68 mln lekë për qendrën e Burrelit

Shqipëria

68 mln lekë për qendrën e Burrelit

Më: 31 tetor 2014 Në ora: 17:03

Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni inspektoi zbatimin e projektit të financuar nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve në qendrën e qytetit të Burrelit.

“Projekti për rehabilitimin e këtij parku, i financuar nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve është i rëndësie të madhe, jo vetëm për t’u dhënë qytetarëve të Burrelit shërbime më cilësore, por edhe për të nxitur turizmin e kësaj zone”, deklaroi ministrja.

Gjermeni foli edhe për mundësitë për zhvillimin e turizmit në krahinën e Matit, si një trevë me potencialin e nevojshëm për të aplikuar mbi të gjitha turizmin e aventurës, duke u kthyer në një destinacion të preferuar turistik brenda vendit.

“Kjo krahinë është e bekuar, jo vetëm me bukuritë natyrore, por duke shfrytëzuar edhe traditën, mikpritjen, kostumografinë, kulinarinë mund të kthehet në një zonë ku të ketë turistë përgjatë gjithë vitit”, tha Gjermeni.

Ky projekt, me vlerë investimi rreth 68 milionë lekë, pritet të përfundojë para marsit 2015. Ai parashikon rehabilitimin e godinave ekzistuese, që do të përshtaten sipas funksioneve në projekt, ndërtimin dhe sistemimin e ujërave të bardha dhe të zeza, ndërtimin e fushave sportive, sistemimin e sheshit brenda parkut, ndërtimin e murit rrethues dhe ambienteve çlodhëse për të gjitha moshat.

Ministrja Gjermeni shoqërohej në këtë takim nga Kryetarja e Bashkisë Burrel, Adelina Farrici, Prefekti i Qarkut të Dibrës, Melaim Damzi dhe përfaqësues të pushtetit vendor. Më tej, Gjermeni inspektoi punimet në bllokun e banimit në lagjen "Pjetër Budi" dhe rikonstruksionin e fasadave në hyrje të qytetit, dy projekte të financuara nga Bashkia e Burrelit. Vizita vijoi në mjediset e Bashkisë, në Zyrën e Turizmit, ku Gjermeni u njoh me projekte që ka hartuar Bashkia Burrel për zhvillimin e turizmit në rrethin e Matit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat