Shqipëria zgjidhet vendi ku do të ngrihet Sekretariati i Fondit të Ballkanit Perëndimor

Shqipëria

Shqipëria zgjidhet vendi ku do të ngrihet Sekretariati i Fondit të Ballkanit Perëndimor

Më: 31 tetor 2014 Në ora: 13:30

Shqipëria u zgjodh vendi ku do të ngrihet Sekretariati i Fondit të Ballkanit Perëndimor. Ky vendim u mor në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të Grupit të Vishagradit në Bratislavë të Sllovakisë, ku ishte i pranishëm edhe ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati.

Kjo është hera e parë që në Shqipëri vendoset selia e një organizate rajonale, dëshmi e një kontributi në rritje të vendit tonë në drejtimit të politikave të bashkëpunimit rajonal dhe fqinjësisë së mire.

Takimi, i organizuar nga Sllovakia si vend që ka kryesinë e radhës të Grupit të Vishegradit, kishte si qëllim t’i përcillte vendeve të Ballkanit Perëndimor përvojën e Polonisë, Hungarisë, Çekisë dhe Sllovakisë në fushën e integrimit evropian.

Diskutimet gjatë takimit u përqendruan në tre tematika: shteti ligjor, qeverisja e mirë dhe transparenca si dhe bashkëpunimi rajonal.

Në fjalën e tij, Ministri Bushati u ndal në vëmendjen që Shqipëria i kushton bashkëpunimit rajonal në politikën e jashtme. Ai përmendi kontributin e palës shqiptare si në Konferencën e Berlinit, ashtu edhe në procesin që e ka pasuar atë e që synon përmirësimin e infrastrukturës rajonale, rritjen e shkëmbimeve dhe forcimin e lidhjeve mes popujve.

Ai shtoi se këto janë edhe disa prej prioriteteve të Kryesisë shqiptare të SEECP gjatë këtij viti. Me tej ai u shpreh se “Riorganizimi i Komisionit të ri që vendos Përfaqësuesen e Lartë për Politiken e Jashtme dhe Zëvendës Presidentin e Komisionit në krye të drejtimit dhe koordinimit të Politikës së Jashtme dhe Zgjerimit si dhe Paketa e Zgjerimit 2014 kanë rritur fokusin mbi zgjerimin si një projekt gjeostrategjik politik”.

Në takim u diskutua gjithashtu mbi pritshmëritë e vendeve të rajonit nga Komisioni i ri Evropian, mbi situatën në Ukrainë dhe krizën në Siri e Irak, ndërsa pjesëmarrësit ndanë mendimin se sfidat e përbashkëta duhen përballuar bashkërisht.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat