Raunig: "Televizoni publik t'u shërbejë interesave të qytetarëve"

Shqipëria

Raunig: "Televizoni publik t'u shërbejë interesave të qytetarëve"

Më: 20 nëntor 2014 Në ora: 21:11

“Televizioni publik duhet t’u jetë besnik qytetarëve dhe jo partive politike, bizneseve apo individëve". Kështu deklaroi sot Kryetari të Prezencës së OSBE-së në Tiranë, ambasadori Florian Raunig, në konferencën rajonale dyditore për transmetuesit publikë, që filloi sot në Tiranë.

“Elitat politike në shoqëritë në tranzicion kanë prirjen ta nënvlerësojnë rëndësinë e sektorit të transmetuesit publik. Megjithatë, është shumë e rëndësishme të kuptojmë se modeli evropian i një mjedisi transmetimi të mirëbalancuar mbështetet në një balancim të kujdesshëm pushtetesh midis televizionit publik dhe atyre komerciale ”, tha Raunig.

Sipas ambasadorit, ky ekuilibër, siguron marrëdhënie të harmonishme midis interesave politike apo ekonomike dhe interesit të qytetarëve. "Vendet që po përpiqen të zhvillojnë më tej demokracinë duhet t’i kushtojnë vëmendje të veçantë këtij modeli, të krijojnë një transmetues publik të qëndrueshëm nga aspekti ekonomik, me pavarësi redaksionale dhe profesionale, i cili kontrollohet nga publiku, financohet nga publiku dhe është bërë për publikun", vijoi Raunig.

Po ashtu, ai theksoi se është detyra ligjore e Kuvendit të Shqipërisë të zgjedhë ekipet e reja drejtuese të transmetuesit kombëtar publik, ndërsa ofroi mbështetjen e prezencës së OSBE-së.

Seminari rajonal për transmetuesit publikë dhe rritjen e besimit të tyre te njerëzit zhvillohet sot dhe nesër në Tiranë. Seminari organizohet nga Bashkimi i Transmetuesve Evropianë (EBU), Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, UNESCO dhe Radio-Televizioni Shqiptar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat