BSH, Kuvendi hap procedurat për dy anëtarët e KB-së

Shqipëria

BSH, Kuvendi hap procedurat për dy anëtarët e KB-së

Më: 1 nëntor 2014 Në ora: 10:42

Kuvendi i Shqipërisë hapi dje zyrtarisht procedurat për zgjedhjen e dy anëtarëve të rinj të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, të cilët janë nomenklaturë e tij. Nëpërmjet një njoftimi të bërë publik dhe në faqen zyrtare, është hapur procedura e aplikimeve ndërsa është caktuar si afat i fundit për dorëzimin e dokumentacionit, data 10 nëntor. Mësohet se pjesë e dosjes së dokumenteve është ndër të tjera dhe dëshmia e penalitetit, një dokument që është kthyer në objekt debati politik në javët e fundit, mes mazhorancës dhe opozitës.

Hapja e procedurave

“Në mbështetje të nenit 111, të rregullores së kuvendit dhe të nenit 44, të ligjit nr. 8269, datë 23.12.1997 “Për Bankën e Shqipërisë”, me propozim të Komisionit për Ekonominë dhe Financat, Kuvendi i Shqipërisë, njofton shpalljen e procedurave paraprake të përzgjedhjes së dy anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë. Ftohen për të paraqitur kandidaturat e tyre, shtetasit që plotësojnë kriteret e përcaktuara në ligjin nr. 8269, datë 23.12.1997 “Për Bankën e Shqipërisë””, - thuhet në njoftimin e legjislativit. Më tej shtohet se: “Kërkesa e nënshkruar nga kandidati për paraqitjen e kandidaturës, duhet të paraqitet zyrtarisht pranë sekretarisë së Kuvendit të Shqipërisë, brenda datës 10.11.2014, e shoqëruar me dokumentacionin përkatës (CV, fotokopje të librezës së punës, diplomë universitare dhe pasuniversitare, dëshmipenaliteti, si dhe referenca të tjera që provojnë përmbushjen e kritereve ligjore)”. Në vendimin e miratuar nga parlamenti në seancën e të enjtes thuhet se në datën 10 nëntor kur të mbyllet edhe afati për aplikuesit, lista e plotë do ti bëhet e ditur deputetëve. “Shërbimet e Kuvendit, brenda 5 ditëve nga dërgimi i njoftimit te deputetët, i listës së kandidaturave të vetofruara, organizojnë dëgjesën publike në mjediset e Kuvendit. Shërbimet e Kuvendit, njoftojnë të gjithë deputetët/ grupet parlamentare për ditën, orën dhe mjediset ku do të kryhet dëgjesa publike dhe prezantimet e çdo kandidati në këtë proces të hapur. Pas dëgjesës publike, të paktën 28 deputetë përzgjedhin kandidatin/ kandidatët, të cilët do të mbështesin për t’ia paraqitur sipas cilësive profesionale dhe performancës gjatë prezantimit”, - vijon më tej vendimi i djeshëm. Kandidaturat që do të marrin mbështetjen e jo më pak se 28 deputetëve depozitohen zyrtarisht në protokollin e Kuvendit dhe vazhdojnë procedurat e parashikuara në rregulloren e kuvendit. Por emri i zgjedhur mund të jetë dhe jashtë listës së aplikantëve. Kjo theksohet në pikën 2, të vendimi të marrë ditën e enjte nga legjislativi, ku sqarohet se: “Procedura paraprake e propozuar në pikën I, të këtij vendimi, nuk është e detyrueshme për t’u ndjekur nga deputetët, si dhe nuk përjashton në asnjë rast që të paktën 28 deputetë t’i paraqesin Kuvendit një kandidat që është përzgjedhur prej tyre jashtë procedurës së sipërcituar”. Sipas ligjit, kuvendi do të emërojë dy anëtarë nga katër vendet e mbetura vakante në Këshillin Mbikëqyrës. Një tjetër anëtar do të jetë propozim i qeverisë, ndërsa i fundit zgjidhet nga vetë Këshilli Mbikëqyrës i Bankës. Këshilli i Ministrave e ka mbyllur tashmë procedurën e aplikimeve. Pas ftesës publike të kryeministrit, Edi Rama u paraqitën rreth 151 kandidatë, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë. Zyrtarisht mungon një emër i zgjedhur mes tyre por burimet pohojnë se emri i përzgjedhur nga qeveria është ai i Denada Priftit e cila ka punuar në organizata financiare në Gjermani. Plotësimi i tre vendeve vakante i hap rrugën Presidentit të Republikës të zgjedhë mes tyre guvernatorin e Bankës së Shqipërisë. Ligji parashikon se kreu i shtetit zgjedh mes 9 anëtarëve të këshillit guvernatorin, përzgjedhje për të cilën ai është shprehur se do të konsultohet me kryeministrin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat