Rama: Askush s’e ndal aksionin kundër vjedhësve të energjisë

Shqipëria

Rama: Askush s’e ndal aksionin kundër vjedhësve të energjisë

Më: 21 nëntor 2014 Në ora: 15:20

Kryeministri i vendit, Edi Rama, ka folur sërish për vjedhjen e energjisë elektrike në vend, ndërsa është shfaqur i palëkundur në synimin e tij për vijimin e aksionit në të gjithë vendin për ndëshkimin e personave që vjedhin energjinë.

Duke në mbrojtje personave me aftësi të kufizuar, Rama shkruan në profilin e tij në “Facebook” se asgjë nuk e ndal operacionin kundër vjedhjes masive dhe hajdutëve të paskrupullt të energjisë.

“Edhe njëherë për cilindo këtu që thotë s'kemi lek të paguajmë energjinë:

98% e pensionisteve e paguajnë! 93% e personave me aftësi te kufizuar, invalidë, paraplegjikë e tetraplegjikë e paguajnë! Kush është më i dobët se këta le të flasë, po më të dobët se këta nuk ka dhe krim kush e vjedh pa e paguar e turp kush thotë si ta paguaj kur nuk është as pensionist e as invalid!

Asgjë nuk e ndal operacionin kundër vjedhjes masive dhe hajdutëve të paskrupullt të energjisë, të cilët të gjithë së bashku i grabisin këtij vendi çdo vit aq sa shteti paguan në vit për gjithë kujdesin social; aq sa kushtojnë 100 km rrugë kombetarë; aq sa kushtojnë 150 shkolla të standarteve europiane; aq sa kushtojnë 6 spitale rajonale; aq sa paguajnë për shtetin të gjitha kompanitë!”, shkruan Rama.

Më tej kryeministri thotë se kjo është mënyra më e mirë për ta bërë Shqipërinë një shtet të denjë për shqiptarët.

“Jo, s'ka asnjë rrugë tjetër për të bërë Shqipërinë dhe shtetin e denjë të shqiptarëve! Secili të marrë përsipër pjesën e vet dhe të gjithë të bashkuar ta kuptojmë se të respektosh ligjin dhe të paguash detyrimet e tua është patriotizëm, ndërsa të vjedhësh është krim që dënohet me ligj e të jetosh në kurriz të shoqërisë është parazitizëm që nuk mund të tolerohet më tutje”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat