Ngjela kërkon mbylljen e Bunk-artit

Shqipëria

Ngjela kërkon mbylljen e Bunk-artit

Më: 24 nëntor 2014 Në ora: 13:51

‘Kurrë mos iu shkojë në mendje se Bunk-arti i Ramës, në këmbë të Malit të Dajtit, është një muze për të treguar bunkerët e Enver Hoxhës, apo të regjimit komunist. Ai është një metodë e propagandës tipike totalitare për të hapur “legalisht” një muze për Enver Hoxhën’.
Kështu është shprehur në një status në ‘Facebook’, kreu i PLD, Spartak Ngjela ku ndër të tjera shkroi se ajo është një vepër e gjitha e ndërtuar nga kinezët, siç u ndërtua nën tokë dhe vetë Uzina e Traktorit, aty pranë.

‘Tani atje kanë mbledhur të gjitha reliket që kanë grumbulluar nga Enver Hoxha. Ku i gjetën reliket këta që vetë janë relike? Sepse, ai Bunker u vodh i gjithë në kohën e trazirave te vitit 1997. Është një dredhi për të na hapur një muze të Enver Hoxhës. Madje, prisni kur të na thonë se edhe shtëpia e Enver Hoxhës në Tiranë “duhet hapur për popullin”.

Priteni për disa ditë…Në ka të mjerë në këtë kohë, janë këta liderë që mendojnë për të kaluarën si një mit, sepse janë shterpë, janë antidemokratë, dhe nuk dinë të bëjnë asgjë. Janë ithtarë të Enver Hoxhës. Pse vërtet mendoni se Enver Hoxha do të mbante foton e tij të luftës në zyrën e tij? Kujt ia thonë këtë këta injorantë të tërbuar nga nxemja e brendshme që iu vjen nga përbuzja popullore për Enver Hoxhën, por edhe nga dashuria patologjike që vetë kanë për një kufomë që iu kujton pushtetin absolut. Pse e duan kufomën? Sepse janë njerëz që kanë ardhur në drejtim nga rasti, dhe që nuk janë në gjendje për të thënë e për të bërë asgjë’.

Ngjela ka akuzuar gjithashtu qeverinë se nuk është në gjendje të bëjë asnjë reformë, thjeshtë ajo ka mbetur në të kaluarën

‘Asnjë reformë nuk janë në gjendje të bëjnë, por duan të kaluarën. E duan si filozofi apo intencion, sepse janë vendosur përballë frikës së paaftësisë së tyre. Nëse ka një frikë të tmerrshme të brendshme për një qeverisës, është frika nga paaftësia e tij. Atëherë – drejtoju të kaluarës totalitare, për të zbutur dhimbjen që të jep injoranca jote! Ai bunker muze duhet mbyllur se është turp. Po ku ka sot vend në botë, në Evropë e në Amerikë, që, gjatë Luftës së Ftohtë, të mos këtë pasur e të mos ketë ende strehim antibërthamor për qeveritë? Kujt duan t’ia hedhin këta derdimenë që vetëm politikanë s’janë, se lere më demokratë, me këtë Muze të pacipë? Këta mbetën po injorantë që kërkojnë të ”pinë ujë” në çezmat e totalitarizmit, sepse kanë ndërtim totalitar, dhe mendojnë se kështu mund t’i heqin deri diku brezit të ri përbuzjen për Enver Hoxhën. Rama…mos u lodh kot, kurrë nuk do t’i gënjesh dot shqiptarët për Enver Hoxhën, sepse kufoma e tij kundërmon me duhmë erën e keqe të terrorit dhe krimit shtetëror’-shkruan Ngjela.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat