Meta: Panairi i Klik Ekspo Group, pasqyrë e biznesit në Shqipëri

Shqipëria

Meta: Panairi i Klik Ekspo Group, pasqyrë e biznesit në Shqipëri

Më: 26 nëntor 2014 Në ora: 11:33

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta vizitoi panairin e “Klik Ekspo Group”, i hapur që nga data 22 nëntor në Pallatin e Kongreseve. Zoti Meta vizitoi stendat e këtij Panairi, i shoqëruar nga deputeti Spartak Braho, Presidenti i Klik Ekspo Group, Luan Muhametaj dhe Drejtorja Ekzekutive e Klik Ekspo Group Elona Agolli. Ai pati mundësinë të shikonte nga afër produktet dhe shërbimet që sollën në këtë Panair kompanitë pjesëmarrëse nga vendi dhe e gjithë bota. Duke folur për median, gjatë vizitës, Meta u shpreh se, duke vizituar këtë panair ndihesh mirë, pasi ke mundësi të shohësh nga afër një interes në rritje të kompanive vendase dhe kompanive të huaja, që ekspozojnë prodhimet dhe shërbimet e tyre. Kryetari i Kuvendit theksoi se, panaire të tilla shërbejnë për të promovuar prodhimet dhe shërbimet e vendit si edhe teknologjitë me të avancuara. Meta u shpreh se, “duke vizituar panairin e ‘Klik Ekspo Group’ padyshim që ndihesh mirë, sepse ke mundësi të shohësh një interes në rritje të kompanive vendase dhe kompanive të huaja, nga e gjithë bota dhe nga vendet e rajonit, duke ekspozuar prodhimet apo shërbimet e tyre dhe natyrisht që një panair i tillë shërben për të promovuar prodhimet dhe shërbimet e vendit po edhe teknologjitë me të avancuara”.

Më tej, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë pasi ka falenderuar organizatorët e Edicionit të 21-të të Panairi Ndërkombëtar të Tiranës dhe vlerësimin e tij duke u shprehur se, "ky aktivitet është një kontribut me vlerë të veçantë për zhvillimin e ekonomisë dhe shkëmbimeve tregtare të Shqipërisë si me vendet e rajonit ashtu edhe me gjerë. “Është një kontribut për zhvillimin e ekonomisë, për rritjen e shkëmbimeve ekonomike dhe tregtare dhe për njohjen dhe tërheqjen e teknologjive më të avancuara”, tha ndër të tjerash Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta. Presidenti i Klik Ekspo Group, Luan Muhametaj i tha Kretarit të Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta se, edicioni i sivjetëm i Panairit Ndërkombëtar ka patur një gjeografi të gjerë biznesesh ku kanë spikatur ata të Kosovës, vendeve të rajonit e deri tek interesi në rritje i bizneseve të ardhura nga Kina e vende të tjera.

"Ne po synojmë që për cdo vit të krijojmë një pikë kontakti të ekonomisë shqiptare me atë të vendeve partnere. Në këtë kuptim, Panairi i sivjetëm shënon një tjetër sukses, pasi në të gjithë këto ditë interesi i bizneseve ka qenë i lartë, tha zoti Muhametaj. Më tej, Presidenti i Klik Ekspo Group e informoi kreun e Kuvendit se, në edicionin 21-të të Panairit të “Klik Ekspo Group” marrin pjesë kompani që vijnë nga një larmi fushash të biznesit. Mes tyre, janë kompani që prodhojnë materiale elektrike, makineri të industrisë agro-ushqimore, tekstile, materiale të ndërtimit, pajisje teknologjike, etj. Në vijim të vizitës së tij, ndalesën e parë kreu i Kuvendit e ka bërë tek stenda e Tirana Bussines Park, ku shprehu një vlerësim të veçantë për këtë investim.

Më tej, Meta u takua edhe me sipërmarrës të tjerë vendas të cilët kanë sjellë në këtë edicion të Panairit mallrat dhe shërbimet e tyre. Kreu i Kuvendit ka parë me interes mjaft nga stendat e bizneseve të huaja të pranishmë në këtë Panair, duke bërë ndalime të veçanta tek bizneset e Kosovës të cilat i ka falenderuar për praninë e tyre. Po ashtu, një ndalesë të vecantë Meta e bëri edhe në sallonin e bizneseve serbe ku i pranishëm mes sipërmarrësve pjesëmarrës ishte edhe ambasadori i Serbisë. Një vëmendje të veçantë, kreu i Kuvendit Meta i ka kushtuar edhe ekspozimeve nga fusha e kulturës, mes të cilave ajo e shtëpisë botuese "Dritëro" dhe stendën e "Vizart" ku ishin të ekspozuara punime pikture e skulpture. Dje, Panairi Ndërkombëtar i Klik Ekspo Group kishte ditën e katërt të tij, ku veç vizitës së zotit Meta janë zhvilluar edhe disa aktivitete të tjera, mes të cilave edhe një seminar për zhvillimet e turizmit në vendin tonë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat