Balla: Saliu dhe Luli nxitin anarki

Shqipëria

Balla: Saliu dhe Luli nxitin anarki

Më: 24 nëntor 2014 Në ora: 15:33

Nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla, deklaroi sot se PS do të vijojë të respektojë çdo protestues, por jo kreun e Partisë Demokratike dhe ish-kryeministrin, të cilët kërkojnë vetëm anarki.

Balla deklaroi se qeveria nuk ka lëvizur asnjë premtim, dhe se sot pa u mbushur ende viti është bërë shumë më teoër sesa në 8 vjet.

Ndaj sipas Ballës, nuk mund të pretendosh që brenda një viti të rregullosh gjithçka që Berisha dhe Basha, “jo vetëm nuk rregulluan, por shkatërruan në 8 vjet”.

Deklarata e plotë:

“Ne respektojmë çdo protestë dhe çdo qytetar në protestë. Po nuk mund të respektojmë protestuesin Lulzim Basha dhe as protestuesin Sali Berisha. I pari është bërë zëdhënësi i njerëzve që s’duan t’i paguajnë dritat po duan të vazhdojnë ti vjedhin. I dyti dihet, është përgjegjësi kryesor për të gjitha plagët e mëdha që ne po kurojmë me reformat tona. Ne nuk do ta rrisim çmimin e energjisë, Luli e Saliu gënjejnë për të mbledhur partinë e çoroditur nga 1 milionë shuplakat e 23 qershorit. Ne nuk i kemi rritur taksat, përkundrazi i kemi ulur për 95 % të të punësuarve apo të vetëpunësuarve me anë të biznesit të vogël.

Luli e Saliu gënjejnë sepse e shohin që ekonomia, siç e konfirmon edhe FMN-ja, ka nisur të rimëkëmbet. Ata nuk e duan rimëkëmbjen e ekonomisë, duan anarki e turbullirë prandaj bëjnë thirrje për mospagim dritash e për shtet policor. Ne nuk po ndërtojmë një shtet policor, por po ndërtojmë shtetin që Luli e Saliu e kthyen në një repart bashibozukësh, duke nisur nga policia që ishte vendosur në prehrin e krimit.

Qeveria nuk ka lëvizur nga asnjë premtim. Legalizime falas? Patjetër. Deri më sot, pa u mbushur viti që kemi vënë në punë Agjencinë e Legalizimeve, është bërë më shumë se në tetë vjet bashkë. Po ç’janë këta që i kërkojnë hesap qeverisë për premtimet sapo është mbushur viti i parë, kur në tetë vjet shkatërruan, vranë, vodhën dhe e zhytën ekonominë në humnerën e borxheve?! Si mund të pretendosh që qeveria e re të rregullojë në 1 vit gjithçka që këta, Luli e Saliu, jo vetëm nuk rregulluan, por shkatërruan në 8 vjet.

Viti 2014 po mbyllet me rritje ekonomike 2,2%. Ndërkohë që Luli dhe Saliu ekonominë e zhyten në borxhe. Viti 2015 do jetë viti i parë që do të shënojë uljen e borxhit publik, akumuluar vit pas viti nga Luli dhe Saliu.

Nëse Luli dhe Saliu kërkojnë të nxisin anarkinë dhe turbullinë, nëse duan mosrespektimin e ligjit, është zgjedhja e tyre. Por kjo mazhorancë është e vendosur për të ndërtuar shtet, për të respektuar ligjin, pasi vetëm kështu mund të vazhdojnë reformat dhe rimëkëmbja e ekonomisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat