Vajza e akuzoi për dhunë, pezullohet shefi komisariatit nr.2, Ilir Proda

Shqipëria

Vajza e akuzoi për dhunë, pezullohet shefi komisariatit nr.2, Ilir Proda

Më: 27 nëntor 2014 Në ora: 08:23

Incident në komisariat me një femër të shoqëruar, pezullohet nga detyra shefi i Komisariatit Nr.2, i policisë së Tiranës, Ilir Proda. Ndërkaq mësohet se masë disiplinore vërejtje i është dhënë edhe shefit të rendit të këtij komisariati, si dhe shefit të krimeve. Ky i fundit mësohet se është rikthyer në detyrë, për shkak se nga verifikimi është konfirmuar se ai nuk kishte pasur rol në incident. Në vend të shefit të komisariatit Ilir Proda, u komandua Ardi Veliu, i cili është edhe Zv/drejtor i Policisë së Tiranës, për Rendin dhe Sigurinë Publike. Lajmi u konfirmua për “Shekullin”, nga burime të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë që thanë se shefi i komisariatit, është pezulluar nga detyra pas shoqërimit të një femre me emrin Xh.L, kjo e fundit ishte thirrur në komisariat për t’u pyetur por në rrethana të panjohura i ka rënë të fikët. Ajo ishte shoqëruar për shkak se një vajzë tjetër pretendonte se ishte kërcënuar nëpërmjet sms-ve telefonike nga e shoqëruara, e cila shkruante tekste dhe mesazhe të rënda fyese dhe kërcënuese deri për jetën ndaj ankueses.

Pikërisht kjo situatë dyshohet se është bërë shkak i incidentit. E shoqëruara ka pretenduar në SHKB, pas cila ka deklaruar se është dhunuar në ambientet e komisariatit. Menjëherë pas ankesës hetuesit e SHKB-së dhe të Drejtorisë së Standardeve mbërritën në Komisariatin nr.2, për të verifikuar ankesën e gruas e cila mësohet se kishte përfunduar në spital. Pas ankesës Proda është pezulluar me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Artan Didi i cili ka ndjekur nga afër çështjen. SHKB-ja tha se nuk kishte gjetur shkelje penale dhe nuk kishte hetim penal. Ngjarja në të cilën dyshohet se është përfshirë kreu i Komisariatit Nr.2, dhe që i kushtoi pezullimin ka ndodhur mbrëmjen e së hënës. Shoqërimi i vajzës dhe mbajtja e saj në ambientet e Komisariatit nr.2, nuk janë regjistruar në librin përkatës nga efektivët e policisë. Burime nga policia thanë se ngjarja u raportua menjëherë dhe u vu në dijeni kryepolici, Artan Didi i cili mori masa ndaj Ilir Prodës. Po ashtu fillimisht u pezullua edhe shefi i Krimeve, por pas verifikimit u konfirmua se ai nuk kishte probleme.

Ngjarja

Mbrëmjen e së hënës policia është njoftuar për një konflikt mes dy vajzave, pasi njëra prej tyre e identifikuar me inicialet Xh. L, i kishte dërguar mesazhe kërcënuese një tjetre, emri i së cilës nuk bëhet i ditur nga policia. Efektivët e Komisariatit Nr.2, shoqëruan menjëherë vajzën e cila kishte në pronësi një dyqan rrobash pranë Brrylit, si dhe të denoncueses. Gjatë shoqërimit në Burime nga policia thanë se në një moment dy vajzat janë përballur në korridorin e komisariatit, ku edhe janë përplasur mes tyre. Burime të ndryshme thanë se në këtë moment ka ndërhyrë shefi i Komisariatit, Ilir Proda, por ai tha se nuk kishte fare dorë në këtë histori të cilën e cilësoi sajesë. Nuk dihen saktë rrethanat, por se 19 vjeçarja, Xh.L, është rrëzuar në dysheme, në rrethana të panjohura, ndërsa menjëherë ajo është nisur për në spitalin ushtarak në kryeqytet, ku i është dhënë ndihma e parë. Më vonë është mësuar se ajo vuante nga sëmundja e epilepsisë dhe për pasojë i ka rënë të fikët. Menjëherë efektivët blu e kanë dërguar me një automjet privat drejt Spitalit Ushtarak. Burime nga policia thanë më tej për gazetën se e reja ka denoncuar ngjarjen duke akuzuar shefin e Komisariatit për ushtrim dhune.

Masa

Ngjarja u mësua nga zyrtarët e lartë të Policisë së Shtetit të cilët reaguan menjëherë. Në orët e mbrëmjes të së hënës mbërriti në ambientet e Komisariatit Nr.2, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi, dhe zyrtarë të lartë të Policisë së Tiranës. Didi nuk e ka lënë në heshtje ngjarjen duke urdhëruar menjëherë pezullimin e Ilir Prodës nga detyra e shefit të Komisariatit Nr.2. E njëjta masë është dhënë edhe për shefin e krimeve të këtij komisariati i cili ndodhej i pranishëm në ngjarje. Më shefi i krimeve u rikthye në detyrë. Ndërkaq Drejtoria e Standardeve në Policinë e Shtetit, nisi hetimin administrativ, dhe pritet të vendosë për masën administrative ndaj Prodës. Ndërkohë që për dhunën në ambientet e këtij komisariati nga uniforma blu u njoftua edhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm për të kryer verifikimet. Burime zyrtare nga SHKB bënë të ditur se ndaj kreut të komisariatit nuk ka nisur asnjë hetim penal. “Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm nuk kanë nisur asnjë hetim penal ndaj shefit të Komisariatit të Policisë Nr.2, Ilir Proda. Nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë hetim ndaj tij” thanë burimet zyrtare nga SHKB. Aktualisht shefi i një prej komisariateve më të rëndësishme në kryeqytet është i pezulluar dhe pritet një vendim i dytë nga eprorët e tij. Gjithashtu i pezulluar vijon të jetë edhe shefi i krimeve deri në sqarimin e pozicionit të tij në këtë ngjarje.

Proda: Nuk kam ushtruar dhunë

Në lidhje me ngjarjen, për të cilën shefi i komisariatit nr.2, Ilir Proda u mor në hetim administrativ, ai reagoi duke pohuar se ngjarja është një sajesë e gjitha dhe se ai nuk kishte bërë asnjë veprim. “Ngjarjen e dinë të gjithë. E dinë siç u intereson ose siç iu është servirur. Siç e di unë ngjarjen, unë nuk jam pjesë e saj. Unë di të them që është sajim”,- tha shefi i komisariatit nr.2, i pyetur nga gazeta Shekulli në lidhje me ngjarjen, duke pohuar se ai nuk kishte fare pjesë në ngjarje. “Ju mund të shkruani ç’të doni media është e lirë në këtë vend, apo jo ? më tej ai pohoi se nuk mund të jepte versione në lidhje me ngjarjen, pasi ajo ishte ende nën hetim dhe se organet kompetente duhej ta sqaronin. “Kaq mund të them, unë jam i pezulluar derisa të mbarojë hetimi nuk mund të flas. Nëse hetoni palët e përfshira kuptohet lehtë ku qëndron sajimi. Nuk flas dot më tepër”, përfundoi ai.

Ndëshkohen policët, iu hiqet dita e punës

Ditën e parë të tij të punës në krye të komisariatit të policsë nr.2, si i komanduar Ardi Veliu, mori një masë ndëshkimore ekstreme ndaj vartësve të tij. Ndaj të gjithë efektivëve të Rendit dhe të Krimeve, që duhej të paraqiteshin në punë ditën e Martë Veliu, mori masën e ndalimit të pagesës së ditës së punës. Argumentimi i kësaj mase sipas burimeve nga komisariati nr.2, lidhej me vonesën e mbërritjes në punë të efektivëve të policisë të cilët ishin në punë të martën. Bëhet fjalë për efektivët e Policisë Kriminale, si dhe për shërbimet e rendit që duhej të paraqiteshin në detyrë që në 8. Ndërkaq kjo masë është vlerësuar si e pabazuar nga efektivët të cilët kanë pohuar se një shef komisariati i komanduar nuk ka atribute të plota ndaj vartësve të tij të cilët janë të përkohshëm.

Nënkomisar Ilir Proda u pezullua pas shoqërimit të një femre, e cila dyshohej për dërgimin e mesazheve kërcënuese ndaj një femre tjetër, pas një konflikti

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat