PD të hënën në Kushtetuese për ligjin e Shkollës së Magjistraturës

Shqipëria

PD të hënën në Kushtetuese për ligjin e Shkollës së Magjistraturës

Më: 24 nëntor 2014 Në ora: 00:27

Gjykata kushtetuese do të marrë në shqyrtim këtë të hënë kërkesën e Partisë Demokratike për ligjin e miratuar nga qeveria për Shkollën e Magjistraturës. Kushtetuesja do të vlerësojë kërkesën e PD-së për pezullimin e ligjit të miratuar nga qeveria në muajin shtator për disa ndryshime në ligjin nr.8136, datë 31.07.1996 për Shkollën e Magjistraturës. Ishte deputeti demokrat Eduard Halimi, i cili në emër të një grupi deputetësh të Partisë Demokratike, dorëzoi më 22 shtator në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për rrëzimin e 3 ligjeve të qeverisë.
Ligjet për të cilat PD kërkoi rrëzimin në Kushtetuese, lidheshin me tre prej institucioneve të pavarura të sistemit të drejtësisë dhe ishin ligjet për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, në Ligjin për Gjykatën Administrative, si dhe Ligjin për Shkollën e Magjistraturës të cilat sipas PD-së, cënojnë rëndë Kushtetutën dhe synojnë hapur kapjen politike të sistemit të drejtësisë. Ishin 10 deputetë të mazhorancës ata që propozuar disa ndryshime në ligjin “Për Shkollën e Magjistraturës”.

Ligji i propozuar nga deputetët e majtë kërkoi modernizimin e ligjit për shkollën e magjistraturës duke e përshtatur atë me kërkesat e kohës. Një tjetër kërkesë e mazhorancës në kohën e propozimit të këtij ligji ishin edhe ndryshimet ligjore në të cilat parashikonin rritjen e transparencës për emërimet në këtë shkollë, si dhe forcimin e kritereve të emërimit. Një tjetër amendim në ligjin e ndryshuar lidhej me mënyrën e caktimit të përfaqësuesve të sistemit gjyqësor dhe prokurorisë në Këshillin Drejtues të Shkollës, duke synuar rritjen e transparencës dhe pjesëmarrjes së të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve në procedurat përzgjedhëse.

Risi tjetër e ligjit ishte ajo që lidhej me rritjen e transparencës në përzgjedhjen e përfaqësuesve të trupës gjyqësore në Këshillin Drejtues të Shkollës së Magjistraturës. Kushtetuesja ka rrëzuar disa herë kërkesat e PD-së, për ligje të miratuara nga qeveria.

Ndërkohë ishte sërish Gjykata Kushtetuese ajo që rrëzoi kërkesën e Presidentit të Republikës për pezullimin e efekteve të ndryshimeve në ligjin “Për Këshillin e Lartë të Drejtësisë”.Kreu i shtetit ngriti pretendimet se me ligjin e ri, miratuar nga qeveria, cënoheshin drejtëpërdrejtë kompetencat e kryetarit të KLD-së, post që mbahet nga Presidenti i Republikës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat