Kokëdhima: Të licencohet prodhimi i kanabisit për industrinë farmaceutike

Shqipëria

Kokëdhima: Të licencohet prodhimi i kanabisit për industrinë farmaceutike

Më: 21 nëntor 2014 Në ora: 12:13

Deputeti i PS-së në qarkun e Vlorës, Koço Kokëdhima, u bëri thirrje autoriteteve shtetërore që të marrin në konsideratë idenë e licensimit të prodhimit të kanabisit për industrinë farmaceutike dhe nga ana tjetër sugjeroi që t’u kërkohet autoriteteve të BEsë që të subvencionojnë bujqësinë shqiptare me 200-250 milionë dollarë në vit, për disa vite rresht. Sugjerimet u bënë në komisionin e Ekonomisë dhe Financave për problemet e bujqësisë dhe prezantimit të projektbuxhetit për vitin 2015. Deputetët kërkuan një strukturim dhe menaxhim më të mirë të këtij sektori ekonomik, në një kohë kur e kanë vendosur edhe në prioritet zhvillimin bujqësor dhe blegtoral. Më poshtë është debati i plotë mes ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave, Edmond Panariti dhe deputetit të komisionit të Ekonomisë, Koço Kokëdhima.

Koço Kokëdhima: Po shfrytëzoj mundësinë të parashtroj këtu vlerësimin dhe komplimentet e mia për punën tuaj si ministër zoti Panariti, punë të cilën e vlerësoj shumë. Pyetja e parë: A keni menduar ju që ta ndryshoni skemën e dështuar të vaditjes përmes shoqatave të vaditjes që është aktualisht në fuqi? Kjo është një situatë që ju e njihni shumë mirë. Edhe kolegët besoj e njohin po kaq mirë. Ne duam të dimë se, me çfarë skeme funksionale do të zëvendësohet kjo situatë dështimi dhe komprometimi, për çdo projekt që sipërmarrësit mund të ngrenë? Pyetja e dytë: Ju bëtë një bashkëbisedim të gjerë dhe këtu kam parasysh dikasterin tuaj dhe të gjithë institucionet në varësinë tuaj, gjatë periudhës gusht-shtator me të gjithë aplikantët për subvencione në bujqësi dhe blegtori, në jug të Shqipërisë. Në këtë bashkëbisedim dolën një sërë çështjesh të rëndësishme, që kushtëzojnë suksesin dhe zhvillimin e bujqësisë. Katër vepra u kualifikuan si emergjenca në fushën e vaditjes: 1-Kanali vaditës ‘Thoma Filipeu’; 2- Rezervuari i Janjarit; 3-Vepra vaditëse “Kallarat- Vranisht-Tërbaç”; dhe 4-Kanali vaditës i Kalasës, në Komunën e Rëzomës. Ky i fundit është rindërtuar me kredi të Bankës Botërore, por asnjëherë nuk është vënë në punë. Këto katër vepra vënë nën ujë Vurgun, bregdetin, labërinë dhe të gjithë zonën e Konispolit e Xarrës. Pa këto vepra vaditëse, çdo projekt dhe çdo ëndërr projekti që mund të ngrihet për bujqësinë në jug do të rezultojë një dështim. Keni planifikuar ju në buxhetin e 2015 të rregulloni e vini në punë ndonjë nga këto vepra? Në se jo, a keni ndër mend që t’i rregulloni në një kohë të caktuar, në një datë të caktuar, në një periudhë të caktuar? Kur mendoni ju ti rregulloni këto vepra? Pyetja e tretë. Pyetjen tjetër e kam nga ‘zona’ e kanabisit. Kjo është pak e komplikuar për ta diskutuar, sepse njerëzit janë shumë të kompleksuar kur flasin për tema të tilla. Unë dua ta shoh këtë çështje në një këndvështrim tjetër nga ai që është trajtuar rëndom deri tani.

Qeveria e 23 qershorit bëri një luftë të një rëndësie të madhe dhe e çliroi Shqipërinë nga imazhi shkatërrues si vendi i narkotrafikut në Europë. Kjo luftë ktheu nën kontrollin e shtetit dhe qeverisë çdo pëllëmbë të territorit të vendit, ç’armatosi e shpërbëri disa banda të armatosura dhe ktheu nëpër burgje shumë kriminelë, që nuk duhet të ishin të lirë. Por këtu dua ta shoh çështjen nga një këndvështrim tjetër. Qeveria jonë ka raportuar që ka shkatërruar 7.5 miliardë euro drogë dhe se prodhimi vjetor i kanabisit në Shqipëri ishte në një shifër shumë të lartë. Padyshim që një pjesë e këtyre të ardhurave, një shifër disafish më e madhe sesa shifra tejet modeste që parashikon buxheti ynë i vitit 2015 për subvencione e investime në bujqësi, ishte e destinuar për bujqit që merreshin me prodhimin e kanabisit. Ndëshkimet penale nuk janë zgjidhje e vetme për të gjithë këta bujq që nuk kanë gjetur një rrugë tjetër për të nxjerrë jetesën e tyre. Zhvillimi për këto zona duhet të ishte një alternativë e mirë që këta njerëz të mos ëndërrojnë më për kanabis dhe të mos na shohin ne si shkatërruesit e jetës dhe të punës së tyre. Ka një plan real ministria juaj për të zhvilluar me përparësi zonat e hartës së djeshme të kanabisit, të cilat e kishin kanabisin të vetmen rrugë jetese? Së dyti, kanabisi që prodhonin ilegalët e lirë në Shqipëri, padyshim që eksportohej në Evropë. Por unë dua të kujtoj që në Evropë, në Itali, Holandë, etj., ka shumë prodhues kanabisi apo opiumi me licenca dhe leje nga shtetet, për interesa farmaceutike, të cilët paguajnë taksa. Në shumë vende të botës së zhvilluar prodhohen bimë të tilla me leje e licenca. Në Europë tashmë njihet varianti shqiptar i kanabisit, i prodhuar nga kjo veprimtari ilegale në Shqipëri, një kanabis shqiptar që ka karakteristikat dhe vlerat e veta në treg. A keni menduar juve që ta ruani këtë vlerë dhe të liçensoni për eksport, për industrinë farmaceutike një prodhim të arsyeshëm fermerësh vendas që të paguajnë taksa dhe të zhvillojnë këtë veprimtari nën kontrollin e plotë të shtetit? A mund të rishikoni ju legjislacionin për këtë çështje?

Edmond Panariti: Faleminderit z. Kokëdhima. Për sa i përket pyetjes tuaj të parë, unë jam tërësisht dakord me ju që roli i shoqatave vaditëse deri në këto momente ka qenë jo vetëm mbështetës, por edhe pengues. Prandaj nevoja ka qenë që ne të rishikojmë tërësisht mënyrën e administrimit të shoqatave të ujitjes që nuk do të kenë menaxhim parash me ligjin e ri, do të kenë vetëm rrol këshillues. Dhe kjo do i kalojë pushtetit vendor, natyrisht do të kalojë në hallkën e shpërndarjes për pushtetin vendor dhe hartës territoriale. Prandaj përgjigjja ime do të është: Po. Ne do t’ia u heqim këto kompetenca shoqatave të vaditjes. Për sa i përket çështjes që ju ngritët lidhur me investimet për disa milionë, unë do të thoja se në territorin e tokave të ujitjes, për të parë se si qëndron puna për çështjet që përmendi zoti Kokëdhima për sa i përket investimeve në zonat që ai i përmendi. Përmendëm edhe më parë që me projektet e Bankës Botërore për pjesën e Xarrës, por jemi edhe në kushtet e investimeve të munguara do të shohim prioritet. Natyrisht që ne do të shohim skemat ujitëse. Për pjesët e tjera, përveç për shpenzimet e bëra do të punohet nga të dyja palët që të jenë të hapura.

Erion Braçe: Po përsa i përket pyetjes tjetër?

Edmond Panariti: Për sa i përket pyetjes të fundit që bëri zoti Kokëdhima lidhur me Lazaratin. Pas përfundimit të operacionit të suksesshëm policor, që largoi përfundimisht kanabisin nga ajo fushë, ne kemi menduar seriozisht për të ofruar një alternative të besueshme të asaj zone që me të drejtë kërkon tashmë që të jetë në modelin bujqësor. Unë kam biseduar edhe me zotin Veliaj që ne të fillojnë një projekt për t’i hyrë mbështetjes e cila prodhon shafran, një erzë e cila prodhohet dhe i përshtatet mirë asaj zone dhe ka një vlerë shumë të madhe dhe kërkohet nga tregjet e huaja. Njëkohësisht klimicien që i përshtatet shumë asaj zone dhe që kërkohet me shumicë në tregjet. Ndërkohë ne do të projektojmë në zonën e Lazaratit, një pjesë të konsiderueshme të fondeve për projektin e zhvillimit të zonave të varfra. Është një projekt që financohet nga qeveria Daneze dhe nga qeveria Gjermane. Për sa i përket çështjes që të hiqet kanabisi, ai është kërp, kërp industrial dhe të mos gabojmë duke iu referuar kërpit. Çdo gjë që i nënshtrohet standardeve evropiane të tregtimit është e lejuar. Pra çdo aplikim i cili do të inkuadrohet brenda këtij harku standardesh, natyrisht do të merret në konsideratë nga ana e ministrisë tonë. Por kjo duhet parë. Në rast se legjislacioni evropian lejon dhe mundëson arkëtime edhe për kultura të tilla, natyrisht që ne do t’i administrojmë që nga ministria e Bujqësisë, madje edhe një plan biznesi të mirëhartuar do të shikojmë që do të avancojmë më tepër. Por duhet njohur natyrisht me kërkesat në destinacion.

Koço Kokëdhima: Fshatarët që kanë kultivuar kanabis nuk janë kriminelë. Këta fshatarë janë pragmatistë. Ata nuk entuziazmohen nga planet tona afatgjata dhe afatmesme të zhvillimit të bujqësisë. Ata kanë nevojë për punë, ushqim, para, shëndet, siguri jete e ekonomike sot. Ç’mund t’ju themi ne gjithë fshatarëve të zonave bujqësore që s’kanë ujë, siç përmenda më lart? A mund t’ju themi atyre të presin disa vite të tjera derisa ne të gjejmë para për të rregulluar veprat vaditëse? Ata duhen mbështetur çdo vit me zgjidhje, përndryshe do bëhen kundërshtarët tanë. Ne gjithashtu nuk duhet të kemi hezitim të flasim hapur për problemet tona, pa pasur frikë se mund të dukemi si të asociuar me çështje të tilla të ndjeshmërisë shumë të lartë si droga. Ku shkonte droga që prodhonte Shqipëria? Në Europë, në Itali, Gjermani e gjetkë. Ne, me këtë luftë të madhe dhe me pasoja shumë të rënda social-ekonomike për vete, kemi bërë një investim të madh në luftën e këtyre vendeve ndaj trafikut të drogës. Këto vende duhet të na ndihmojnë me grante në Buxhetin e shtetit, për të investuar e subvencionuar bujqësinë me 200-250 milionë dollarë në vit, të paktën për 5 vjet rresht. Kështu do mund të ndihmojmë fshatarët të jetojnë me bujqësi. A keni menduar zoti ministër për të paraqitur një plan tek aleatët evropianë për të siguruar këtë mbështetje? Kjo ishte pyetja ime e fundit. Faleminderit.

Edmond Panariti: Zoti Kokëdhima, ne duhet të bëjmë të qartë dy gjëra. E para e punës, Shqipëria është larg njollës së zezë të kanabisit. Dhe logjika që tashmë e kemi aktivitet fitimprurës për fermerët nuk shkon për arsye se i bie që edhe trafikantët shënojnë të ardhura dhe kontribuojnë edhe ata në ekonomitë e tyre. Por ata bëjnë aktivitet të paligjshëm dhe kriminal. Kështu që Shqipëria mund të krenohet që i vuri kapakun një herë e përgjithmonë kësaj njolle të zezë në historinë e saj, gjë që në farë mënyre i shtroi rrugën e saj në integrimin e BE-së. Çështja e fermerëve të Lazaratit është në vëmendjen tonë. Ne do të qëndrojmë në krah të tyre, jo vetëm fermerëve të Lazaratit por të gjithë ata të zonave kodrinore-malore që janë të paangazhuara për të përfituar nga programe zhvillimi. Dhe unë propozova disa kultura bujqësore të cilat janë në vendin tonë dhe i përshtaten kushteve tokësore dhe klimaterike, të cilat kanë norma të larta fitimi. Unë jam i vëmendshëm në ngritjen e alternativave serioze, por këtë do ta bëjmë brenda kuadrit ligjor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat