Veliaj: Deklaroni pagën e paguani sigurimet, për pension të lartë

Shqipëria

Veliaj: Deklaroni pagën e paguani sigurimet, për pension të lartë

Më: 21 nëntor 2014 Në ora: 15:22

Mosdeklarimi i pagës së plotë apo mospagesa e sigurimeve shoqërore vret punonjësit, pasi do marrin pension të ulët. Këtë thirrje ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, ia bëri punëtorëve dhe kompanive që ushtrojnë funksionin e tyre në Shqipëri.

Në këtë mënyrë ministri kërkoi ndërgjegjësimin për të deklaruar pagën reale dhe të paguajnë sigurimet, në mënyrë që të përfitojnë pensione më të larta pas 1 janarit 2015. Gjatë aktivitetit në një kompanie private për “1000 ditë pa aksidente në punë”, ministri Veliaj u shoqërua edhe nga Drejtori i Inspektoratit të Punës, Dritan Ylli.

“Sot kemi shumë raste kur punonjësit punojnë ose në të zezë, ose nuk i deklarojnë sigurimet shoqërore, ose deklarojnë vetëm pagën minimale. Kjo është vrastare për jetën e një punëtori, sepse do të thotë se në të ardhmen ai do të marrë një pension qesharak. Nëse dikush punon në të zezë, mund të mbijetojë për pak kohë, por nuk do të ketë se me çfarë të jetojë kur të dalë në pension”, u shpreh në fjalën e tij ministri.

Veliaj theksoi se, “sa më shumë vite pune dhe sa më e vërtetë rroga, aq më i lartë del pensioni”.

Nga ana tjetër, Veliaj paralajmëroi se Inspektorati i Punës do të tregohet i rreptë me ato kompani që nuk paguajnë sigurimet shoqërore për punëtorët e tyre, si dhe u bëri thirrje punonjësve të raportojnë raste të tilla pranë Inspektoratit apo Ministrisë.

“Detyra e shtetit është që të kemi një legjislacion të fortë. Kjo është arsyeja pse vetëm këtë vit kemi kaluar katër paketa të tjera ligjore që forcojnë legjislacionin, çka do të thotë se kemi instrumente për të inspektuar edhe aty ku kompanitë nuk kanë sensin e etikës”, tha ministri Veliaj.

Ndryshime në legjislacion i mundësojnë Inspektoratit të Punës të ketë akses në vendet e punës dhe të sigurohet se të drejtat e punëtorëve respektohen, si dhe aty ku nuk respektohen të gjobiten.

Drejtori i Inspektoratit të Punës, Ylli, nënvizoi se, “ajo që ne po mundohemi çdo ditë është që, të rrisim ndërgjegjësimin e krijimit të një mjedisi të shëndetshëm në punë për punonjësit”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat