Edhe uji, njëlloj si energjia:150 milionë dollarë humbje në vit

Shqipëria

Edhe uji, njëlloj si energjia:150 milionë dollarë humbje në vit

Më: 31 tetor 2014 Në ora: 12:06

Duhen 6 miliardë dollarë që sektori i ujësjellës kanalizimeve të strukturohet i gjithi dhe të ketë mbulim në masën 100 për qind në të gjithë vendin si dhe të mblidhen faturat për të gjithë prodhimin dhe konsumin e ujit. Ky është bilanci që ka nxjerrë Enti Rregullator i Ujit, në një kohë kur vetëm për vitin 2013 humbjet në rrjet vlerësohen me 180 milionë metër kub ujë, ndërkohë që harxhohen 270 milionë dollarë investime në vit për këtë sektor. Këto të dhëna u bënë publike ditën e djeshme gjatë prezantimit të performancës së shoqërive të ujësjellës kanalizimeve për vitin 2013 të organizuar nga Enti Rregullator i Ujit.

Gjatë vitit 2013 mbulimi i kostove të operimit dhe mirëmbajtjes si dhe mbulimi i kostos totale janë treguesit me vlerësimin më pozitiv duke tejkaluar objektivin strategjik për sektorin dhe objektivin e synuar të performancës të ERRU-së. Humbjet në rrjet, jo vetëm në sektorin e energjisë elektrike por edhe në ujësjellës dhe kanalizime, duket se është metoda e punës për shqiptarët. Me gjithë investimet e bëra, si nga qeveria ashtu edhe nga grantet e ndryshme si të qeverisë gjermane ashtu edhe asaj japoneze, duket se kanë humbur.

Kjo, sipas zëvendësministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Ylli Manjani, sepse investimet janë bërë të fragmentizuara dhe nuk kanë qenë të plota, çfarë ka sjellë edhe humbje të mëdha në rrjet dhe mangësi në arkëtime. Ndërkohë në ERRU janë dorëzuar kërkesat e 10 shoqërive të ujësjellës-kanalizimeve, të cilët kanë kërkuar një rritje të çmimit të ujit. Këtë deklaroi kreu i Entit Rregullator të Ujit, Avni Dervishi në prezantimin e raportit të performancës së shoqërive të ujit për vitin 2013.

Rreth 10 operatorë nga 58 kanë aplikuar këtë vit për rritjen e çmimit të ujit, kërkesa e tyre vjen në bazë të ligjit dhe metodologjisë për tarifat. Kërkesat e shoqërive janë në proces shqyrtimi. Një pjesë e tyre nga 10, 8 prej tyre kanë një plan biznesi të mbështetur nga qeveria dhe donatorët e huaj”-u shpreh Dervishi, ndërkohë që argumenti që shoqëron kërkesën për të rritur çmimin është përmirësimi i situatës financiare dhe cilësi e shërbimit.

Abuzuesit përpara ligjit

Zëvendësministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Ylli Manjani akuzoi pushtetet lokale se abuzojnë me buxhetin e shtetit për prodhimin e ujit. Sipas tij 180 milionë dollarë investime për prodhimin e ujit shkojnë dëm, ndërsa deklaroi se përgjegjësit për ketë situatë do të dalin para drejtësisë.“Nga 270 milionë dollarë që harxhojmë në vit për të prodhuar ujë, arrijmë vetëm 89 milionë, ndërsa pjesa tjetër 180 milionë dollarë shkojnë dëm, shkojnë në lumë. Kemi ndërtuar rreth 150 milionë euro investime impiante ujërash të ndotura në gjithë vijën bregdetare dhe sot nuk funksionon asnjë. Kjo tregon edhe njëherë se çfarë bëjnë kryetaret e pushtetit lokal që s’e kanë fare idenë për shërbimin e furnizimit me ujë. Na rroftë ne ligji për decentralizimin, se atje në terren funksionon një ligj tjetër. Do të ketë një përgjegjës për ketë punë. Secili që është në kryet të këtyre punëve do të japi llogari”, deklaroi Manjani.

Avni Dervishi: Rritja e energjisë nuk sjell detyrimisht rritjen e çmimit të ujit

Si është niveli i humbjeve?

Niveli i humbjeve në rrjet është i ulur nga të ardhurat në të njëjtat nivele ose shumë pak krahasuar me vitin 2012. Kjo është një situatë alarmi për operatorët dhe pronarët e tyre dhe gjithë administratorët që janë në këtë sektor për të përmirësuar këtë tregues. Enti Rregullator i Ujit, me të gjithë instrumentet e saj përpiqet që të bëjë një analizë të detajuar për të ndarë se si është situata, për të ndarë se çfarë i takon pjesës së ujit dhe çfare pjese i takon menaxhimit dhe përmirësimit të tij. Ne kemi bërë një studim për këtë. Kompanitë kanë aktivitet mbi zonat e mbulimit. Kompanitë më problematike janë ato të grupit të tretë, janë më keq. Kjo ndodh edhe për shkak se kapacitet menaxheriale dhe asistenca teknike janë në nivele të ulëta. Ka mungesë në investime dhe kapacitetet e menaxhimit jo i mirë, dhe niveli i tyre është i pandjeshëm.
Si është niveli i arkëtimeve?
Niveli i arkëtimeve, në krahasim me 2012-ën ka ndryshim dhe tendencë përmirësimi dhe kjo është një aspekt shumë i rëndësishëm i kompanive që duhet të shtojnë përpjekjet për të rritur nivelin e arkëtimeve, pasi ky tregues ndikon drejtpërsëdrejti në qëndrueshmërinë financiare.

Kërkesat e kompanive për rritjet e çmimit të ujit?

Kanë aplikuar pranë Entit Rregullator të Ujit, 10 kompani. Kërkesa e tyre vjen mbi bazën e ligjit dhe teknologjisë për tarifat dhe janë në proces shqyrtimi. Një pjesë e tyre janë për ato kompani që kanë një plan biznesi të mbështetur nga qeveria dhe donatorë të huaj dhe investime të cilat, pjesa më e madhe janë kredi dhe do të kthehen përmes tarifave dhe faciliteti i kompanive. Në fund të vitit ne do të kemi përfunduar të gjithë procesin e shqyrtimit dhe analizën e procesit tarifor. Procesi tarifor është i lidhur ngushtë me performancën e kompanive. Kur kompanitë marrin tarifat vendosin disa objektiva mbi bazën e gjithë strategjisë së punës dhe tarifat janë 100 për qind në përputhje me vjeljen e tarifave dhe performancave. Si rezulton performanca financiare e kompanive që kanë kërkuar rritjen e çmimit të ujit? Në përgjithësi me humbjet janë konstant ndërsa me arkëtimet, pjesa më e madhe kanë përmirësime.

Me çfarë argumenti kanë kërkuar rritjen e çmimit?

Argumenti është përmirësimi i situatës financiare si dhe për të përmirësuar cilësinë e shërbimit. Sigurisht që këto kompani kanë plan biznesi 5 vjeçar dhe ky plan biznesi është hartuar edhe në programin e mbështetjes me investime dhe pjesë e planit të biznesit është edhe plani i zhvillimit tarifor për vitet në vazhdim se si do të realizohen objektivat e kompanisë. Objektivat financiare janë të gërshetuara me rritjen dhe qëndrueshmërinë financiare.

Nëse do të rritet çmimi i energjisë elektrike a do të ketë edhe rritje të çmimit të ujit?

Rritja e çmimit të energjisë elektrike është edhe rritje e elementit të kostove dhe nga elementet më të rëndësishëm dhe do t ë hyjë tek shqetësimet e kompanive të ujësjellës kanalizimeve dhe natyrisht do llogaritet me koston e përgjithshme në shkallë vendi dhe ndryshimi i energjisë sjell një ndryshim në koston e produktit, por kjo nuk është e lidhur me rritjen e çmimit të ujit. Rritja e tarifave nuk lidhet detyrimisht me rritjen e çmimit të energjisë .

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat