Nishani mesazh Xi Jinping, për 65-vjetorin e marrëdhënieve Shqipëri-Kinë

Shqipëria

Nishani mesazh Xi Jinping, për 65-vjetorin e marrëdhënieve Shqipëri-Kinë

Më: 22 nëntor 2014 Në ora: 10:41

Presidenti Bujar Nishani i dërgoi një mesazh homologut të tij kinez, Xi Jinping, me rastin e 65-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Kinës.

Kreu i shtetit, Nishani shpreh kënaqësinë e tij për ruajtjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve. Gjithashtu Nishani uron homologun e tij kinez, Xi Jinping, për rolin aktiv që Kina ka marrë në arenën dhe organizatat ndërkombëtare në përballimin e sfidave globale.

Mesazhi i Presidentit Nishani drejtuar homologut të tij, Xi Jinping:

65-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve tona, më jep kënaqësinë e veçantë që t’ju përcjell, në emrin tim dhe të popullit shqiptar, urimet më të ngrohta dhe të përzemërta për Ju dhe popullin mik kinez.

Shqipëria ka qenë ndër vendet e para që ka pasur dëshirën dhe vullnetin për të vendosur marrëdhënie diplomatike me Kinën. Marrëdhëniet tradicionale, ndihma e vazhdueshme e popullit kinez për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, si dhe eksperiencat e shumëfishta të bashkëpunimit, të krijuara mes dy vendeve tona përgjatë këtyre viteve, e kanë bërë edhe më të fortë ndjenjën e miqësisë mes dy popujve tanë.

Jam vërtet i lumtur që sot dy vendet tona, Republika e Shqipërisë dhe Republika Popullore e Kinës, ruajnë marrëdhënie të shkëlqyera dhe kanë një nivel shumë intensiv bashkëpunimi, në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë. Dinamika e këtij bashkëpunimi në dy dekadat e fundit ka njohur një marrëdhënie të re cilësore, marrëdhënie që reflekton jo vetëm zhvillimet pozitive në të dy vendet tona, por krijon hapësira edhe më të mëdha për forcimin dhe zgjerimin e këtij bashkëpunimi. Ju siguroj se, Republika e Shqipërisë i kushton një rëndësi shumë të madhe e të veçantë, forcimit të bashkëpunimit me Republikën Popullore të Kinës dhe ka vullnetin për t’i konkretizuar këto marrëdhënie miqësore e tradicionale në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë.

I nderuari Zoti President, kam kënaqësinë gjithashtu që, në këtë përvjetor të marrëdhënieve diplomatike mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Popullore të Kinës të përshëndes zhvillimet e mëdha e të vrullshme të vendit Tuaj, si dhe rolin gjithnjë e më aktiv që vendi juaj ka marrë në arenën dhe organizatat ndërkombëtare në përballimin e sfidave globale.

Duke ju siguruar edhe njëherë për ndjenjat e miqësisë së popullit shqiptar, Ju lutem pranoni, i nderuar Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat