Edi Rama dhe fyerjet në mediat serbe

Shqipëria

Edi Rama dhe fyerjet në mediat serbe

Më: 21 nëntor 2014 Në ora: 19:40

- Mediet serbe kanë arritur që ta kthejnë lajmin e vizitës historike të Kryeministrit shqiptar, Edi Rama, në një fushatë kundër tij. Ka dallime në qëndrimet e tabloidëve të qarkullimit masiv dhe gazetave serioze, por tonet antishqiptare janë të dukshme dhe dallohen kudo. Përpjekje të pakta u bënë për t’i analizuar marrëdhëniet e ndërlikuara midis dy vendeve; stereotipet dominuese ishin: “ne”, të moderuarit dhe “ata”, ekstremistët dhe provokuesit.

“Shpata e Ramës kundër serbëve në zemër të Beogradit”, “I paturpi shqiptari Edi Rama”, “Katër provokimet e Ramës në zemër të Serbisë”, “Vuçiç ia mbylli gojën provokuesit”, “Rama, kjo nuk është Tiranë”. Këto ishin disa nga titujt e faqeve të para të tabloidëve si “Kurir”, “Informer”, “Blic” dhe “Alo”, të cilat, së bashku, përbëjnë ajkën e shtypit serb. Gazetat “Vecernje novosti” dhe “Politika” shkruanin se “Rama erdhi për të provokuar” dhe “Provokimi i ri shqiptar”. Megjithatë, referuar çështjes, “Politika” bëri një analizë serioze të vizitës.

Vetëm “Danas”, një gazetë liberale me shpërndarje të vogël, shkroi në faqen e parë për incidentin diplomatik, që incioi fushatën e pisët: “Rama: Pavarësia e Kosovës është një realitet. Vuçiç: Kosova dhe Metohija i përkasin Serbisë me Kushtetutë”. Dallimi në qëndrimin midis kësaj gazete dhe shtatë të tjerave të përmendura më lart, është i dukshëm. Ndërsa “Danas” përshkruan se çfarë e nxiti incidentin diplomatik, gazetat e tjera, qartazi sugjerojnë se Kryeministri shqiptar është një ngatërrestar.

Tabloidet kanë bërë gjithçka kanë mundur për ta pasuruar historinë me detaje pikante për jetën e Edi Ramës, por edhe nga vizita. U publikuan fotot e tij nudo, ndërsa në lajme u përfol se ai kishte veshur këpucë të larta, që të mos dukej më i shkurtër se Vuçiç (të dy kryeministrat janë shumë ta gjatë). Në përpjekje për ta bërë qëndrimin “provokues” të Ramës më të dukshëm, një nga tabloidët shkruajti se Vuçiç duhet të priste 27 sekonda para se Kryeministri Rama të dilte nga makina dhe ta përshëndeste.

Fushata

Ky qëndrim informues rreth kësaj vizite shumë të rëndësishme të Kryeministrit Edi Rama në Serbi lidhet me paaftësinë e qeverisë për t’i shpjeguar me përgjegjësi publikut çështjet që ndikojnë krejt rajonin për shkak të Kosovës. Fakti se mediet serbe iu bashkuan fushatës anti-Shqipëri dhe fajësuan deklaratat e Ramës, pa përpjekje serioze për t’i analizuar në tërësi marrëdhëniet mes dy shteteve, është një konfirmim tjetër i ndikimit të qeverisë në medien vendase.

Serbia nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, por e di se Shqpëria është sponsori i saj në rajon. Kryeministri serb, Vuçiç priti që Rama të tregohej më i ndjeshëm dhe të mos e përmendte Kosovën, por kjo nuk ndodhi. Ai reagoi shpejt dhe në mënyrë emocionale. Politikanët e tjerë serbë ndoqën të njëjtën linjë me deklaratat e tyre në medie, duke i lënë në sfond rezultatet e këtij takimi historik.

Mediet serbe e interpretuan qëndrimin e Vuçiçit si një sinjal për të filluar një fushatë të ashpër në media dhe përshtypja është se tabloidët e bënë këtë me qëllim, për të rritur shanset e shtimit të shitjeve dhe shpërndarjes. Sigurisht, ka pasur përpjekje për ta analizuar seriozisht vizitën, domethënien e saj dhe pasojat e mundshme, por vetëm prej një pakice mediesh të shkruara apo elektronike. Diskutimet e lira dhe të qarta të pozicioneve të ndryshme gjetën hapësirë në rrjetet sociale, në veçanti në “Twitter”.

Mjaftonte një lexim i shpejtë i faqeve të para të gazetave një ditë pas mbërritjes së Ramës në Beograd për të kuptuar se nuk kishte ndasi midis politikës editoriale dhe interesave vetjake të botuesve, politikanëve dhe qendrave të tjera të pushtetit. Në të kundërt, do të kishim lexuar refleksione lidhur me marrëdhëniet midis Serbisë dhe Shqipërisë, interesave dhe dallimeve që i bashkojnë e i ndajnë ato, si deh arsyeve që e çuan Ramën të prekte çështjen e Kosvës gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, në praninë e Kryeministrit serb.

Politika

Natyrisht, Rama mund ta kishte shmangur deklaratën për Kosovën, çka do të kontribuonte në një dialog më konstruktiv, por ai ndoshta mendoi se një deklaratë e këtij lloji nuk do të ishte aq e dëmshme dhe se publiku shqiptar dhe kosovar, veçanërisht sektorët e tij më nacionalistë dhe ultranacionalistë, do ta kishin pëlqyer mesazhin e qartë të mbështetjes së vëllezërve kosovarë. Ai e dinte, megjithatë, se palës serbe nuk do t’i vinte mirë dhe se Vuçiçi do të reagonte. Prapëseprapë, ai dëgjoi replikën e Vuçiçit pa siklet dhe nervozizëm, duke u përpjekur të përqendrohej te lidhjet e së ardhmes midis dy vendeve.

Natyrisht, Vuçiçi mund të kishte reaguar me më tepër diplomaci dhe më pak emocion. Megjithatë, shumë më tepër sesa bëri Rama, ai duhet të merrte në konsideratë përshtypjen që episodi do t’i linte elektoratit, veçanërisht qarqeve nacionaliste dhe ultranacionaliste. Meqënëse rrënjët e tij politike janë në partinë ultranacionaliste, Partinë Radikale Serbe (SRS), ai nuk mund të pranonte që Kryeministri shqptar të shpallte pavarësinë e Kosovës “në qendër të Beogradit”.

Kombinimi i qëndrimit të politikanëve të paaftë për t’u përballur me përgjegjësi me problemin e madh të Kosovës dhe fushata e medies serbe e çon situatën në Kosovë një hap mbrapa, në kohën kur Beogradi refuzoi të pranonte ndonjë kontakt me qeverinë e Kosovës dhe “i ndëshkoi” vendet fqinje se që njohën pavarësinë e Kosovës me tërheqjen e ambasadorëve.

Megjithëse shumica e vendeve të Bashkimit Europian besojnë se Rama u soll në mënyrë provokuese gjatë vizitës në Beograd, ata nuk mund ta pranojnë reagimin e homologut serb, pasi ato e dinë se një fjali e vetme mund të mjaftojë për ta kthyer atmosferën pas, në periudhën para negociatave me Kosovën dhe para nënshkrimit të marrëveshjes me Brukselin. Njëkohësisht, media u përdor për të përhapur intolerancën, në vend të përdorej për ta informuar opinionin publik në mënyrë objektive dhe korrekte, po ashtu, edhe për t’u dhënë zë pozicioneve kritike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat