Gjosha takim me ministrin gjerman: Agjenda evropiane mbi atë partiake

Shqipëria

Gjosha takim me ministrin gjerman: Agjenda evropiane mbi atë partiake

Më: 20 nëntor 2014 Në ora: 20:43

TIRANË - Pjesëmarrja e opozitës në Kuvend u konsiderua e domosdoshme edhe nga një prej ministrave të kabinetit të qeverisë Gjermane. Ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha, priti sot në një takim ministrin e Shtetit për Çështjet Evropiane, Michael Roth.

Gjosha theksoi se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, janë në nivelin më të lartë, çka pasqyron partneritetin e fortë dhe të qëndrueshëm mes dy vendeve. Gjatë bisedës dy ministrat u ndalën tek rëndësia e bashkëpunimit rajonal, për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.

“Konferenca e Berlinit rikonfirmoi edhe njëherë vëmendjen dhe angazhimin e Gjermanisë në drejtim të zhvillimit politik dhe ekonomik të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Ne besojmë se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është vetëm në BE dhe mbështetja juaj është shtysë mjaft e madhe, për të vazhduar këtë rrugëtim tonin. Me projekte të përbashkëta mund ta kemi më të lehtë destinacionin tonë final”, tha ministrja Gjosha.

Në takim u nënvizua roli i opozitës në procesin e integrimit, duke shprehur dakordësinë se është e domosdoshme që për agjendën e integrimit të ketë një qasje konsensuale dhe konstruktive për të gjitha palët politike.

“Qeveria dhe opozita duhet të jenë aktive në Parlament. Çdo vend demokratik ka nevoje për një qeveri të fortë, por edhe një opozitë të fortë, zëri i së cilës dëgjohet më mirë brenda institucioneve”, tha ministri Roth.
Ministrja Gjosha u shpreh se qeveria ka ftuar vazhdimisht opozitën të jetë pjesë e reformave dhe do të vijojë ta bëjë një gjë të tillë.

“Agjenda jonë evropiane është mbi agjendat partiake. Ftesat ndaj opozitës nuk kanë munguar dhe ne shpresojmë që opozita të kthehet sa më shpejt në Parlament, të jetë pjesë e reformave që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në procesin e integrimit”, deklaroi Gjosha.

Roth vlerësoi si një model mjaft pozitiv, respektimin e të drejtave të minoriteteve në Shqipëri, duke shtuar se ky model duhet të zbatohet në të gjithë rajonin.

Ministri gjerman u interesua për barazinë gjinore në Shqipëri, duke e cilësuar tepër të rëndësishme, për vendet evropiane dhe ato që aspirojnë të jenë pjesë e BE-së. Ministrja Gjosha, theksoi se në këtë drejtim Shqipëria ka bërë mjaft hapa përpara, të cilat janë vlerësuar edhe në progres-raportin e muajit tetor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat