Senati i SHBA miraton kandidaturën e Donald Lu si ambasador në Shqipëri

Shqipëria

Senati i SHBA miraton kandidaturën e Donald Lu si ambasador në Shqipëri

Më: 20 nëntor 2014 Në ora: 23:23

Senati i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka konfirmuar emërimin e Presidentit Barack Obama për kandidaturën e zotit Donald Lu si Ambasador të ri të SHBA në Shqipëri.

Ditën e sotme, Senati amerikan ka votuar unanimisht që Donald Lu të jetë pasuesi i Aleksandër Arvizu në Shqipëri. Donald Lu u nominua nga Kongresi Amerikan që më 6 janar, por u bllokua në senat pas një ngërçi politik të provokuar nga republikanët e opozitës për shumë nga emërimet e Presidentit Obama.

Kohët e fundit, demokratët që kontrollojnë Senatin i bënë një ndryshim historik rregullores së Senatit, sipas së cilës, emërimet presidenciale, me përjashtim të atyre për në Gjykatën e Lartë, mund të miratohen me shumicën e thjeshtë, me 51 vota, nga 60 që parashikonin rregullat e mëparshme.

Donald Lu është një diplomat karriere dhe aktualisht është zv.Shef i Misionit Diplomatik amerikan në Nju Delhi të Indisë. Më parë ai ka shërbyer në ambasadën amerikane në Baku të Azerbajxhanit si i Ngarkur me Punë nga viti 2009-2010 dhe si Zëvendës Shef i Misionit nga 2007-2009.

Nga viti 2003-2006, zoti Lu ka qenë Zëvendës Shef i Misionit Diplomatik amerikan në Bishkek të Kirgistanit. Donald Lu ka shërbyer si Zëvendës Drejtor i Zyrës për Azinë Qendrore dhe Cështjet e Kaukazeve të Jugut nga viti 2001-2003 dhe si Asistent i Posaçëm i Ambasadorit për Vendet e Sapo-Shpallura të Pavarura nga 2000-2001.

Ndër funksione të tjera diplomatike përfshihet: Asistent i Posaçëm i Ambasadorit në Misionin Diplomatik amerikan në Nju Delhi; Zyrtar i Konsullatës amerikane në Tbilisi të Gjeorgjisë; Zyrtar Politik në Konsullatën amerikane në Peshavar të Pakistanit.

Zoti Lu ka qenë në Sierra Leone nga 1988-1990 si vullnetar me Korpusin e Paqes. Ai ka diplomën e studimeve universitare dhe pasuniversitare nga Universiteti i Princetonit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat