Detyrimet e prapambetura, Cani: "Targeti ynë: 35 mln dollarë"

Shqipëria

Detyrimet e prapambetura, Cani: "Targeti ynë: 35 mln dollarë"

Më: 25 nëntor 2014 Në ora: 23:11

Ministri i Financave, Shkëlqim Cani deklaroi se janë paguar pjesa më e madhe e detyrimeve të prapambetura. Në konferencën për shtyp pas përfundimit të bisedimeve me FMN-në, Cani deklaroi se janë paguar 26 milionë lekë detyrime të prapambetura.

Ministri bëri me dije se do të “vazhdohet menjëherë me pjesën tjetër, për realizimin e shifrës së rënë dakord, 35 milionë dollarë”.

Cani deklaroi se buxheti i vitit 2015 i rakorduar, synon t’i japë një tjetër shtysë rritjes ekonomike, duke shtuar financimin në masën prej 5.4 % të nivelit bruto.

Kjo sipas tij, do të bëhet duke mbështetur konkretisht reforma të thella që përballen me rreziqet që i kanosen ekonomisë, si reforma në sektorin e energjisë, ajo e pensioneve, stabiliteti në financat publike, si dhe ulja e borxhit për 2015.

Cani deklaroi se një prioritet i rëndësishëm është reforma e tatim-taksave. Ligji i ri e eliminon kërkesën për auditim të detyrueshëm, pasi jo çdo veprim duhet audituar, por vetëm ato me rrezik të lartë, tha ministri.

“Jemi të vendosur të nxjerrim sistemin nga kriza, këto reforma që kërkojnë arritjen e qëndrueshme të sektorit mbështeten nga marrëveshja me Bankën Botërore. Qeveria do sigurojë që ndikimet fiskale të vijnë në rënie, duke shmangur barrën mbi tatim-paguesit, dhe prioritet u jepet shtresave në nevojë”, përfundoi ministri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat