Tahiri takon kursantët e Shkollës së Policisë

Shqipëria

Tahiri takon kursantët e Shkollës së Policisë

Më: 31 tetor 2014 Në ora: 16:15

Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri ka zhvilluar sot një takim me kursantët e Shkollës Bazë të Policisë, në kryeqytet.

Ministri i Brendshëm shoqërohej nga Drejtori i Përgjithshëm e i Policisë së Shtetit, Artan Didi. Ata u takuan me studentët që janë në përfundim të kursit dhe së shpejti pritet që të nisin praktikën në terren pranë komisariateve të policisë.

Gjatë takimit, Tahiri dha disa mesazhe për policët e ardhshëm, duke e vënë theksin në veçanti me detyrat që i pret ata kur të dalin në terren.

“Me të mbaruar këtë kurs, do të gjendeni përballë testeve shumë më të vështirë se sa testet që korrigjojnë pedagogët këtu. I pari është testi me publikun, do jeni në test të vazhdueshëm, është një provim i ditëpërditshëm. Është një provim që ju vë ju në provë me veten, ju me njohuritë, ju me bagazhin e dijeve që keni marrë ndër vite jo vetëm në këtë kurs, ju vë në test ju me ligjin, ju me njeriun që keni përballë dhe ju me publikun”, tha Tahiri.

Policimi në komunitet dhe lufta kundër korrupsionit kanë qenë dy çështjet kryesore rreth të cilave është zhvilluar bashkëbisedimi mes ministrit Tahiri dhe kursantëve. Sipas ministrit, respektimi i ligjit dhe të drejtave të njeriut është çelësi i një policie të suksesshme, që do të meritojë vlerësimin e qytetarëve.

“Duket si një gjë shumë e ngatërruar dhe e përbërë, por në fakt ky test kalohet vetëm në qoftë se ju fitoni një betejë me veten tuaj. Ta çoni para këtë detyrë për të respektuar ligjin dhe për t’i bërë njerëzit që të respektojnë ligjin dhe mbi të gjithë për të respektuar të drejtat e njeriut dhe për t’i edukuar njerëzit që të respektojnë të drejtat e njeri-tjetrit.

Nuk ka më mirë se sa publiku të të testojë dhe monitorojë në vazhdimësi sepse nuk ka shteg më të mirë për ta detyruar veten të respektosh normat e ligjit dhe të drejtat e të tjerëve. Mallkimi më i madh i një institucioni dhe akoma më me shumë arsye i Policisë së Shtetit do ishte errësira e harresës në sytë e publikut”, tha në përfundim Tahiri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat