Bunkeri i Hoxhës, i padepërtueshëm nga sulmi atomik por jo nga kamerat e Edi Ramës

Shqipëria

Bunkeri i Hoxhës, i padepërtueshëm nga sulmi atomik por jo nga kamerat e Edi Ramës

Më: 22 nëntor 2014 Në ora: 12:29

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga shumë ministra të kabinetit të tij dhe drejtues të lartë të ushtrisë, mori pjesë sot në përurimin e një qëndre arti në afërsi të malit të Dajtit. Eshtë fjala për bunkerin gjigand, antiatomik, të ndërtuar nga regjimi komunist për të mbrojtur udhëheqësit e partisë në rast të një sulmi ushtarak. Brenda çmendurisë së kohës së atëhershme, ky bunker është tipik i paranojës së diktatorëve, përfshi edhe Enver Hoxhën.
Edi Rama, që herë i duhet të marrë me të mirë enveristët e herë t'i shpjegojë ambasadorit amerikan tmerret e diktaturës, u pa në siklet gjatë ceremonisë ndërsa luheshin disa melodi (pa tekst) të këngëve të luftës nacionalçlirimtare. Gjithsesi, organizatorët e eventit "bunkart", duke njohur shijet e kryeministrit ishin kujdesur që ngjyrat, ndriçimi dhe pozicioni i kamerave të ishin në perfeksion. Bunkeri antiatomik u depërtua edhe ai nga kamerat e Ramës, që transmetuan me regji qëndrore, gjithë këtë ngjarje.
Pjesmarrja e kryeministrit, një pjese të mirë të kabinetit, ambasadorëve të huaj, përfaqësuesve ushtarakë dhe atyre të mediave i dha kësaj ngjarje normale kulturore, përmasat e një feste kombëtare. Ndërkohë, pas entuziasmit të zbulimit të bunkerit, disa pyetje presin përgjigje. Lapsi.al është duke investiguar se kujt i është dhënë e drejta për të marrë në përdorim bunkerin e famshëm antiatomik, si është dhënë miratimi për këtë nga ministria e Mbrojtjes, a janë dhënë fonde publike për këtë event, sa dhe kujt? A qëndron prapa këngëve partizane ndonjë grup mediatik i lidhur me qeverinë? Në një kohë kur shumat për aktivitete të ngjashme si ky i Bunkerart, po lëvizin ngado, transparenca për to lë shumë për të dëshiruar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat