Braçe: Berisha s’paguan energji, të publikohet fatura e tij

Shqipëria

Braçe: Berisha s’paguan energji, të publikohet fatura e tij

Më: 24 nëntor 2014 Në ora: 15:31

Deputeti i Partisë Socialiste, Erjon Braçe, tha se reforma në sistemin energjetik shqiptar është e nevojshme, ndërsa pranoi se heqja e fashës së energjisë do të rrisë pagesën për shtresat e varfra.

Nga komisioni i Ekonomisë deputeti Erjon Braçe tha se është i vetëdijshëm që në protesta mund të ketë pasur njerëz shumë të varfër, por reforma në energji është e paevitueshme dhe e nevojshme për ta shpëtuar sistemin.

“Nuk i kemi mohuar askujt faktin që është një situatë shumë e rëndë dhe po marrim kosto të qartë politike për ta shpëtuar një herë e mirë sistemin, por të kemi përballë njerëz të cilët kundërshtojnë pagesën e energjisë elektrike dhe të nxisin kulturën e mos pagesës së energjisë për qëllime politike; të kemi përballë njerëz që të nxjerrin në rrugë njerëz që vërtet kanë hall e nevojë, por që janë kthyer për fat të keq gjithnjë e më të varfër për shkak të rrënimit total të gjithë sistemit elektro-energjetik shqiptar dhe kostot e mëdha, është e padrejtë dhe e pamoralshme”, tha Braçe.

Më tej deputeti socialist tha akuzoi sërish ish-kryeministrin Sali Berisha si shkaktarin kryesor të gjendjes katastrofike të sistemit energjetik edhe ekonomisë shqiptare në përgjithësi, siç e quajti.

Një tjetër akuzë drejtuar Berishës nga Braçja është se ish-kreu i Partisë Demokratike nuk ka paguar për 23 vite energjinë elektrike, ndërsa u bëri thirrje organeve përgjegjëse që të zbulojnë dhe publikojnë faturën e energjisë së ish-kryeministrit.

“E keni parë ndonjëherë Sali Berishën të shkojë të paguajë energjinë elektrike si qytetarë të këtij vendi, për të dhënë një shembull që unë e paguaj atë, jo. Jam kurioz të di se sa shkon fatura e tij, publikojeni se nuk është ndonjë hata e madhe”, tha deputeti i majtë Braçe.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat