Basha “ultimatum” Ramës: Ndrysho rrugë ose protesta të reja

Shqipëria

Basha “ultimatum” Ramës: Ndrysho rrugë ose protesta të reja

Më: 24 nëntor 2014 Në ora: 11:58

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, paralajmëroi sot protesta të reja popullore nëse kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama nuk do të tërhiqet nga rruga që ka nisur.

Në një konferencë për mediat paraditen e sotme në mjediset e selisë blu, Basha i bëri thirrje kryeministrit Rama që të respektojë kontratën e premtimeve me shqiptarët dhe kjo sipas tij është e detyrueshme.

Ai foli për protestën e 22 nëntorit në bulevardin “Nënë Tereza”, duke falënderuar pjesëmarrësit të cilët sipas tij janë zëri i revoltës së qytetarëve shqiptarë ndaj qeverisë “Rama”.

“Respektimi i kontratës me shqiptarët nuk është premtim, por detyrim... Je kthyer në barrën më të padurueshme për popullin, ndaj ndrysho ose largohu”, tha Basha para medieve.

Nëse qeveria nuk do të ndryshojë rrugën e saj të reformave, kreu i PD-së “kërcënoi” me protesta të reja në vend. Ai i bëri thirrje Ramës që të mos rrisë çmimin e energjisë elektrike, të rishikojë buxhetin për vitin e ardhshëm dhe të mbajë premtimin për legalizimet falas.

“Nëse ti nuk do të ndryshosh rrugën që ke nisur, atëherë ne nuk do të ndalemi me protesta. Do të përballesh me forcën e revoltës popullore”, tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat