Miratohet ngritja e Komisionit Parlamentar për Reformën në Drejtësi

Shqipëria

Miratohet ngritja e Komisionit Parlamentar për Reformën në Drejtësi

Më: 26 nëntor 2014 Në ora: 17:40

Tiranë- Konferenca e Kryetarëve miratoi ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë.

Konferenca u mblodh sot nën drejtimit e kreut të Kuvendit, Ilir Meta. Në të u diskutua dhe u miratua draft-programi për periudhën 20 nëntor-31 dhjetor dhe draft-kalendari për periudhën 21 nëntor-12 dhjetor.

Gjatë mbledhjes Kryetari i Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, Fatmir Xhafaj propozoi futjen për shqyrtim në rendin e ditës të seancës plenare datë 27.11.2014 të Kuvendit të Shqipërisë, të projektvendimit “Për krijimin e komisionit të posaçëm parlamentar “Për reformën në Sistemin e Drejtësisë”.

“Ky është një propozim i një grupi prej 7 deputetësh siç kërkohet nga neni 24 i Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë. kanë firmosur dy Kryetarët e grupeve parlamentare dhe deputetë sipas kërkesës që ka neni përkatës i rregullores. Komisioni është ndërtuar në përputhje me Rregulloren e Kuvendit, e cila njeh si komisionet e përhershme edhe ngritjen e komisioneve të posaçme parlamentare që natyrisht kanë objekt të përcaktuar dhe kohë të kufizuar”, tha Xhafaj, i cili shpjegoi se ky komision do të funksionojë për një periudhë 6-mujore dhe me mundësi shtyrjeje sipas rregullores së Kuvendit.

Ngritja e këtij komisioni të posaçëm parlamentar, është shprehje e përgjegjësisë për të adresuar një problematikë të gjithëpranuar, sikundër është mosfunksionimi në standardet e kërkuara të sistemit të drejtësisë në vend.

Komisioni i Posaçëm Parlamentar do të jetë forumi i përshtatshëm, ku të gjitha grupet parlamentare nëpërmjet anëtarëve që do të jenë pjesë e kësaj strukture, do të mund të analizojnë situatën aktuale, të përcaktojnë objektivat për përmirësimin e saj dhe në përfundim të hartojnë një paketë ndryshimesh të kuadrit normativ në fushën e drejtësisë, të tilla që të garantojnë mirëfunksionimin e sistemit dhe qëndrueshmërinë e tyre në kohë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat