Gjermeni: Paguani faturat t'ju lehtësohet legalizimi

Shqipëria

Gjermeni: Paguani faturat t'ju lehtësohet legalizimi

Më: 20 nëntor 2014 Në ora: 17:15

“Të gjithë qytetarët të cilët paguajnë në kohë faturat dhe detyrimet e energjisë elektrike do të kenë lehtësira në procesin e legalizimit”.

Kështu deklaroi sot ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni, gjatë inaugurimit të zyrës së re të ALUIZNIT në Shijak, e cila do t'u shërbejë banoreve të kësaj njësie vendore dhe zonave përreth për përfundimin e procedurave për legalizimin e objekteve të tyre.

“Gjithë vëmendja e angazhimi ynë është të realizojmë një nga prioritetet dhe premtimet e Qeverisë 'Rama': legalizimet në një kohë rekord që brenda katër viteve të para të qeverisjes të bëjmë maksimumin, për të gjithë qytetarët e këtij vendi, ose të përfundojmë pjesën më të madhe të legalizimeve”, tha Gjermeni.

I pranishëm në ceremoni ishte edhe drejtori i ALUIZNIT, Artan Lame, i cili theksoi se ky është "shansi" i fundit që qytetarët të legalizojnë banesat.

“Kjo Qeveri e tregoi vullnetin e saj për legalizimet e ndërtesave të banorëve, pjesa që mbetet u takon qytetarëve që të bëjnë punën e tyre. Është shansi i fundit që kanë të gjithë qytetarët shqiptarë për të bërë legalizimin e banesave. Ju ftoj dhe ju bëj thirrje edhe një herë, që deri në fund të këtij viti të vazhdojnë me vetëdeklarimet që kanë mbetur akoma pa i bërë, apo aty ku ka procedura të vazhdojnë me procedura, sepse është një vullnet qeverisës që duhet çuar deri në fund. Ejani sepse vetëm së bashku mund ta përfundojmë këtë proces”, tha Lame.

Ndërsa Drejtori i ALUIZNIT për Qarkun e Durrësit, Flamur Gjuzi u shpreh se zyra e re do të mbulojë Bashkinë Shijak, Sukth dhe Manzë dhe pesë komuna. “Zyra e re e ALUIZNI-t do të mbulojë tetë zona. Janë tre bashki: Shijak, Sukth dhe Manzë si dhe pesë komuna, ajo Maminas, Gjepalaj, Xhafzotaj, Rashbull dhe Katund i Ri. Aktualisht numri i përgjithshëm është rreth 18 mijë dosje, pa llogaritur dosjet dhe vetdeklarimet e reja.” - tha Gjuzi.

Mbi 2500 legalizime janë kryer nga ALUIZNI për periudhën prill-nëntor 2014 për qarkun e Durrësit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat