Bashkëpunimi rinor Serbi-Shqipëri

Shqipëria

Bashkëpunimi rinor Serbi-Shqipëri

Më: 26 nëntor 2014 Në ora: 13:00

A duhet ta zhvendosë qeveria vëmendjen e saj nga problemet kryesore të vendit, te protesta e PD-së, apo te 70-vjetori i Çlirimit? Jo. Opozita atë punë ka. Festën, e ndjen dhe gëzon lirshëm çdo bashkësi në mënyrën e vet. Duhet vazhduar puna për zbatimin e reformave që shërojnë barbarizmat e trashëguara nga hordhitë e oligarkëve të partive dhe sindikatave të djathta politike. Po në planin e jashtëm? Të zgjerohen marrëdhëniet e bashkëpunimit në Ballkan, ku një rëndësi të veçantë kanë ato më Serbinë. Edi Rama dhë Aleksandër Vuçiç, në Beograd, ranë dakord për shkëmbime rinore midis të dy vendeve. Cilat janë, me dy fjalë, interesat e të rinjve sot? Të rinjtë në Shqipëri e Serbi u afrohen çështjeve politike nga perspektiva të ndryshme. Disa të rinj anëtarësohen në parti politike me qëllim punësimin, arsimimin, përmirësimin e jetesës dhe besojnë se politika do të merret seriozisht me interesat e atyre. Disa të tjerë përfshihen vetëm në fushatat zgjedhore, ku e gjejnë më të lehtë të mbështesin një individ, i çdo partie qoftë ai. Të tjerë të rinj mendojnë se keqqeverisja rriti pasigurinë tek ata që jetojnë në kushtet e varfërisë, papunësisë, padijes, korrupsionit. A mundet rinia të sjellë transformimin e individëve dhe të komuniteteve? Shkëmbimet rinore të mara si pjesë integrale e modelit të ri të marrëdhënieve Shqipëri-Serbi janë një gjetje shembullore. Nuk kishte përvojë të mirë, për tu ndjekur. Natyrshëm disa vështirësi, madje edhe pengesa mund të ndodhin. E për të patur sukses, lipset që të dyja shtetet të rritin masat e besimit të ndërsjellë, duke iu përmbajtur kursit politik të arritur. Masat e larta të besimit të ndërsjellë, nënkuptojnë ndërtimin e një mjedisi të brendshëm dhe të jashtëm të qetë e të qëndrueshëm. Së dyti, shkëmbimet rinore kërkojnë respekt të ndërsjellë. Duke patur parasysh dallimet tona në histori, është e normale që të rinjtë shqiptarë dhe serbë të kenë pikëpamje të ndryshme, madje edhe fërkime për çështje të caktuara. Kjo e bën të nevojshme përqendrimin e shkëmbimeve rinore te çështjet europiane, atje ku interesat e përbashkëta peshojnë më shumë sesa dallimet. Dallimet nuk na trembin, veçse ato kanë nevojë të trajtohen me përgjegjësi. Cilat janë ilaçet? Dialogu, konsultimet, lëshimet reciproke dhe mjete të tjera që mbajnë hapur kanalet e mirëkuptimit.

Me sjellje të civilizuara, shkëmbimet rinore mbeten të patrazuara nga individët, apo komentet e veçanta.
Së treti, është normale që në procesin e shkëmbimeve të rinjtë të kenë përfitime reciproke në punësim, arsimim, sport, familje, pronë private, trashëgimi. Të përfitojnë nga gjetjet dhe nga përdorimi i metodave për zhbllokimin e potencialeve materiale të ngecura në të dyja vendet; nga investimet; nga ndërmarrjet e përbashkëta; nga ndihmesa në luftën kundër terrorizmit e trafiqeve të paligjshme; nga mbrojtja e mjedisit etj. Së katërti, bashkëpunimi rinor ushqen jetëgjatësinë e miqësisë midis popujve tanë. Si ndodh kjo? Miqësia shqiptaro-serbe po i hedh rrënjët e veta në mesin e publikut të gjerë europian; po e rrënjos të tashmen e vet edhe te të rinjtë, të cilët do t’ua përcjellin miqësinë pasardhësve.

Unë kam qenë në Serbi, në familje serbe disa herë dhe kam mbetur gjithmonë i kënaqur nga mikpritja e atyre.
As telefonat, as interneti, asnjë lloj teknologjie e pritshme nuk mund ta zëvendësojë komunikimin “dorë për dore” midis dy njerëzve. Ai, kur hyn në zemrat e rinisë bëhet i pathyeshëm. Si gjejnë zbatim shkëmbimet rinore? Duke ia lënë ato rinisë e cila ka internetin; ka energjitë dhe bukuritë rinore; ka talentet dhe krijimtarinë e gjithanshme; ka etje për të jetuar sa më mirë – dhe, me mbështetje shtetërore. Sepse shteti i krijon ferrat; vetëm shteti mund të rrijë mbi ferrat e veta; ai mund ti pastrojë gjërat. Me çfarë mjetesh? Me projekte rinore në nivel qeveritar; në nivel vendor; me projekte të aktorëve jo shtetërorë; me lehtësira tarifore të nismave spontane rinore. Dhe OKB, BE, forumet Ballkanike janë platforma të rëndësishme, me një mori agjencish që mbulojnë shumë e më shumë tema se sa mekanizmat e lartpërmendura në Shqipëri e Serbi.

Rinia është realiteti që di të shuaj mendësitë e vjetra, dhe të skalitë miqësinë e re euroballkanike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat