Në spitalet tona nuk ka vetëm korrupsion

Shqipëria

Në spitalet tona nuk ka vetëm korrupsion

Më: 21 nëntor 2014 Në ora: 10:31

Një deklaratë e tillë, e di, vjen në kundërshtim me perceptimin e publikut të gjerë, se shëndetësia jonë është shumë e korruptuar. Gjithsesi e bëra këtë shkrim nisur nga përvoja dhe dëshira e një miku tim, ish-komandantit të Mbrojtjes Kundërajrore të Shtetit, gjeneral Pali Priftit. Para disa kohësh, ai kaloi një situatë shumë të vështirë për jetën. Si pasojë e një sëmundje të rëndë, trombozë në enët e gjakut në tru, ishte shtruar në pavijonin e Neurokirurgjisë. Pas 18 ditësh kurë, edhe përkundër shkallës së lartë të rrezikut për jetën, atij iu bë një ndërhyrje kirurgjikale shumë e vështirë. Operacioni, për arsye të profesionalizmit të ekipit operator, e për fatin e mikut tim, doli me sukses. Dhe siç thotë Pali, jo vetëm që është rikthyer në jetë, por për nga mënyra e trajtimit si pacient, ai ka mbetur shumë i kënaqur. Sipas tij, Neurokirurgjia në Tiranë, është një institucion shëndetësor model. Drejtuesi i saj, Profesor Mentor Petrela, me një staf mjekësh e infermierësh të mrekullueshëm, dallon për profesionalizëm, kulturë dhe korrektësi. Gjeneral Pali Prifti, si më tregonte vetë, ka patur raste ku është shtruar dhe kuruar edhe në klinika të vendeve të tjera, me standarde ku e ku më të larta se në Shqipëri. Por, për të, pavijoni i Neurokirurgjisë në QSUT “Nënë Tereza”, nuk është më pak i kualifikuar se pavijonet e njëjta të spitaleve në Europë apo në vende të tjera. Duke shprehur këtë konstatim të tij, në të njëjtën kohë, ai dëshiron të falënderojë me gjithë zemër dhe me mirënjohje të thellë dhe respekt, të gjithë personelin mjekësor të këtij pavijoni: Irenën, Vasilikën, Fotininë, Xhixhin, Ledion, të cilët, me shërbimin e tyre të kulturuar, me fjalët e ngrohta, me sjelljen shembullore, iu bënë familje e dytë Palit.

E në këtë falënderim, Pali veçon Prof. As. Doktor Arsen Seferin, neurokirurg, 45-vjeçar, i aftë nga ana profesionale, me kurajë, por edhe human në marrëdhëniet me pacientet. Edhe përkundër vështirësisë së operacionit, edhe përkundër dëshirës së të afërmve të tij për t’u operuar në ndonjë klinikë jashtë vendit, kërkesë e justifikueshme në kushtet e mungesës së besimit te spitalet tona, Pali thotë se pati besim te doktor Arseni. I kualifikuar në klinika të njohura në Zyrih, Vjenë, Romë, etj. doktor Arseni i pati krijuar besim se mund t’ia dilte me sukses provës së operacionit. Doktor Arsenin ai e sheh në të njëjtin nivel me mjekët që do ta operonin jashtë vendit. Dhe në fakt nuk gabon. Doktor Arseni ia doli me sukses. Mbase duken deklarata emocionale, por duhet të besohet një gjë e tillë, sepse edhe te ne, në Shqipëri, është e mundur të kemi mjekë e klinika të tilla.

Meraku i gjeneral Palit ishte nëse do të arrinte me pak rreshta të shprehte të gjithë mirënjohjen që ka për atë kolektiv të mrekullueshëm, që gjeti në pavijonin e Neurokirurgjisë, ndërsa unë e shikoj këtë gjest të tij si një shpresë se, në fund të tunelit të korrupsionit, në sektorin e shëndetësisë ka edhe rreze drite. Mirë është ta besojmë këtë, mbase do të jetë nxitje që kjo “rreze drite” të bëhet e fortë, zotëruese në punën dhe sjelljet e mjekëve tanë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat