Aleanca KuqeZi fushatë për dy projektligje: Vota online e emigrantëve dhe pasaportë për çdo shqiptar në origjinë

Shqipëria

Aleanca KuqeZi fushatë për dy projektligje: Vota online e emigrantëve dhe pasaportë për çdo shqiptar në origjinë

Më: 1 nëntor 2014 Në ora: 13:47

Aleanca KuqeZi mblodhi sot Këshillin Kombëtar në praninë e mbi 500 intelektualëve kryeqytetas ku dhe prezantoi dy insiativa kushtetuese për t’ia paraqitur Kuvendit të Shqipërisë.

Në këtë takim, AK-ja bëri me dije se do paraqesë dy projektligje nga populli me 20.000 nënshkrime : 1. “E drejta e emigrantëve për të votuar online atje ku punojnë dhe jetojnë” 2. “Pasaportë kuqezi për mbi 10 milion shqiptarë që kanë së paku njërin nga prindërit me origjinë shqiptare”.

Përpara qindra të pranishmëve kreu i Aleancës KuqeZi, Kreshnik Spahiu deklaroi se Shqipëria është i vetmi vend europian që nuk njeh votën e emigrantëve dhe i vetmi shtet në botë që nuk u jep pasaportë dhe shtetësi personave me etni dhe origjinë të kombit tonë.

Më poshtë, Spahiu theksoi se këto dy të drejta dhe liri themelore do mund të rivendosin integritetin e shtetit dhe kombit shqiptar përballë atij europian. “Qeveritarët shqiptar nuk e duan votën e emigrantëve se nuk e manipulojnë dot atë. Qeveritarët nuk e duan një komb me 10 milion shtetas se nuk e korruptojnë dot atë dhe nuk e qeverisin dot. Gjithmonë jemi të fundit”-citohet nga fjala e kreut të AK-së, Kreshnik Spahiu.

Ndër të tjera, Spahiu ka kujtuar edhe premtimin e pambajtur deri tani të kryeministrit shqiptar, Edi Rama. Sipas kreut të AK-së, kryeministri shqiptar u premtoi votën emigrantëve por ende nuk ka bërë asnjë hap, sepse ai nuk beson dot tek vota e emigrantëve. “Ai nuk u premton dot vende pune, nuk i mashtron dot me 50 euro apo legalizime falas”- ka theksuar në fjalën e tij Kreshnik Spahiu.

Në vijim të fjalës së mbajtur përpara 500 intelektualëve dhe patriotëve kryeqytetas, ai theksoi se qeveria nuk po hedh asnjë hap përafrimi me pjesët e coptuara të kombit sepse ka zgjedhur Beogradin për binjakëzim, pasi u divorcua në Prizren me Kosovën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat