Meta: Të hapen dosjet e sigurimit

Shqipëria

Meta: Të hapen dosjet e sigurimit

Më: 25 nëntor 2014 Në ora: 14:52

Pas paralajmërimit të kryeministrit Edi Rama, edhe Kreu i Kuvendit Ilir Meta është shprehur pro hapjes së dosjeve të sigurimit të shtetit, në kohën e diktaturës komuniste.

Deklarata u bë sot gjatë konferencës së përbashkët për shtypin, me homologun turk Çiçek. Meta deklaroi se hapja e dosjeve të sigurimit është në funksion të transparencës së opinionit publik, dhe se kjo procedurë duhet të kryhet duke iu përmbajtur Kushtetutës dhe pa cenuar sigurinë e shtetit.

Kreu i Kuvendit u shpreh se hapja e dosjeve është një proces që ka kohë që vijon, ndaj për këtë ai kërkoi që të mos bëhen gabimet e së shkuarës, por të bëhet një proces sa më transparent për opinionin publik.

“Procesi i hapjes së dosjeve është një proces që ka një histori 24-vjeçare. Unë jam dakord për hapje dhe transparencë, pa cenuar parimet kushtetuese të cilat janë shumë të rëndësishme, pasi i dimë problemet që kanë dalë në të kaluarën me ligjin e lustracionit. Kështu që çdo hapje do të ishte në funksion të transparencës së opinionit publik pa cenuar sigurinë e shtetit”, tha kreu i Kuvendit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat