Gjiknuri: Shërbimi gjeologjik s'ka vëmendjen e duhur

Shqipëria

Gjiknuri: Shërbimi gjeologjik s'ka vëmendjen e duhur

Më: 24 nëntor 2014 Në ora: 15:09

Fatkeqësisht, Shërbimi Gjeologjik Shqiptar është në listën e atyre institucioneve publike që shpesh nuk merr vëmendjen e duhur nga media dhe opinioni publik. Kjo ishte deklarata e ministrit të Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri ditën e sotme.

I pranishëm në konferencën “Gjeologjia, gjeoresurset dhe gjeoreziqet në qarqet e vendit”, ministri deklaroi se rreziqet gjeologjike, erozioni, rrëshqitjet apo shembjet e tokës janë një problem i vazhdueshëm ndaj nuk mund të neglizhohet shkenca që i studion pikërisht këto fenomene.

Pak muaj më parë, mazhoranca miratoi reformën e re administrative-territoriale, e cila natyrshëm do ta bëjë më efektiv pushtetin lokal duke e sjellë atë më afër qytetarëve, tha ministri.

“Qarqeve të vendit dhe njësive përbërëse të tyre u vihen në dispozicion të dhëna të plota për gjeologjinë, për mineralet, materialet e ndërtimit, burimet e ujërave sipërfaqësore dhe nëntokësore, gjithë problematikën e rreziqeve gjeologjike”, shtoi Gjiknuri.

Ky është një hap me rëndësi në drejtim të hartimit të projekteve të përbashkëta zhvillimore, në partneritet me organet e qeverisjes qendrore dhe biznesin vendas e të huaj, për të rritur të ardhurat, për të rritur nivelin e punësimit dhe ulur fenomenin e varfërisë.

Gjithashtu, ky studim do ju shërbejë investitorëve vendas e të huaj për tu orientuar drejt zonave ku ekziston mundësia më e madhe për të zbuluar rezervat e pasurive nëntokësore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat