Nishani-Kopf: Shqipëria në BE, në mënyrë të merituar

Shqipëria

Nishani-Kopf: Shqipëria në BE, në mënyrë të merituar

Më: 26 nëntor 2014 Në ora: 17:29

Kryetari i Dytë i Këshillit Kombëtar të Austrisë, Karl-Heinz Kopf u prit sot nga kreu i shtetit Bujar Nishani, në ambientet e Presidencës.

Gjatë takimit, Presidenti Nishani vlerësoi shumë marrëdhëniet historike e tradicionale mes dy vendeve duke shprehur “mirënjohjen për ndihmesën dhe mbështetjen e pakursyer austriake ndaj procesit të marrjes së statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian, në përmbushje të aspiratës sonë integruese”.
Duke bashkëbiseduar për procesin integrues evropian të Shqipërisë, Presidenti Nishani dhe Kopf vunë në dukje se ky është një proces i gjatë, me sfida dhe vështirësi, por që synon të arrijë standardet evropiane për qytetarët shqiptarë duke konsoliduar demokracinë, institucionet dhe shtetin e së drejtës.

“Në Bashkimin Evropian, Shqipëria aspiron të hyjë në mënyrë të merituar duke sjellë edhe vlerat e saj më të mira e të shtuara tek familja evropiane”, vuri në dukje Presidenti.
Kreu i Shtetit shqiptar vlerësoi kontributin dhe mbështetjen e fuqishme të Austrisë dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, duke theksuar se tashmë pas gjashtë vitesh, qëndrueshmëria dhe paqja në Ballkan janë rritur.
Nga ana e tij, Kopf vlerësoi rolin dhe kontributin e Shqipërisë, e cila është e përkushtuar ndaj paqes dhe qëndrueshmërisë në rajon, duke e siguruar Presidentin Nishani se mbështetja austriake do të vazhdojë të jetë e pakursyer në drejtim të integrimit evropian të vendit tonë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat