"Zhvillimi arrihet krah për krah me Evropën"

Shqipëria

"Zhvillimi arrihet krah për krah me Evropën"

Më: 24 nëntor 2014 Në ora: 23:35

Politikisht, deri tani ia kemi dalë, por tani duhet t’ia dalim edhe ekonomikisht, dhe kjo duhet të bëhet krah për krah me Evropën. Kjo ishte deklarata e kryeministrit Edi Rama, që mbajti sot në Forumin Ekonomik të Vjenës.

Forumi Ekonomik i Vjenës, i cili këtë vit pati temë qendrore “Vizione dhe përgjegjësi në një kohë të ndryshimeve”, kishte si panelistë kryesorë të tij disa kryeministra nga rajoni, si kryeministri i Shqipërisë, i Bosnjës, i Maqedonisë, Malit të Zi, si dhe Presidentin e Austrisë Heinz Fischer.

Krerët e qeverive të rajonit, diskutuan mbi zhvillimet e fundit ekonomike në rajon, në bashkëpunim edhe me sipërmarrjen dhe institucionet më të rëndësishme financiare shumëpalëshe si BERZH, e cila sot publikoi raportin e vitit 2014, për zhvillimin e vendeve në tranzicion.

Kreu i qeverisë shqiptare deklaroi se qeveria beson te prosperiteti i rajonit si i tërë, dhe kërkon bashkëveprim të orientuar drejt projekteve të qarta.

“Unë besoj se ajo për të cilën ne kemi veçanërisht nevojë, sot e tutje, është të përqendrohemi në vendet tona dhe në rajon, në projekte të orientuara drejt rezultateve përmes qëllimeve dhe afateve të përcaktuara qartë”.

Duke folur për Shqipërinë, Rama tha se qeveria doli me një qasje krejt të re kundrejt zhvillimit ekonomik dhe se kjo qasje, bashkë me reformat e ndërmarra, sollën rezultate pozitive brenda një viti.

“Falë një sërë reformash dhe një ndryshimi në qasjen e qeverisë ndaj komunitetit të biznesit, ne si Shqipëri patëm një hov të konsiderueshëm në vetëm një vit, në Raportin e të Bërit Biznes: u ngjitëm 40 vende më lart”, theksoi kryeministri.

Sipas Ramës, bashkëveprimi, qëndrueshmëria dhe kreativiteti janë thelbësore për ta kthyer rajonin tonë në një treg shumë më të madh, dhe ta bëjnë atë edhe më tërheqës:

“Por përtej arritjeve tona personale, rajoni ynë duhet të përfaqësojë gjithmonë e më shumë një treg shumë më të madh dhe duhet të bëjë një ndryshim të madh në qoftë se ofrojmë parashikueshmëri, qëndrueshmëri dhe të gjejmë mënyra më kreative për ta bërë rajonin më interesant”.

Por ndërsa solli në vëmendje klimën e re pozitive që ekziston sot, në Ballkan, e mbështetur dhe inkurajuar edhe nga procesi i Berlinit, kryeministri theksoi se, që kjo situatë e re të jetë e qëndrueshme, kërkon edhe një nivel të ri të bashkëveprimit ekonomik ndërrajonal.

“Është gjithnjë e më e qartë se ajo që ne kemi nevojë dhe ajo që ne nuk mund të sigurojmë me mjetet tona, të ndarë nga njëri-tjetri, janë projektet në shkallë rajoni; projektet e infrastrukturës, projektet e sigurimit të energjisë dhe projektet e turizmit dhe akoma më shumë, gjëra që do bëjnë investitorët të kenë akoma më shumë besim dhe do të bëjnë që rajoni të jetë shumë më tërheqës për investitorët e mëdhenj. Politikisht, deri tani ia kemi dalë, por tani duhet t’ia dalim edhe ekonomikisht dhe kjo duhet të bëhet krah për krah me Evropën. Paqen që tashmë e kemi, duhet ta transformojmë në një paqe që ia vlen ta jetosh, dhe një paqe të cilën ia vlen ta jetosh, nuk mund të ekzistojë pa pasur projektet që do e bëjnë atë të denjë për ta jetuar”, tha Rama.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat