Nishani dekreton ligjin për faljen e kamatëvonesave të pensioneve në bujqësi

Shqipëria

Nishani dekreton ligjin për faljen e kamatëvonesave të pensioneve në bujqësi

Më: 22 nëntor 2014 Në ora: 08:29

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani dekretoi hyrjen në fuqi të ligjit për faljen e kamatë vonesave të pensioneve në bujqësi. Ligji “Për faljen e kamatëvonesave dhe gjobave për kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore të papaguara nga personat e vetëpunësuar në bujqësi” u miratua nga Parlamenti më 18 nëntor ndërsa vetëm dy ditë më vonë kreu i shtetit ka nxjerrë dekretin futjen e tij në fuqi.

“Dekretoj: Shpalljen e ligjit nr. 153/2014 “Për faljen e kamatëvonesave dhe gjobave për kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore të papaguara nga personat e vetëpunësuar në bujqësi”, dhënien e pëlqimit për hyrjen në fuqi menjëherë të ligjit nr. 153/2014 “Për faljen e kamatëvonesave dhe gjobave për kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore të papaguara nga personat e vetëpunësuar në bujqësi”, thuhet në dekretin e kreut të shtetit. Ky ligj parashikon që të gjithë të vetë punësuarit në fshat do të mund të paguajnë deri në datën 31 dhjetor, vitet e prapambetura të sigurimeve pa asnjë gjobë. Por dita e fundit e këtij viti do të jetë dhe afati i fundit kur kontributet do të paguhen me vlerën e vitit që kërkohet të sigurohet.

Duke nisur nga 1 janari, vlera e tyre do të jetë e njëjtë me çmimin në vitin kur paguhet, i cili pritet të ketë një rritje të ndjeshme. Madje, gjatë raportimeve në Kuvend, u tha se deri në vitin 2018 do të ketë një barazim të vlerës që paguhet për sigurimet në fshat me atë në qytet. Për 20 vite pune, që nisin nga viti 1994, çdo i vetëpunësuar në bujqësi, që jeton në zona fushore, do të duhet të paguajë 201 mijë lekë në total. Ndërsa ata që jetojnë në zonat malore, do të paguajnë 139 mijë lekë. Pagesat janë vetëm për kontributet, pasi nuk do të aplikohen gjoba për kamatëvonesat. Zv.ministrja e Mirëqenies Sociale, Bardhylka Kospiri u shpreh në Komisionin e Ligjeve se “vetëm për të siguruar vitin 1996 mjafton të paguash 1620 lekë”. Në dokumentin zyrtar të Parlamentit thuhet se personave të vetëpunësuar në bujqësi u falen kamatëvonesat dhe gjobat e kontributeve të sigurimeve shoqërore, të papaguara deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji.

Të vetë punësuarit mund të paguajnë kontributet e sigurimeve shoqërore për periudha të kaluara dhe për vitin 2014 pa kamatëvonesa. Ndërsa për sa i përket kamatëvonesave dhe gjobave të papaguara ligji parashikon që të falen edhe kur kontributet për sigurimet shoqërore janë paguar para hyrjes në fuqi të këtij ligji. Data 31 dhjetor 2014 është caktuar si afati i fundit që personat të vetëpunësuar në bujqësi të përfitojnë nga falja e kamatëvonesave dhe gjobave. Ndërsa kamatëvonesat dhe gjobat për kontributet për sigurimet e detyrueshme shoqërore, të paguara para hyrjes në fuqi të këtij ligji, nuk kthehen.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat