Meta: "Kostoja e reformave, si puna e ilaçeve: të hidhura kur i pi, por më vonë të bëjnë mirë"

Shqipëria

Meta: "Kostoja e reformave, si puna e ilaçeve: të hidhura kur i pi, por më vonë të bëjnë mirë"

Më: 25 nëntor 2014 Në ora: 23:00

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, i ftuar në emisionin "Studio e Hapur" të gazetares Eni Vasili në “News24”, foli mbi situatën politike në vend, mungesën e opozitës në Kuvend dhe protestën e 22 nëntorit, të cilën e konsideroi si tregues pozitiv të funksionimit të demokracisë në vend. Lidhur me aksionet e fundit të qeverisë, Meta theksoi se për zbatimin e ligjit nuk do të ketë kthim pas.


A ju shqetësoi pjesëmarrja e madhe në protestën e organizuar nga PD?


Aspak, do të ishim të shqetësuar nëse do të kishte pjesëmarrje të kufizuar. Fakti që opozita del manifeston, që ka dhe një pjesëmarrje të konsiderueshme sikurse e thatë ju është tregues pozitiv i asaj që demokracia funksionon, edhe pse do funksiononte edhe më mirë nëse opozita do ta sillte zërin e tyre në parlament. Kjo pjesëmarrje tregon që ka demokraci, njerëzit në Shqipëri nuk kanë frikë të dalin të protestojnë.


Për ju ishte protestë politike, ishin militantët aty, apo ishin njerëzit e pakënaqur në këto 14 muaj?


Natyrisht ishte protestë politike në radhë të parë, sepse organizohet nga një forcë politike dhe një grup opozitar. Kjo tregon se në Shqipëri ka demokraci, dhe dua ti përshëndes për manifestimin mjaft paqësor që kanë kryer. Opozita ka marrë 800 mijë vota në Shqipëri, mund të kishte sjellë dhe gjithë votuesit e saj në shesh, por kjo nuk është shumë e rëndësishme. Me rëndësi është që opozita ata votues t’i përfaqësojë në parlament.


Zoti Basha tha se nëse nuk përmbushet kontrata me qytetarët, qeveria ose largohet ose rrëzohet, ju keni një koment për këtë?


Kontrata bëhen çdo katër vjet, kështu që në vitin 2017 qytetarët do të shprehen me votën e tyre për të rinovuar ose jo kontratën me mazhorancën aktuale. Në fund fare janë qytetarët që do të vendosin.


Si do e perifrazoni këtë periudhë qeverisje. a po i përmbush koalicioni juaj aspiratat e 1 milion votave?


Gjithçka duhet vendosur në dy plane. Në raport me situatën para 14 muajve dhe në perspektivën e viteve që vijnë. Nëse do vendosin të gjithë bilancin e qeverisjes në raport me marrjen prej saj të përgjegjësive dhe trashëgiminë e qeverisjes së treguesve makroekonomik, borxhit, defiçitit dhe nëse do i venë edhe perspektivën se ku po shkon, kjo qeveri me këtë trend qeverisje besoj se është një bilanc pozitiv. Për jo pak qytetarë që na dëgjojnë kjo mund të mos jetë shumë bindëse por do doja që këtë fenomen ta lidhja me punë e fermerit në bujqësi që kur mbjell duket që fara humbet dhe kur vjen koha ajo shndërrohet në pemë dhe sjell frutet. Kjo qeveri është përpjekur të mbjellë sa më shumë për të korrur disa rezultate në interes të vendit si i tërë dhe interes të qytetarëve. Për mua janë mëse të qarta arritjet e qeverisë deri tani sidomos traseja që ajo ka shtruar për të ardhmen që do jetë më e prekshme për qytetarët.


Raporti më i fundit i BERZH vlerëson reformat e qeverisë shqiptare si vendi që ka kryer më shumë reforma në rajon. Ato kanë rezultatin e tyre për të mos përmendur dhe një fakt tjetër që ka kuptimin e tij që nga Instituti i Sigurimeve konfirmohen 81 mijë të punësuar të rinj. Formalizimi është në interesin e të gjithëve.


Le të ndalemi tek këto reforma. Ju i quajtët disi abstrakte. Për qytetarët ndoshta për ndonjë deputet nuk janë të tilla… Ndalemi tek energjia. Në seancën e 30 tetorit ju u shprehët pro këtyre iniciativave që qeveria ka ndërmarrë për energjinë. Por a mund ti kërkosh një familje në nevojë të paguajë jo vetëm energjinë por edhe kamatëvonesat? Çfarë mendoni?


Duhet ti jepet fund abuzimit dhe shpërdorimit të energjisë nga çdo qytetar. Çdo progres që ne mund të arrijnë më çdo fushë të caktuar nëse nuk i japim fund në mënyrë të prerë çdo shtegu të abuzimit me energjinë nuk do hedhim asnjë hap të qëndrueshëm para. Është një gropë e madhe e zezë që është pengesë madhore për zhvillim të qëndrueshëm dhe të shpejtë të vendit. Reformat e ndërmarra nga qeveria në bashkëpunim me Bankën Botërore që po ndihmon dhe po jep një financim të rëndësishëm për reformimin e sistemit do bëjmë të mundur që jo në 2018 por më parë që energjia nga një faktor minus të kthehet në faktor pozitiv. Do vijmë edhe tek shtresat në nevojë. Debati më i madh ka lindur lidhur me ristrukturimin e çmimit dhe heqjen e fashës 300 kw. Qeveria e ka dhënë zgjidhjen për të gjitha familjet me ndihmë ekonomike të konsideruara në nevojë. Të gjitha këto do kompensohen për diferencën në lekë. Kjo besoj është një tregues i qartë për të mbrojtur këtë shtresë ndërkohë që hiqet mundësia për manipulimin që është bërë deri tani. Kjo reformë rrit transparencën.


Ju jeni pro rritjes së çmimit të energjisë? LSI është pro?


Nuk kemi të bëjmë thjesht me rritje por me ristrukturim të çmimit. Sepse ka edhe kategori që përfitojnë nga ristrukturimi i çmimit. Kemi të bëjmë me një reformë jo thjesht me një rritje çmimi. Nuk mund të ketë asnjë justifikim për çështjen e abuzimit me energjinë elektrike. Njerëzit duhet të jenë të kujdesshëm, duhet ta dinë se çdo gjë që harxhohet do të paguhet. Për shtresën në nevojë 200 mijë familje do të kompensohen me diferencën. Unë mendoj se duhet të jemi të kujdesshëm, të harxhojmë sa më pak energji. Mos lemë dritat kot kur flemë gjumë. Jam i bindur që asnjë veprim nuk ka ndodhur në mënyrë arbitrare. Vjedhja e energjisë është një krim shumë i rëndë në kushtet ku jemi dhe duhet trajtuar si i tillë.


Një operacion tjetër i fortë që ka sjellë edhe reagime, është prishja e ndërtimeve të paligjshme. Opozita thotë se ka qenë selektiv, sipas jush a ka qenë selektiv ky proces?


Nuk mund ta gjykoj këtë çështje sepse nuk jam gjykatës. Unë apeloj që të zbatohet ligji në mënyrë të barabartë për të gjithë. Sa i takon opozitës, opozita është kundër çdo gjëje. Kundër zbatimit të ligjit për energjinë elektrike, kundër mbrojtjes së hapësirave publike. Do ta ftoja opozitën që në mënyrë konstruktive dhe të përgjegjshme ajo të bëhet pjesë e këtyre reformave.


Reformat janë të dhimbshme zoti Meta, dhe me kosto elektorale, por sipas kryeministrit janë të nevojshme. Ju mendoni se janë të nevojshme?


Edhe operacionet janë të dhimbshme, por të domosdoshme për të shpëtuar shëndetin. Janë disa sëmundje që nuk mund të kurohen ndryshe, duhen ilaçe të forta dhe të hidhura.


Pra është buxheti i duhur për ju?


Ky buxhet varet nga këndvështrimi si e shikon.


Opozita thotë që varfëron shqiptarët…


Edhe të gënjejmë shqiptarët të bëjmë sikur rrisim rrogat e pensionet dhe të dalë borxhi nga kontrolli dhe çdo gjë tjetër nga kontrolli, kjo nuk është zgjidhje. Fakti që në këtë vit u arrit një progres i qëndrueshëm dhe i sigurt në rritjen e të ardhurave tregoi se kjo qeveri arriti të formalizojë një pjesë të mirë të ekonomisë. Fakti që parashikohet një shtesë të ardhurash 45 milionë euro një e treta nga taksat që rriten tregon se kemi të bëjmë me një ecuri pozitive dhe të qëndrueshme ekonomike në vend. Ka rëndësi cilësia e investimeve.


Investimet janë ulur, taksat janë rritur, rrogat dhe pensionet nuk kanë lëvizur...


E thashë, shumë e rëndësishme është cilësia e investimeve investime që të ndikojnë në rritjen ekonomike në të ardhmen dhe jo investime thjesht për të harxhuar fondet. Qeveria ka mundësi të shtojë investimet në ekonomi përmes partneritetit publik- privat.


Që opozita ka një këndvështrim ndryshe është normale.. Kjo është e veçantë sot, nuk është parë që buxheti të atakohet nga vetë deputetët e mazhorancës…


Nëse nuk do kritikohej do thoshim ç'është ky parlament debati është i shëndetshëm çdo deputet do luftojë për fushën që njeh më mirë.


E keni fjalën për debatin mes deputetit Kokëdhima dhe ministrit Beqaj ?


Nuk e kisha për asnjë rast të veçantë, buxheti në përgjithësi është një kompromis në fund për të arritur objektivat kryesore që ka një buxhet.


Deputeti Vasili ka thënë që më parë se buxheti për fasonët ishte parashikuar 5 milionë dhe në fakt është 2,5.


Fasonët është një nga sektorët që ka kontributin më të madh të punësimit dhe eksporteve. Është një sektor që do vazhdojë të ketë mbështetjen e plotë.


Fakti që ishte parashikuar 5 milion dhe është bërë 2,5?


Do punojmë për të bërë më të mirën.


Do doja një batutë, perifrazim për ministrat e qeverisë.


Unë mendoj se qeveria ka treguar përkushtim për të realizuar reformat për zbatimin e ligjit dhe ka një vizion të qartë për perspektivën, kështu që nuk ka nevojë për të bërë batutë.


A kemi një qeveri diletante, jam duke perifrazuar zotin Ruçi..


Unë mendoj se zoti Ruçi është politikan me shumë eksperiencë dhe nuk duhet shkëputur asgjë nga konteksti në të cilin po fliste. Mendoj se disa vërejtje të tij ishin të drejta, por më shumë synonin të motivonin ministrat për të bërë më mirë punë e tyre.


Zoti Rama thotë se këto reforma të mëdha kanë edhe kosto të mëdha elektorale, bashkë me protagonizmin, do t’ia lini atij kostot?


Mendoj se kostot janë të përkohshme, sepse reformat janë të shëndetshme. Kostot janë si puna e ilaçeve të hidhura kur i pi, por më vonë të bëjnë mirë. Ka qytetarë që për momentin mund të jenë të pakënaqur, por nesër padyshim do të bëjë një rivlerësim të këtyre politikave, reformave. Zbatimi i ligjit është një rrugë pa kthim, cilado të jetë kostoja.


A shihni në të ardhmen koalicione me të djathtën?


LSI është një forcë e majtë. Është një forcë e angazhuar për integrimin jo thjesht evropian por edhe si filozofi. LSI është në vendin e saj në këtë koalicion dhe nuk ka asnjë arsye për të menduar çdo të ndodhë në të ardhmen.


Cilat janë raportet me zotin Rama?


Shumë konstruktive dhe bashkëpunuese. Ky është një koalicion shumë i qëndrueshëm dhe funksional.


Cili është plani i Metës, është Presidenca?


Nuk prononcohem për çështje të cilat nuk e kanë kohën e duhur. Ne kemi një president që gëzon respektin tim të plotë. Për në mbetet e rëndësishme të përmbushim sa më shumë nga angazhimet që kemi marrë në zgjedhjet e 23 qershorit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat