Kokëdhima: Do të kërkojmë fonde nga BE-ja

Shqipëria

Kokëdhima: Do të kërkojmë fonde nga BE-ja

Më: 21 nëntor 2014 Në ora: 21:56

Deputeti i Partisë Socialiste, Koço Kokëdhima ka sqaruar opinionin publik për deklaratat e një ditë më parë për legalizimin e kanabisit në Shqipëri.

Gjatë një interviste për gazetaren Mirela Milori në “ABC News”, deputeti Kokëdhima sqaroi se deklarata e tij është keqkuptuar, duke thënë se ideja ka qenë vetëm për një lloji kanabisi të veçantë në Shqipëri që ka vlera të veçanta mjekësore.

Ai tha se nuk bëhet fjalë për liberalizimin e tregut të drogës, por për kultivimin në mënyrë ligjore dhe të kontrolluar të një lloji kanabisi që do t’i shërbente tregut farmaceutik dhe që mund t’i sillte shumë të ardhura vendit tonë.

Gjithashtu, deputeti u shpreh se është kategorikisht kundër trafikut të lëndëve narkotike, ndërsa shprehu mbështetjen për superaksionin e qeverisë dhe policisë së shtetit për asgjësimin e parcelave të kanabisit në Lazarat, duke nënvizuar se koha e narkotrafikantëve ka ikur njëherë e përgjithmonë.

“Lufta e madhe e e rëndësishme vuri nën kontrollin gjithë territorin, sepse në Lazart s'hynin dot as gazetarët dhe policia dhe ishte një realitet ku qeveria nuk kishte kontroll mbi territorin dhe ajo luftë ktheu në burg qindra kriminelë. Ajo luftë i hoqi Shqipërisë imazhin si vendi i narkotrafikut në Europë”, tha Kokëdhima.

Pyetje: Si doni që shteti të merret me kultivimin e kanabistit?

"Lufta që bëri qeveria u shoqërua me asgjësimin e plantacioneve ku prodhohej një sasi e madhe kanabisi që eksportohej në Europë. Kjo sasi e madhe nuk është pa ndikim në ekonominë e qyetetarëve të Shqipërisë", tha deputeti, i cili shtoi se bujqësia shqiptare do të përfitonte në mënyrë të padiskutueshme nga legalizimi.

Referuar mënyrës sesi shteti mund ta rregullojë legalizimin dhe tregtimin e kanabisit, Kokëdhima solli shembullin e vendeve europiane që tashmë kanë legalizuar, duke thënë se çdo vend bën rregullimet e veta.

Duke folur më tej për këtë temë, Kokëdhima argumentoi efektet pozitive në ekonomi, nëse aktiviteti licencohet, si në disa vende të Europës. Deputeti u shpreh se subvencionimi në bujqësinë shqiptare mund të negociohet me vendet e BE-së, në të cilat bujqësia subvencionohet me shuma shumë të jashtëzakonshme parash.

Kokëdhima theksoi nevojën e vendit tonë për t’u mbështetur nga Europa me grante për bujqësinë. "Kemi arsye dhe argumente t’i këkojmë BE-së më shumë mbështetjen për bujqësinë shqiptare", theksoi ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat