"Edhe për Ferrarin punohet në Librazhd" (VIDEO)

Shqipëria

"Edhe për Ferrarin punohet në Librazhd" (VIDEO)

Më: 25 nëntor 2014 Në ora: 16:52

LIBRAZHD - Kryeministri Edi Rama ishte sot, mes drejtuesve dhe punonjësve të një fabrike fasone në Librazhd, ku janë hapur 500 vende pune. Kryeministri zgjodhi të vizitojë këtë sipërmarrje të suksesshme shqiptaro-italiane në fushën e tekstileve dhe konfeksionit, një investim vetëm në fazën e parë të saj 1 milion euro, për të siguruar mbështetjen e qeverisë ndaj sipërmarrjeve të suksesshme që krijojnë punësim real. Gjatë takimit me drejtuesin se fabrikës, Rama e cilësoi si bashkërendim mes forcave të qeverisë, deputeteve dhe investitorëve.

“Kjo fabrikë është një histori suksesi. Në kohë rekord ngritët këtë projekt konkret. Është shembull mes bashkërendimit të forcave mes qeverisë, deputeteve dhe investitorëve. Forca jonë politike të kthehet në promovuese të punësimit real. Me hapjen e 500 vendeve të reja të punës do të trajtojmë plagën e papunësisë. Takova të rinj të kthyer nga emigracioni. Sfida jonë është formimi profesional, për këtë do investojmë në trajnimin profesional. Duhet të kemi sa më shumë krah pune të kualifikuar”, deklaroi Rama.

Gjithashtu shefi i qeverisë kujtoi se, me buxhetin e vitit 2015 është vënë fond i posaçëm mbështetjen e industrisë fasone dhe të punësimit.

“Kemi rritje të eksporteve nga biznesi fason me 28%, kjo falë paketës mbështetëse. Kemi arritur të përftojmë 135 milionë dollarë. Është importuar dyfishi i makinerive në raport me vitin e kaluar. Bashkë me sipërmarrjen do hapim rrugën e punësimit real. Me buxhetin 2015 kemi vënë fond të posaçëm për mbështetjen e punësimit dhe të kësaj industrie në mënyre të veçantë. 5% nga tatimfitimi biznesi fason do ta marrin mbrapsht. Perspektivë për të gjithë ata që duan të jetojnë me punë të ndershme. Falenderoj Taulant Ballën që dëshmoi se, roli i deputetit nuk është vetëm në Kuvend. Por në radhë të parë për të promovuar politikat e qeverisë në nxitje të punësimit.

Sipërmarrësit: Qëllimi jonë të dalim në tregun e huaj

Nga ana tjetër sipërmarrësi shqiptar shpjegoi se qëllimi i tyre është të afrojë biznese të tjera në fushën e prodhimit të konfeksioneve dhe daljen në tregun e huaj të markës “Made in Albania”.

“Tendenca jonë në një afat të shkurtër është që, nga sistemi fason të dalim si prodhues të drejtpërdrejtë në tregun vendas, pse jo edhe në tregun e huaj me markën “Made in Albania”, tha sipërmarrësi.

Ndërsa partneri italian në këtë bashkëpunim, Roberto Grassi, përfaqësues i falënderoi Kryeministrin, nga i cili mori mbështetjen për zhvillimin e kësaj sipërmarrjeje.

“Në takimin e parë, 6 muaj më parë, nuk më ofroi kafe. Më tha se, nuk ofronte asnjëherë kafe në vizitën e parë të dikujt, sepse dua të verifikoj që ata do të rikthehen më pas. E falenderojmë për gjithçka ka bërë”, u shpreh Roberto Grassi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat