Posta Shqiptare, marrëveshje me Italinë për lehtësimin e procedurave

Shqipëria

Posta Shqiptare, marrëveshje me Italinë për lehtësimin e procedurave

Më: 21 nëntor 2014 Në ora: 20:01

Me qëllim lehtësimin dhe përshpejtimin e proçedurave të përkthimit dhe legalizimit, si dhe për të ulur shpenzimet e qytetarëve, Ambasada e Italisë nënshkroi sot një marrëveshje me Postën Shqiptare, falë së cilës, duke nisur nga data 1 dhjetor 2014, personat e interesuar do të vazhdojnë të paraqiten një herë të vetme pranë Zyrave Postare per të kërkuar njëkohësisht Vulën Apostille dhe përkthimin/legalizimin nga ana e Zyrës konsullore të Ambasadës.

Marrëveshja u nënshkrua nga Ambasadori italian në vendin tonë, Massimo Gaiani dhe Drejtori i Përgjithshëm i Postës Shqiptare, Majlind Lazimi. Marrëveshja e re, përveçse do të lehtësojë proçedurat për publikun, do të bëjë të mundur të ulet ndjeshëm koha e nevojshme për legalizimin e dokumenteve (për dokumentacionin e përkthyer më parë, nga ana e një përkthyesi të betuar, që rezulton i rregullt dhe pa gabime, maksimumi 10 dhjetë ditë pune; për dokumentacionin që është për t’u përkthyer nën kujdesin e Ambasadës, maksimumi 30 ditë në periudhë fluksi normal, që mund të shtyhet deri në një maksimum 60 ditë në periudha fluksi të madh të pushimeve verore korrik-shtator dhe dimërore dhjetor-janar) dhe të ulë shpenzimet për qytetarët: veç tarifave të shërbimit konsullor dhe vulës apostille, qytetarit do t’i duhet të paguajë për shërbimin postar 400 lekë në rast se do të paraqesë dokumentet në Tiranë ose 550 lekë nese do të dorëzojë dokumentet në njërin nga 9 qytetet tek të cilat ështe funksional shërbimi.

Shërbimi do të jetë aktiv në Zyrat Postare qendrore të Tiranës, Durrësit, Elbasanit, Pogradecit, Korçës, Shkodrës, Lezhës, Kukësit e Peshkopisë.

Mënyrat e funksionimit të këtij shërbimi

1) PARAQITJA E DOKUMENTEVE ME OSE PA PËRKTHIM:

Ambasada italiane kryen eskluzivisht përkthimet në italisht të dokumetave të mëposhtme: Çertifikatave të gjendjes civile (Çertifikatë lindjeje, Çertifikatë personale, Çertifikatë të gjendjes familjare, Çertifikatë të trungut familjar, Estrakt akti lindjeje, Estrakt të aktit të martesës, Çertifikatë martese, Çertifikatë vdekjeje) dhe dëshmi penaliteti. Pra, këto lloj dokumentesh mund të dorëzohen të papërkthyera në Zyrat Postare.

Ndërsa, të gjitha dokumentet e tjerë duhet detyrimisht të dorëzohen në Zyrat Postare, të pajisura me përkthimin në gjuhën italiane, të kryer eskluzivisht nga Istituti italian i Kulturës ose nga një përkthyes i betuar i njohur nga Ministria e Drejtësise shqiptare (për listën e përkthyesve klikoni këtu). Ambasada italiane, në këto raste, do të marrë përsipër legalizimin e firmës së përkthyesit të betuar ose të funksionarit të Istitutit italian të kulturës, i cili ka kryer përkthimin.

2) PROÇEDURAT E PARAQITJES SË DOKUMENTEVE:

Qytetari duhet thjesht të drejtohet në njërën nga 9 Zyrat Postare të autorizuara, gjatë orareve zyrtare të zakonshme dhe pa e patur të nevojshme të caktojë paraprakisht një takim, duke kërkuar shërbimin e kombinuar të Apostillës/Legalizimit pranë Ambasadës Italiane, duke paraqitur dokumentet me ose pa përkthim, në varësi të llojit të dokumentit (shih piken 1). Zyra Postare do t’i kërkojë qytetarit të plotësojë një formular i cili përmban të dhenat e tij personale dhe kontaktet telefonike (per çfarëdolloj komunikimi nga ana e Ambasadës) dhe do të kthejë dokumentet, të pajisura me vulën Apostille dhe përkthimin/legalizimin.

3) AUTORIZIMI PËR PARAQITJEN E DOKUMENTEVE:

Dokumentat mund te paraqiten pranë Zyrave Postare njësoj si nga titullari (i cili duhet të ketë me vete një dokument idenititeti) ashtu dhe nga një person i tretë, i paisur me autorizimin përkatës. Personi i tretë i autorizuar, duhet të ketë detyrimisht një fotokopje të dokumentit të identitetit të titullarit të dokumentit (tek i cili të jetë e lexueshme mirë firma e të interesuarit) dhe një autorizim të nënshkruar nga ky i fundit (KUJDES: firma tek autorizimi dhe ajo tek dokumenti i identitetit duhet të jenë identike, në rast të kundërt autorizimi nuk do të pranohet).

4)ÇMIMET E SHËRBIMIT TË PËRKTHIMEVE/LEGALIZIMEVE TË DOKUMENTEVE:

a) Përkthimi i çertifikatave të gjëndjes civile (Çertifikatë lindjeje, çertifikatë personale, Çertifikatë e gjendjes familiare, Çertifikatë e trungut familjar, Estrakt akti lindjeje, Estrakt akti martese, Çertifikatë martese, Çertifikatë vdekjeje): 7 euro për certifikatë;

b) Përkthimi i dëshmive të penalitetit: 14 euro për dëshmi;

c) Legalizimi i të gjitha akteve të tjera te përkthyera: 17 euro për dokument.

SHËNIMN: Qytetarët duhet të paguajnë pranë Zyrave Postare ekuivalenten në lekë të tarifës konsullore të sipërpërmendur (çmimi në lekë ndryshon çdo tremujor, në bazë të taksës së këmbimit të përcaktuar nga Ambasada Italiane në Tiranë).

Për te gjitha sqarimet ose informacionet mbi sistemin e ri të përkthimit/legalizimit të dokumenteve pranë Ambasadës Italiane nëpërmjet Zyrave të Postës Shqiptare, publiku mund t’i drejtohet Zyrës Konsullore të Ambasadës italiane në Tiranë në adresën e email-it ([email protected]) ose në numrin e telefonit (04 2275942).

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat