''E rëndësishme të përballeni me të shkuarën''. Ambasadorët, pro hapjes së dosjeve

Shqipëria

''E rëndësishme të përballeni me të shkuarën''. Ambasadorët, pro hapjes së dosjeve

Më: 22 nëntor 2014 Në ora: 21:59

Hapja e bunkerit antiatomik të periudhës së diktaturës ka habitur edhe ambasadorët e Gjermanisë dhe SHBA-së në vendin tonë, të cilët morën pjesë në këtë aktivitet.

Në një prononcim për televizionin “A1 Report”, ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Helmut Hoffmann dhe ambasadori i SHBA-së, Aleksandër Arvizu, u shprehën se bunkeri ishte një surprizë e vërtetë, për nga hapësira dhe mënyra e ndërtimit.

Ambasadori Hoffman tha se shqiptarët duhet të përballen me të shkuarën, duke theksuar se hapja e dosjeve të komunizmit do t’i shërbejë shoqërisë. “Ishte një surprizë ajo që pashë këtu, nuk e prisja diçka të tillë. Në mëngjesin e sotëm, organizatorët më thanë se do të ishte një strukturë e madhe, por mendova do të jetë një bunker si vogël, nga ata që ju keni shumë në vend. Regjimi hoxhist duket se ka harxhuar shumë energji për ndërtimin e këtij bunkeri, ndërkohë që vendi ishte i zhytur në varfëri të madhe. Kjo është e para, së dyti jam shumë i impresionuar që ky bunker është i hapur tashmë dhe do të jetë i hapur për publikun. E them me bindje se kjo është pikërisht gjëja e duhur për të bërë, por jo vetëm bunkeri, por ka dhe ekzibicione artistike. Siç tha dhe kryeministri, që besoj ishte një fjalim i shkëlqyer, është shumë e rëndësishme të përballeni me të shkuarën, si një mënyrë e mirë për të ecur para”, u shpreh ai.

I pyetur për hapjen e dosjeve të regjimit, diplomati gjerman u shpreh se edhe Gjermania është përballur me disa situata të ngjashme të vështira. "Si me periudhën e regjimit katastrofik nazist dhe më pas me regjimin e Republikës Demokratike gjermane, duke hapur dosjet e shërbimit sekret “Stasi”. Në të dyja rastet ne hapëm dosjet, dhe kur u hapën ato të periudhës komuniste të Gjermanisë Lindore, pati shumë njerëz që u shokuan, pasi mësuan se shumë nga miqtë e tyre të ngushtë ishin spiunë ose bashkëpunëtorë të regjimit. Por pavarësisht se ishte një eksperiencë pak e hidhur, është një hap i shëndetshëm. Pra mund të them që në fund ishte diçka shumë pozitive për ne. Dhe besoj se edhe te ju do të jetë diçka që do i shërbejë shoqërisë, por ky është një debat që shqiptarët duhet ta zgjidhin me njeri-tjetrin”, tha Hoffman.

Ndërsa ambasadori i SHBA-së, Aleksandër Arvizu vlerësoi se kjo është një eksperiencë e jashtëzakonshme, për shkak të madhësisë së bunkerit.

"Fjalimi i kryeministrit ishte i shkëlqyer dhe mendoj se ishte një ide e shkëlqyer nga Ministria e Mbrojtjes dhe e Kulturës që bashkëpunuan mes tyre. Mendoj se duhet të bëhet më shumë publicitet për këtë strehim, dhe më shumë njerëz duhet ta dinë”, vlerësoi Arvizu.

Duke vënë në dukje se është diçka e mirë që të ketë një muze për periudhën komuniste, Arvizu tha se banesa e Enver Hoxhës në Bllok, mund të jetë një muze. “Është shumë e rëndësishme që njerëzit të dinë më shumë për atë periudhë. Mënyra më e mirë për të kuptuar të shkuarën, është duke patur një vlerësim të qartë dhe objektiv. Jo me propagandë dhe duke fshehur të kaluarën, por duke e nxjerrë të vërtetën. Mendoj se ky është një projekt shumë i mirë dhe kjo duhet të sjellë më shumë shtetas të huaj ta vizitojnë këtë vend. Por më e rëndësishmja mendoj se të rinjtë, studentët duhet të vijnë ta kenë me detyrim ardhjen e tyre, qoftë edhe njëherë këtu dhe të njihen me të shkuarën”, deklaroi ambasadori Arvizu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat