga zemrat e njerëzve.

Baba Mondi: Për shqiptarët në radhë të parë vjen njeriu pastaj besimi

Kryetari i Komunitetit Bektashi, Edmond Brahimaj, i njohur si Baba Mondi në fjalën e tij çmoi shumë harmoninë fetare në Shqipëri. Ai solli si shembull martesën mes feve të ndryshme, çka tregon se për shqiptarin në radhë të parë vjen njeriu pastaj besimi. “Këtu është një ambient i pazakontë, pasi në këto hekura e betone është hedhur gjaku i shqiptarëve. Është derdhur shumë djersë për të ndërtuar këta bunkerë të nëndheshëm, kur mund të ndërtoheshin rrugë e pallate. Më vjen mirë që ky bunker vizitohet nga të rinjtë për të kuptuar se çfarë ka hequr brezi i mëparshëm që jetoi në diktaturë”, u shpreh për “Shekull”-in Baba Mondi. Për të, këto emocione janë më të forta, pasi ai tregon se ka qenë ish-ushtarak dhe ka parë teksa ndërtohen edhe bunkerë të tjerë në kufijtë e Shqipërisë. “Për mua ata që vdisnin duke ndërtuar këta bunkerë meritojnë të quhen dëshmorë, pasi i kanë shërbyer diktaturës pa dashur”, u shpreh ai.

At Andon Merdani: Besimi në Zot është arti i të qenit i lirë

Përfaqësuesi i Komunitetit Ortodoks, At Andon Merdani në fjalën e vet u ndal fillimisht te persekutimet, sidomos ato të klerit ortodoks. “Këto ambiente, na transmetojnë edhe një herë atë dhunën dhe ashpërsinë djallëzore të diktaturës. Shqipëria ishte i vetmi vend që u shpreh se nuk besonte në zot. Po kush janë pasojat e këtij veprimi? Ndalimi i besimit bëri që Shqipëria të kalonte diktaturën më të egër ”, tha ai. At Andon Merdani u shpreh se besimi në Zot u mëson njerëzve artin e të qenit të lirë dhe të duan njëri-tjetrin, ndërsa diktatura ta urrejnë njëri-tjetrin. “Në diktaturë u quajtën virtyte ato që janë anti-virtyte, si urrejtja mungesa e mëshirës”, tha ai.

Imzot George Frendo: Diktatura tentoi të vrasë Zotin, por nuk ja doli

Pjesëmarrja në temën “Diktatura nuk vrau dot shpirtin”, për Imzot George Frendo, përfaqësuesi i Komunitetit Katolik, ishte e veçantë, pasi ai nuk e ka jetuar diktaturën në Shqipëri, por e ka lexuar vetëm në libra. Ka ardhur nga Malta, si misionar në vitin 1997 në Shqipëri. Kujtimet më të hershme nga Shqipëria i ka në vitin 1993, kur erdhi për një vizitë të shkurtër. Ai rrëfeu se si u njoh me diktaturën nëpërmjet shkrimeve që i ka gjetur në gjuhë të ndryshme, kryesisht frëngjisht ku lexoi dhunën ndaj fesë. “Diktatura tentoi të vrasë Zotin, por nuk ia doli, sepse zemra e njeriut gjen qetësi kur shkon në kishë”, tha ai.

Pastor Ali Kurti: Kam qenë dëshmitar i persekutimeve

Presidenti i Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë, Pastor Ali Kurti në fjalën e tij, tregoi se i përkiste brezit të pas viteve ’44. E kishte jetuar diktaturën dhe kishte qenë dëshmitar i persekutimit të njerëzve të nderuar që predikonin fjalën e Jezusit. Ai tha se, persekutorët janë të mbuluar nga turpi i historisë, ndërsa martirët dhe ata që i shërbyen fesë dhe kombit lartohen gjithmonë e më tepër.

Kryeministri : Bunk’art është një hapësire lirie

Vizitën e përfaqësuesve të komuniteteve fetare në vend, gjatë ditës së djeshme në “Bunk’art”, e ka përmendur edhe kryeministri Rama. Nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Facebook”, kreu i qeverisë ironizon të gjithë ata persona që i “tremben” “Bunk’art”, duke marrë si shembull praninë në këtë muze edhe të komuniteteve fetare, të cilët kanë qenë me të persekutuari nga sistemi. “Po këta ç’duan në muzeun e Enverit? Bunk’art është një hapësirë lirie për njerëz që nuk kanë frikë nga hija e tyre!”, shkruan kryeministri Rama, duke u shprehur kështu se gjithkush mund ta vizitojë këtë muze, duke lënë pas të shkuarën.

Ekspozita në “Bunk’Art”, për të reflektuar dhe për të nxitur turizmin

Agjencia Kombëtare e Turizmit (AKT) në bashkëpunim me Komitetin Shtetëror për Kultet po ndërmerr një fushatë informimi dhe përgatitjeje për të zhvilluar turizmin fetar. E pikërisht për këtë ne iu drejtuam drejtoreshës së kësaj agjencie, Julinda Dhamen. Ajo tha për “Shekull”-in: “Më në fund edhe vendi ynë iu bashkua hartës së vendeve që punojnë për të kthyer trashëgiminë e periudhës komuniste në atraksion turistik dhe kulturor. Tanimë, me hapjen e këtij bunkeri, Tiranës i shtohet edhe një vend më shumë për t’u vizituar. Dhe ku më mirë se sa në këtë bunker do të gjenim simbolikë më kuptimplotë. I ndërtuar nga njeriu që kërkoi të zhdukte besimin fetar dhe zhvilloi luftën më persekutuese ndaj klerit shqiptar, sot në 2014-ën shërben si një hapësirë lirie, ku përcillen mesazhet e harmonisë fetare ose siç tha edhe Papa Françesku këtu në Tiranë, të vëllazërisë fetare. Zhvillimi i këtij aktiviteti në këtë bunker, shërben si një moment reflektimi, për gjithçka që ka kaluar dje dhe për çfarë duhet të punojmë në të ardhem. Së afërmi, në pjesëmarrjen e Shqipërisë në Panairin e Moskës 2015, si AKT kemi menduar të marrim pjesë me një tematikë specifike, duke promovuar turizmin religjioz”.

Po kaq të rëndësishme këtë ekspozitë e sheh edhe kryetari i Komitetit Shtetëror për Kultet, Ilir Hoxholli, i cili i pyetur për këtë ekspozitë rrëfen: “Komunitetet fetare janë pjesa më e prekur gjatë diktaturës komuniste, u persekutuan vetëm pse besuan në Zot, u përçmuan, u tallën, ndërkohë me injorancën e tij, ai sistem po u hiqte vlerat shoqërisë, vlera të respektit ndërmjet feve, respektit ndërmjet komshiut që i përkiste një feje tjetër. Për ata që nuk e dinë se çfarë harmonie kanë pasur besimtarët e feve, ajo kuptohej qartë në respektimin e festave të tyre. Të krishterët për respekt të myslimanëve nuk frekuentonin lokalet apo dhe fëmijët ndaloheshin të ushqeheshin jashtë shtëpisë për të respektuar agjërimin e myslimanëve. Ndihmonin në bamirësi dhe mbronin me respekt njëri-tjetrin. Por, diktatura prodhoi njeriun pa besim, njeriun e ri socialist, ku krimi, spiunimi, lufta e klasave hyri në çdo shtëpi. Llogaritë e atij sistemi për të zëvendësuar Zotin dështuan sepse shpirti është i lirë dhe ne sot jemi këtu të lirë në besimin tonë ndërsa fundi i çdo diktatori ka qenë gjithmonë i turpshëm. Ndaj sot nga skuta më e errët e tij, e luftës imagjinare, ndriçuam forcën e besimit, ndriçuam brezit të ri, nxënësve dhe studentëve të pranishëm, vuajtjet e asaj kohe, sakrificat e tyre për të ngritur përsëri fenë, roli i tyre në përmirësimin e shoqërisë. Ndjesia e atij bunkeri është trishtim, duhet forcë për ta parë, mijëra jetë, mijëra krah pune të çuara dëm, mijëra copëza gjaku dhe sakrifice për një marrëzi ç’njerëzore që kalon kufinjtë e çdo imagjinate”, tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat